06.04.2021 - 18:42
Mrekullitë e risimeve teknologjike nuk i kanë jep përgjigje sigurisë së informacionit virtual. Nji disketë e para 20 vjete, mundet me pas informacione edhe për sekrete bërthamore, por ajo âsht e palexueshme nga teknologjia e re që përtërihet e përtërihet si thojtë e premë.
Tu mejtue mbi këtë makth ekzistencial, Umberto Eco thotë se veç libri e format e tjera print kanë provue që i rezistojnë kohës relativisht mirë. Po i bjen që kohëhumbja jonë kolektive në Facebook me nji batare statusash – përfshi edhe ky i jemi – âsht e shortume prej fatit me u zhdukë pa lanë as edhe nji të vetmen gjurmë.
Gjithë ajo kohë që kam kalue napër forume online – para se rrjetet sociale me qenë kryefjalë – do të konstituonte nja dy-tri volume të bashme librash. Platforma si “forumishqiptar”, “diskutime”, “arbëriaonline”, “theapricity”, “historum”, “eupedia”, etj, buisnin me tema me nga njiqind-dyqind faqe me komente, prurje e informacion që në fund me denduninë e vet e mbyste vetën. Sot janë invalide dhe të humbuna në abysin e virtuales.
Për krejt këtë vramendje më ngacmoi nji emigrante e Tepelenës në Athinë që si kallukanxhë e mitologjisë tonë të del midis Prishtine. Nji dreq e di qysh endet me dokumente false, a hin në motor të autobusit a në rezervar të naftës, por shoqja hakërrehej se statuset po ia kopjonin, se gjithçka që kish shkrue rastiste me e pa mes rreshtash në statusin e tjetrit e tjetrit, se “idetë” e saj për botën, ekonominë e ideologjinë po i kopjoheshin, me nji fjalë skëterrë e njimendët për MILF-in e pafat që nuk po i “patentonte” dokrrat.
Nji botë halle-halle me preokupime bubrrecash