Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në qytetin e Përmetit, ku i shoqëruar nga kandidatja e PS në këtë vend, Mirela Kumbaro, ai inspektoi në këmbën disa nga projektet e këtij vendi, që janë në kantier ndërtimi.
Rama e nisi inspektimin nga qendra shëndetësore e vaksinimit masiv, ku përshëndeti të moshuarit, për të vijuar më tej me ujësjellësin e Përmetit, e deri te kinemaja.
Pjesë nga diskutimet:
Rama: Me shëndet, e bëre? Mos luani nga vendi, uluni. Pak bereqet sot, bëni dhe vaksinën dhe jemi në rregull.
Kumbaro: Kemi një interes shumë të madh nga ana e bizneseve, pasi janë përgatitur të gjithë për të ndjekur projektin e bërë në Gjirokastër e vende të tjera të Rilindjes Urbane. Përmetarët i bëjnë gjërat avash, por mirë. E kemi zgjidhur përfundimisht problemin me ujë të pijshëm në qytet. Kemi gati edhe 10 projekte të tjera.
Rama: Këtu jemi në një realitet tjetër, që uji është 24 orë dhe po shtrihet në gjithë pjesën me banim intensiv dhe brenda vitit të ardhshëm edhe këtu qendra urbane, plus zonat e ish-komunave me intensitet popullsie, do të kenë 24 orë ujë, sepse kantieret janë në punë.
Kumbaro: Për 29 vite ishte pa ujë dhe qëllonte edhe një javë të tërë të ishte pa ujë. Tani është një realitet që e prekin përmetarët furnizimin 24 orë me ujë. Tani po shkojmë te kinemaja, një projekt i qeverisë shqiptare në bashkëpunim me Italinë. Kjo kinema do të jetë edhe për fëmijët. Përmetit i ka munguar për vite të tëra një ambient i tillë.