MENU
klinika

Kurti nga Prekazi kujton bombardimet e NATO

“Drejtësia nuk është vënë në vend për familjen Jashari”

24.03.2021 - 09:54

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me kabinetin qeveritar ka nisur ditën e dytë të punës në krye të Qeverisë duke bërë homazhe në Prekaz, raporton Gazeta Express.

Kurti nga Prekazi ka thënë se ka shkuar me kabinetin që ai udhëheq në vendin e flijimit dhe të bashkimit, ku është bërë edhe ngritja heroike e kombit shqiptar.

“Dje pranuam detyrën si Qeveri e re që u votua në Kuvendin e Kosovës të hënën mbrëma. Sot në ditën e parë të punës me zëvendëskryeministrat dhe ministrat erdhëm herët në mëngjes në Prekaz në këtë vend të flijimit dhe të bashkimit, ku tre breza të familjes Jashari u vranë nga forcat serbe, mirëpo, rënia e tyre heroike e ngriti në këmbë popullin shqiptar, i dha hov ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e zgjoi ndërgjegjen ndërkombëtare që me 24 mars dërgoi aleancën më të fuqishme në historinë e njerëzimit kundër një shteti gjeneciodal siç ishte Serbia e Millosheviqit”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar tutje se drejtësia ende nuk është vënë në vend për familjen Jashari e për shumë familje tjera.

“I kujtojmë me shumë dhëmbie e mall, Shaban, Hamëz e Adem Jasharin e të gjithë pjesëtarët e kësaj familje, gjysma e të cilëve ishin gra e fëmijëve, drejtësia nuk është vënë në vend ashtu si për shumë dëshmorë e martir të tjerë. Gjaku i tyre nuk humbet kurrë, emri i tyre nuk harrohet kurrë, ne kthehemi në Prekaz për të kuptuar nga vijmë e për të ditur se nga duhet të shkojmë”, ka thënë Kurti./GazetaExpress/