Kreu i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi deklaroi se me fletën e re të votimit me numra, kompania sllovene ka garantuar përmbylljen në kohë të printimit dhe transportit.
CETIS i dërgoi një letër KQZ-së ku shprehej se për shkak të vështirësive teknike nuk mund të përgatiteshin fletët e votimit brenda 10 ditëve. Megjithatë ky problem duket i tejkaluar me fletën e re të votimit me numra, e cila ka dimensione më të vogla dhe nuk paraqet probleme në raport me kohën dhe transportin.
“Kemi komunikuar herët në mëngjes me përfaqësues të kompanisë sllovene, dhe në këtë format sikurse është fleta e votimit tani ata mund tu qëndrojnë afateve për printimin dhe sjelljen e fletëve të votimit në KQZ. Procesi në pikëpamje të printimit dhe transportit është më i thjeshtë, sepse është me dimensione më të vogla, kështu që nuk kemi asnjë problem me printimin dhe transportin. Fleta e votimit do të jetë në dimension të njëjtë në të gjitha qarqet. Në katër qarqe janë katër kandidatë të pavarur”, tha Celibashi.
Kreu i KQZ-së theksoi se vonesa e procesit nuk do të shtojë kostot e printimit dhe transportit të fletëve të votimit.
“Kemi mirëkuptimin e kompanisë, edhe pse ne jemi shumë vonë, ata brenda të njëjtave termave financiarë do ti përmbushin detyrimet për të printuar dhe transportuar fletët e votimit. Nuk do kemi probleme qoftë me kostot, qoftë me integritetin e votimit”, shtoi ai.