Për një admirues të Jorge Luis Borgesit, shkrimtarit dhe poetit të madh argjentinas, ikonë e letërsisë së shekullit të 20-të, të shëtisë në universin intim, të bisedojë me vejushën e tij, Maria Kodama, është si të kridhesh sërish në hovin e veprës së admiruar. /Konica.al
Në një fotografi, Jorge Luis Borges përkëdhel devenë, që duket sikur i hungërin kamerës: njërën dorë e shtrëngon pas krahut të udhërrëfyesit egjiptian, veshur me një xhaketë gri, kravatë, flokët e thinjura shprishur nga era. Mbi deve qëndron Maria Kodama; ajo është pak më shumë se dyzet vjeçe, Borgesi është thuajse edhe një herë sa mosha e saj – ajo e veshur në ngjyrë rozë, krahët elegantë të zhveshur dhe, në të vërtetë, ndaluar në imazhin mes dy piramidave, ngjason si hyjneshë…
Libri i Maria Kodamas “Atlas”, botuar në 1984, është i fundit në bibliografinë narrative të Borgesit, ndoshta, me dashakeqësi, më i shpërfilluri. Borgesi do të vdiste dy vjet më vonë. Në albumin me ndriçime endacake, ose fotografi të shkruara, Borgesi kujton Egjiptin. “Rreth tre ose katërqind metra larg piramidës, u përkula, mora një grusht rërë, e hodha në heshtje pak më tej dhe thashë zëulët: “Unë po modifikoj Saharanë”. Një fakt i vogël, por fjalët jo shumë të zgjedhura ishin të sakta dhe mendova se më ishte dashur gjithë jeta që të isha në gjendje t’i thoja. Kujtimi i atij momenti është një nga më të rëndësishmit e qëndrimit tim në Egjipt”. Mirëpo, në këtë rast, duhet të pyesim veten se deri në cilën folje, deri në cilën copëz fraze e modifikoi Kodama, Borgesin. Që Borges është një Sahara, historitë e tij shkërmoqen pasi i lexuan, është një fakt: Saharaja ngërthen gjithçka, shpërbën gjithçka, gjithçka barazohet. Borgesi deklaron, se “Atlas” është shkruar nën frymëzimin, më saktë nën magjinë e Kodamës. “Bashkë me Maria Kodamën ndamë të gëzuar dhe të mahnitur zbulimin e tingujve, gjuhëve, muzgut, qyteteve, kopshteve dhe njerëzve që janë përherë të ndryshëm dhe unikë. Këto faqe dëshirojnë të dëshmojnë për këtë aventurë të gjatë, që vazhdon”.[…] /Konica.al
Pas vdekjes së nënës, në 1975, Borges u martua me Maria Kodamën, e cila u shndërrua në bashkëpunëtore, nxënëse, sekretare e tij. Jo rrallëherë Maria Kodama shihej si një stratege, një përfituese, një ndihmëse e thjeshtë, magjistarja që manipuloi Borgesin. Kodama ka fytyrën, qëndrimin, një përçmim diskret, madje edhe mbiemrin e magjistares. Mbase tek ajo, Borgesi pa të mishëruar librin e librave, një lloj Aleph, ku, në historinë eponime shfaqet edhe një tjetër grua enigmatike, Beatriz Viterbo, “e gjatë, e brishtë, disi e epuar”. Kodama, e lindur në Buenos Aires, në vitin 1937, në një libër biografik, shprehet “E.T… kështu më thërrasin miqtë e mi, jashtokësore”. Më tej, thekson: “Jam rritur si japoneze. Pra, jam japoneze. Kështu më ka rritur im atë. Me stilin alla japonez. Me mua, fliste gjithmonë, si me një të rritur. Më bëri të lirë. Të jesh i lirë, do të thotë të marrësh përgjegjësi për atë që dëshiron të bësh, të durosh pasojat, pa i shqetësuar të tjerët”.[…]
Borgesi vdiq më 14 qershor 1986, disa muaj më parë, në prill, ai ishte martuar me Kodamën. Figura e saj lidhet me të, a thua të ishte ëndrra e tij e fundit, të shkruarit ekstrem të dorës. Kodama adhuronte poezitë e Borgesit, madje “në një nga ato poezitë Borges i drejtohet një gruaje, duke i thënë se ai do t’i ofrojë vetminë e tij, mjerimin e tij, etjen e shpirtit të tij”. Ishte koncpeti “etja e shpirtit” që më goditi. Me pak fjalë, është profecia e një dashurie. Vetë Maria Kodama duket si një krijesë e Borgesit, me vështrimin kozmik, me sy të përhumbur. I verbër, ai i diktonte punët e tij, duke ia kushtuar ato të viteve të fundit.
Ajo thotë, se, e zbuloi ligësinë, kur u martua ose fill pas. Jehonat e shtypit, të skandalizuara nga ky bashkim, por që i konsideronte sa befasuese, aq edhe të pashpjegueshme, mbërritën deri në brigjet e liqenit Leman, në Gjenevën e qetë, ku ajo shoqëronte Jorge Luis Borges në javët e fundit të jetës së tij. Gjithçka ndodhi kur ata që e ruanin, përndiqnin, ngacmonin, shpifnin për të, pra, kërkuan të shkatërronin universin intim dhe sublim që ajo kishte ndërtuar për vite me shkrimtarin.
Pavarësisht nëse njerëzit e duan apo jo, – shprehet Maria, – ajo është e veja e Borgesit. I pëlqen apo jo, ajo gjithmonë do të fajësohet për gjithçka që bën. Borgesi ka qenë dhe mbetet shpirti im binjak, pasi ai ishte si Hektori për Andromakën: babai, nëna, vëllezërit e motrat, mbi të gjitha “dashuria që lulëzon”.
Sipas historisë ose legjendës, ishte Borges ai, që, në Gjenevë, i kërkoi të martohej Kodamës. “Nëse doni të zhburrëroni lirinë time, do t’ua lejoj, Borges”, – ia ktheu ajo. “Ju jeni skllave e lirisë”, – i tha Borges. Mandej: “Mendo, Maria, do të jesh Maria Kodama Borges”. “Problemi, Borges, është se unë nuk i përkas askujt”.
Kur ai, i verbër, i kap krahun, duket sikur shfleton një libër, gris një faqe qiellore.
Në të vërtetë, Borgesi ishte person që dëshironte të dominohej, edhe nga fiksimet e përsëritura. Kodama ia arriti më së miri. Megjithatë, siç ndodh rëndom, etja është e dyfishtë dhe preja rezulton të jetë në përgjim, më e egër./Konica.al