MENU
klinika

Shkurtohet në 153 kandidatë lista e PD-së

Kolegji Zgjedhor rrëzon KAS-in dhe pranon padinë e PS

29.03.2021 - 13:09

Kolegji Zgjedhor ka pranuar padinë e Partisë Socialiste kundër listave të Partisë Demokratike-Aleanca për Ndryshim në zgjedhjet e 25 prillit.

Pas vendimit të marrë sot PD do ta reduktojë në 153 kandidatë, listën shumëemërore prej 222 garuesish në zgjedhje.

Selia rozë kishte kontestuar vendimin e marrë më herët nga Komisioni i Ankimimeve dhe Ankesave, që i dha të drejtë PD-së në kërkesën e saj për ruajtjen e listës me 222 kandidatë.

11:37 Nis seanca/ Kolegji Zgjedhor shqyrton padinë e PS-së, selia rozë kërkon shkurtimin e listave të PD-së për zgjedhjet e 25 prillit

Kolegji Zgjedhor ka nisur shqyrtimin e padisë së Partisë Socialiste lidhur me listat e paraqitura nga Partia Demokratike- Aleanca për Ndryshim, për zgjedhjet e 25 prillit.

Sjellim në vëmendje që selia rozë paditi në Kolegjin Zgjedhor vendimin e KAS për lejimin e listës me 222 kandidatë për deputetë të Partisë Demokratike.

Ankimimi erdhi pasi Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve mbështeti kërkesën e PD-së, e cila kundërshtonte vendimin e komisionerit shtetëror të zgjedhjeve që reduktoi listën e kandidatëve për deputetë nga 222 të propozuar, në 153.

Në seancën e mbajtur sot përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste në KQZ, Eridian Salianji u shpreh se kandidimi me shumë kandidatë prish sistemin. Po ashtu ai u shpreh se numri i lartë i kandidatëve do të ndikonte në fletën e votimit, konfigurimi i së cilës duhet të jetë i qartë.

“Koalicioni i PD ka sjellë 222 emra. KQZ i pranoi 153 emra, me vendim të Komisionerit Celibashi. KAS pranoi kërkesën e PD për të regjistruar të gjithë kandidatët. Ne e kundërshtojmë. Palët nuk kanë mundësi të barabartë. Kjo sjell probleme me fletën e votimit por edhe me votën parapëlqyese. Fleta e votimit do të ngarkohet dhe do të bëhet e vështirë të kalohet herësi nga ata që janë në pjesën e poshtme të listës. PD e ka taktikë elektorale të mos thyet renditja nga asnjë”, ka thënë Salianji.

Ndërsa përfaqësuesi i PD Ivi Kaso u shpreh: “Koalicioni i PD paraqiti listat referuar legjislacionit. Kemi respektuar të gjitha aspektet proceduriale. Paraqitëm listë me 222 kandidatura, në përputhje me numrin minimal të parashikuar në ligj, si edhe të plotpjesëtueshëm me tre. Numrin e kandidaturave të paraqitura prej nesh nuk e shohim si problematike për fletën e votimit. Limiti i sipërm i kandidaturave është çështje vetëpërmbajtjeje dhe vetëpërgjegjshmërie.”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN