MENU
klinika

"Armiq të popullit"

Për veteranin nga Shkodra dhe vrasjen e Adem Boletinit…

14.04.2021 - 12:08

         Lexova në Memorie.al letrën e publikuar nga Dashnor Kaloçi, marrë nga Arkivi Qendror i Shtetit Tiranë, Letra për Ramizin: “Si janë mbledhur në Tiranë familja e Arshi Pipës dhe lidhjet e tyre me fisin Dani, Boletini, Bekteshi, Bushati, Ulqinaku, etj. ” – Denoncimi nga veterani i Luftës. Aty është edhe Kazazi, emri i familjes time. Kërkojeni në internet e lexoni letrën. Prej këtu e kanë publikuar edhe media të tjera.

Unë po shkruaj pak gjatë dhe do ta spjegoj e analizoj pse e ndjeva për detyrë dhe sidomos ta dinë e të thellohen të rijtë dhe më të moshuarit të ju a spjegojnë se çka ka ndodhë në vendin tonë në një të kaluar të afërme e çka ka bërë diktatura me shërbyesit e saj. Letra më kujtoi çka kam provuar unë me të mijët, fisi, shumë miq dhe një pjesë jo e vogël e shqiptarëve. Provohet ku arrin morali komunist, akti kriminal i “luftës klasave” që e ka vazhduar deri në fund diktatura e për më tepër ku arriti e si u bë i quajturi “njeriu i ri”.

Unë e kam thënë e do ta them sa herë të vijë rasti se ajo luftë në kohë paqe ishte krim i tmerrshëm pse masakronte e persekutonte njerëz krejtësisht të pafajshëm si fëmijët, prindët e familjarët e bashkatdhetarëve që i vranë dhe i burgosën pse kishin ide të tjera e donin liri e demokraci. Për këtë u quajtën “armiq të popullit”. Gjithashtu theksoj se edhe ata që e zbatuan atë luftë, kanë marrë pjesë në krim dhe ai që merr pjesë, bëhet kriminel. Kështu e konsideron edhe ligji. Kishin shumë pak pasoja edhe në trajtim familjarët e të dënuarve për vrasje, përdhunime ose vjedhje të quajtur “ordinerë”.

Unë do të jap emrin, pse janë vetëm inicialet B… XH… dhe më duket e drejtë që në çdo rast të shkruhen emrat. Njerëzit duhet të dinë çka ka ndodhë e si kanë vepruar personat. Më vjen keq për trashëgimtarët, se ka për të ju ardhë keq e nuk kanë faj, por s’duhet të harrojnë si jemi trajtuar ne për gati 50 vjet dhe a na kanë menduar dhe a kanë pasë keqardhje për të pafajshmit? Masakruesit tonë nuk u dënuan, por duhen të dihen.

Veterani Bahri Xhabija i ka shkruar letrën Ramiz Alisë me 26 janar 1982, kur kishin kaluar më se 37 vjet e në një farë mënyre qe zbutë lufta e klasave ndaj anës tonë edhe pse diktatori e komunizmi po hante njerëzit e vet. Qe koha mbasi Mehmet Shehu vrau vehten (varianti zyrtar) ose e vranë. Nga “partia nënë” kërkoheshin nga të gjitha organizatat në Shqipëri, informata për veprimtarinë armiqsore, pra çdo gjë që e diskreditonte dhe ai “zbulon” lidhjet me “armiqët” si ne.

Veterani mbas kaq vitesh e në moshë të konsideruar kishte të drejtën e vet me mbetë komunist, por jo fanatik dhe i gatshëm të shkatrrojë jetët e gjithëato familjeve, pra të shumë personave. Ai ka shkruar: “Por edhe pse jam në shtëpi i sëmurë, mëndja më punon dhe lidh shumë gjëra, si e mendoj unë luftën e klasave, ndoshta edhe mund të gaboj, se kaq kuptoj, kaq horizont kam, por dua të ja them Partisë, se kështu na ka mësuar Partia dhe shoku ….”. (e dimë cili shok). Pra ky person donte të inkriminonte njerëz pa faj.

Veterani i’u përgjigj thirrjes së partisë për të gjetë çdo gjë që kishte lidhje me Mehmet Shehun për demaskimin e për të justifikuar dënimin e tij. Çështje për goditjen qe “biografia e keqe” e nuses së djalit. Këto gjëra diheshin mirë, por ai “zbuloi” me shpirtkeqësi lidhje me familjen Pipa edhe familje që kishtin lidhje jo të afërme dhe shton disa që nuk kishin asnjë lidhje. Këtu na rrjeshton edhe ne Kazazët, Boletinët etj.

Ai “denoncon” familjen e Silva Turdiut që qe fejuar me djalin e Mehmet Shehut e lidhjet e tyre me “armiqët e rrezikshëm”. Silva ishte vajzë e mirë në të gjitha drejtimet, inteligjente, volejbolliste shumë e mirë e luante me “Dinamo”-n, pra jo e konsideruar me biografi të keqe, vajza e profesorit universitar të nderuar Qazim Turdiu dhe e Asime Pipa, edhe ajo grua zonjë, por e nxorën se “kishte një faj shumë të madh” dhe duhej ta paguante me gjithë rrethin e saj pse kishte djem xhaje e tezje “armiqtë e popullit”, Prof. Arshi Pipa e Avokat Myzafer Pipa, pra edhe Silva “ishte fajtore”. E paguanin edhe kushurijtë e ky ishte parim i luftës klasave.

Arshiu (1920 -’97), personalitet i kombit tonë si filozof, shkrimtar, kritik letrar, publicist e profesor universitar, mbasi doli nga burgu u arratis e ai arriti në Sh.B.A. Ai mori me vehte të motrën Feime. I vllai Myzaferi (1914-’46) mbrojti me kurajo të burgosurit sidomos intelektualë antikomunistë e prifta. Ai iu kundërvu krye-gjyqtarve e prokurorave injorantë e kriminela, kështu që e arrestuan me 1946 dhe e vranë në hetuesi, mbas torturash të tmerrëshme. Thotë se ka qenë i martuar (por në fakt si të fejuar) me Drita Kosturin e burgosur politike. Drita ka qenë nga komunistet e para, idealiste, e fejuara e Qemal Stafës e pastaj qe lidhë me Myzaferin, bëri 13 vjet burg që nga 1946 e pothuaj e kaloi jetën në internim, deri me 1988.

Shkruan se ka pasë puntore në fabrikën e tullave (ku ka qenë drejtor) motrën e Myzaferit e Arshiut (Nedretin) dhe vajzën e tezes (e të xhajës) Asimen me motrën (duhet të ketë qenë Gjylteri). Ato vajza të reja, me intelekt punonin puntore krahu që ishte shumë e rëndë edhe për burrat. Aty ka pasë punuar disa kohë edhe nëna ime. Ndërsa kur unë mbarova gjimnazin, nuk më jepnin punë as aty e as në ndërtim, por më thonin se më takonte vetëm në fermë. Për vllain e Asimes, Luanin e thotë se ka studiuar ekonomi, (por në fakt inxhinieri elektrike e ka qenë shum i zoti) e më duket se ka punuar në Tiranë e tani në Durrës dhe është martuar me vajzë të familjes Turdiu (në fakt e shoqja nuk ka pasë të bëjë aspak me familjen Turdiu).

Motra e tretë e Asimes ka qenë Gjylteri që ai e ka pasë puntore tek tullat, por në Tiranë punoi puntore dhe bëri inxhenjerinë natën, Me 1961 pati një farë zbutje. Ajo u martua me Dr. Isuf Hysenbegasin që ka pasë bërë burg e ka gëzuar respekt të jashtëzakonshëm e shkoi në Vlorë. Nuk flet për motrën tjetër Fiqretin pse nuk kishte shkak, mbasi i shoqi nuk kishte “biografi të keqe”.

Veterani fillon edhe me brezin tjetër. Ai thotë se nipi i Pipejve, Hans (Hasan) Bekteshi, që është nipi i profesor Selaudin Bekteshi, është i biri i Teofik Bekteshit, i cili në kohën e fashizmit, ka qenë kryetar i fashos në Shkodër. Do të sqaroj menjëherë shpifjen për dajën tim Teofikun, pse e dimë mirë dhe kemi dokumente. Nuk duam t’i heqim, por as t’i shtohet gjë. Ai mbas kolegjit Saverian në Shkodër, kryen Akademinë Tregtare në Grac e Vjenë, e mbaron fakultetin e Shkencave Ekonomike në Strasburg, Francë me 1928. Dinte mirë gjermanisht e frengjisht dhe fliste italisht e serbo-kroatisht. Shkruante në revistën “Djalëria”.

Me 1929 –‘35 zgjidhet antar i Këshillit të Bashkisë Shkodër, duke kontribuar aktivisht në jetën ekonomike, kulturore dhe sportive. Qe nga ata që shkuan tek prefekti dhe kërkuan armë për të pritë pushtuesit dhe shpërndau letra kundër pushtimit. U shkrua me vonesë në Partinë Fashiste që të siguronte punë, si edhe shumë komunista. E caktuan fiduçiar, pa rrogë ndante ndihma të varfënve. Me 1940 martohet me Lumnije Pipa, edhe ajo “fajtore” si motra e dytë e Asimes. Me 1942 –’43 u zgjodh Kryetar Bashkije në Elbasan, pse kishte eksperiencë dhe arsimin që duhej. Në qershor 1943 – gusht ’44, si ekonomist, qe antar i Këshillit të shtetit në Tiranë. Po të flitet për këtë, kanë qenë antarë të këtij këshilli qysh tek Presidenti i parë Omer Nishani dhe deputetë e personalitete të komunizmit, e antarët me shumicë deri edhe “zonja e zezë”. Ata nuk patën asnjë pasojë, përkundrazi. Ka qenë marrë me studime ekonomike sidomos në fushën e politikës agrare.

Teofiku ne 1946 qe prej atyre që i dorëzuan një promemorje proteste gjeneralit anglez Hodgson, në emër të opozitës intelektuale shkodrane për të cilën arrestohet e dënohet me 5 vjet burg dhe pas daljes nga burgu përsëri persekutohet dhe internohet 5 vjet në Kuç të Vlorës. Në dosjen e tij nuk kanë dashtë ta paraqesin këtë akuzë. E kanë akuzuar se ka ditë për Kryengritjen e Postribës, por nuk është e vërtetë. Ka pasë burrë motre babain tim Jup Kazazin dhe kjo nuk ka qenë pak. Ka pranuar se nuk i ka pëlqyer komunizmi dhe as demokracia angleze, ku vendos Dhoma e Lordëve, pra jo populli dhe se i pëlqente ajo franceze. Disa fletë kanë anash emër e mbiemër të shkruar prej tij dhe i njohim shkrimin, por firma duket qartë se nuk është e tija. Këtë e thotë të sigurtë djali tij Hansi dhe unë.

Kjo është shumë domethënëse e provë se proçes-verbalet e hetuesive, por edhe të gjyqeve janë firmosë nga vetë hetuesit ose mbas torturash e në gjendje shoku. Kjo dihet dhe e kanë deklaruar shumë të dënuar. Hetuesit e shefat e tyre, shokët e veteranit e kanë torturuar shumë Teofikun, e kanë goditë edhe me hekur në kokë, i kanë pasë thyer kafkën, për fat pa i dëmtuar trurin dhe i ka pasë mbetë si kanal në kafkë. Mbasi kishte universitet austriak e francez, ishte “i përshtatshëm për të punuar puntor ndërtimi e për t’u bërë hekurkthyes i zoti”. Ai vdiq 60 vjeç me 1965, pra i shkurtuan jetën.

Po kaloj ku e lashë, tek Hasani (Hansi) pse veterani don ta shkatërrojë edhe atë. Ai denoncon se ka mbaruar Inxhenjeri dhe ka punuar në kampet e armiqëve të partisë e popullit, e se nuk nuk kemi pasë njeri tjetër? Hansin, nxënës e student i shkëlqyer, prej biografisë e emruan në Bulqizë. Atje kishte të burgosur që punonin në minierë por nuk kishte të bënte me ta dhe a kishte vend më të izoluar e të largët? Pra, qe në kulm “vigjilent”. Hasanin e thirrnin shkurtimisht Hans, prej kirurgut të njohur austriak Hans Epinger, që i operoi Lumnijes gurët në tamth, ku ishte shtatzënë.

Ai informon se në rrethin e pipejve përfshihet edhe Sheuki Dibra mjek në Sh.B.A. (pra faj) me vlla Dr. Ibrahim Dibra (gabon emrin e shkruan Bashkim), dentist, mbaruar në Austri e nuk e din se ka qenë drejtor i Klinikës dentare Nr.2 në Tiranë dhe i vllai Xhabiri, dentist në Shkodër. Dr. Ibrahimi kishte grua Ikbalen, motrën e madhe të Asimes. Si rrjedhim duhej ta paguanin edhe ata.

Veterani fanatik e keqbërës, kapet e gjen lidhjen me rrethin e Prof. Selaudin Bekteshit, ku bëj pjesë edhe unë, mbasi gruaja e vllait e dajës tim, Teofikut, ishte Lumnije Pipa. Ai thotë se prof. Bekteshi ka meritat e veta e duhet trajtuar siç është trajtuar, por nuk e quan të drejtë që nën hijen e tij të ndodhen në Tiranë të gjitha motrat e tij: gruaja e Jup Kazazit (Nëna ime), gruaja e Maliq Bushatit, gruaja e Qazim Ulqinakut (tregtar i madh në Shkodër) dhe gruaja e Adem Boletinit, i cili është vra në atentatin kundër major Ndrecës në Shkodër , në kohën e okupacionit, e atentatin e pati udhëheqë Vasil Shanto.

Veprën e prof. Bekteshit, humanitetin e guximin e tij, që shpëtoi nipat e mbesën e ka vlerësuar jashtë mase kush e ka njoftë dhe disa komunista, por jo shpirtkëqij e si ky. Krimineli veteran don të qesin nga Tirana nënën me mua e motrën dhe gjithë të tjerët. Dihet se qitja ishte internim. Ai nuk u ngop me të vrarët e të burgosurit që kemi, si pak familje në Shqipëri, por don të hakmerret edhe me ne. A e perceptoni veprimin e tij për gjithçka shkruaj? Motrën e pati marrë daja që të vogël, e mbeti në Tiranë, unë punoja rrugash, nuk kisha pasaportizim, por kisha strehë e zakonisht vija të djelave dhe nëna erdhi vonë.

Pati ardhë heret tezja Adile me djemët Enis e Isa Boletini, deri sa u rregulluan më vehte. Do të spjegoj se në vitin 1956 u bë regjistrimi i popullsisë dhe u bë me “pasaportizimin e famshëm” kush banonte në atë kohë. Mua me Nënën na mbeti në Shkodër. Nuk mund të banoje në vend tjetër pa t’u aprovuar pasaportizimi. Mua ma bënë mbs shumë vitesh e ma hoqën mbas 6 muajsh me 1974 dhe ishte diçka shumë e rëndë.

Flet për Qazim Ulqinakun me tezen Fahrije e fëmijët, pse simbas teorisë së tyre si tregtar ishte armik dhe i “ka pirë gjakun popullit”. Ata nuk ishin në Tiranë, por përveç që e burgosën e ju morën gjithçka e pa pasë asgjë politike, i çuan në fillim në fermën e Llakatundit e pastaj u stabilizuan në Vlorë.

Veterani keqbërës më ka dalë në shteg, siç i thonë, për një ngarje me shumë rëndësi e të pasqaruar mirë deri sot, si krimi i vrasjes Adem Boletinit dhe është rasti që ta zbardh e do të zgjatem pak, por është e nevojëshme. Ai njollos Ademin, djalin e Isa Boletinit, dhe vlerëson vrasjen që i bënë shokët e tij komunistë duke shtrembëruar poshtërsisht të vërtetën. Pra edhe me 1982 ai është i kënaqur për vrasjet që bënin dhe i pangopur pse don të marrë në qafë të shoqen Adilen në pleqëri, me dy djemët me familje (9 vetë).

Ka diçka me shumë vlerë për të vërtetën, që ne e dimë të sigurtë, e kanë thënë dhe ai nuk gabon, pse tregon që atentati u bë me urdhër të Vasil Shantos. Ai denoncon se: “Në Tiranë ishte edhe gruaja e Adem Boletinit, i cili u vra në atentatin kundër major Ndrecës në Shkodër, në kohën e okupacionit, atentatin e pat udhëhequr Vasil Shanto. Në komunikatën që pat dalë për këtë atentat, është vënë edhe emri i Adem Boletini me urdhër të Vasil Shantos. Këtë komunikatë e kam shtypë unë me Arif Gjylin e Gjush Gjonin. Por para disa vjetëve, pat qenë heqë emri i Adem Boletinit nga pllaka në vendin e vrasjes, duke u lënë vetëm emri i major Ndrecës, gjë që nuk është punë e mirë, dhe më është thënë nga disa shokë, se heqja e emrit është bërë me urdhër të Komitetit Qëndror”.

Ai thotë edhe se Ademi ka qenë n/kolonel dhe se partia ju ka ba thirrje (shkruar gabim: i ka bë thirrje) gjatë Luftës N.Çl. – e do ta spjegoj më poshtë.

Në vazhdim është e vërteta

Me 1912 Adem Isa Boletini 16 vjeçar erdhi me të atin me 400 kosovarët në Vlorë për pamvarësinë e Shqipërisë. Shkoi me 1913 me Isain, Ismail Qemalin etj., me delegacionin në Londër dhe është në fotografi. Bëri shkollën e mesme në Vjenë dhe Akademinë Ushtarake në Modena, Itali. Si akademist e patën mobilizuar e luftoi si oficer i ushtrisë italiane, kundër Austro-Hungarisë. Ai qe komandanti i vërtetë i luftimeve të “Lëvizjes Qershorit” 1924 kundër Zogut në Shkodër. Rexhep Shala qe komandanti i tij, por Ademi udhëhoqi direkt luftimet.

Megjithse ishte me opozitën dhe pati ikë në Boletin, Zogu e fali dhe i dha gradën major e pastaj n/kolonel, si edhe të tjerëve. Qe komandant i Shkollës Oficerave dhe i Garnizonit Tiranës. Kur zbarkuan italianët, ai me trupat që kishte, arritën deri në Vorë, por ishte vonë. Në prill 1939 gazeta e rëndësishme angleze “Times” publikoi deklaratën e tij kundër pushtimit italian. Në fillim e internuan pak kohë, por pastaj i dhanë gradën që kishte në ushtri, si pothuaj të gjithë oficerave dhe nuk ka pasë rol me rëndësi.

Gjatë pushtimit nuk ka pasë funksione më shumë se jo pak funksionarë të komunizmit. Ai donte të organizonte një forcë ushtarake për mbrojtjen e kufijve veriorë etnikë të vendit tonë nga sllavët. Nuk qe i afruar politikisht as me “Ballin” e as me “Legalitetin”. Ademit i kanë pasë kërkuar komunistat që të bëhej komandant i Ushtisë Nacionalçlirimtare para Spiro Moisiut, e nuk pranoi. Mjaftonte kjo që të mos ja falnin. Spiro Moisiu ka pasë folë shumë mirë e me rrespekt për Ademin si ish kolegë, edhe me Enisin. Këtë, me sa di unë, e din edhe i biri, ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu e nuk besoj se e mohon.

Atentati, e vërteta dhe shpifjet e veteranit: Komunistët, pra qarkori i Shkodrës, i kishin përgatitë atentat majorit të Xhandarmërisë Ndrec Prenga. Atentati ka qenë i organizuar e drejtuar nga Vasil Shanto me 3 nëntor 1943, këtë e vërteton Bahri Xhabija. E dimë mirë se do të bëhej vetëm kundër majorit duke kaluar një kamjon prej të cilit do të shtinin. Vasili ishte i Komitetit Qëndror e kryesor, kurse të Qarkorit të Shkodrës si Arif Gjyli, Zija Dibra, dr. Jorgji Karamitri e Nikolla Fanku, ishin për atentatin por kanë qenë poshtë tij.

Pak më parë, Ademit i kishte ardhë në shtëpi një shkodran, që kishte kamjon të vogël, punonte e jetonte me të dhe ja kishin bllokuar për shkelje të rregullit. Ai i kërkoi t’i lutej major Ndrecës që të ja lironin, pse me atë jetonte dhe i thotë se afërsisht mbas një ore, kalonte majori në pjacë (bulevardin) në qendër. Ai del nga shtëpia, e sheh që po kalonte pikërisht para “Kafes Madhe” me dhe e takon. Mbas pak kohe kalojnë me kamjonin, shtijnë dhe i vrasin të dy.

Si shofer ka qenë Asllan Lici dhe ka shti, me sa dimë, Sejdi Miloti. Është ai, në qoftë se ka qenë zv/shef i Sigurimit në Fier, vrau në zyrë shefin e vet për xhelozi dhe vrau vehten ose e vranë dhe e patën varrosë me karrocën e plehrave. Kanë shkruar se në grupin e atentatorëve, kanë qenë edhe Reshit Rusi e Avdo Dervishi dhe ishin në makinë kur gjuajtën. Ne nuk i dimë dy emrat, nuk e kanë thënë e nuk është logjike të ishin katër vetë në kabinë të vogël, por kanë qenë dy persona të grupit me biçikleta që shkonin e vinin e komunikonin me Vasil Shanton.

Ata i kanë shkuar dy herë e thënë Vasilit se është ndaluar e po flet me Adem Boletinin, pse nuk donin të vritnin edhe atë. Vasili dha urdhërin që të shtinin. E nuk është e vërtetë e fantazi, siç kanë shkruar, se Vasili ka qenë mbrendë në Kafe i veshur si prift, e as se atentati është bërë mbrenda Kafes. Edhe kjo është jashtë logjikës dhe e dimë mirë se Vasili nuk ka qenë aty. Ai ka drejtuar nga larg e nuk i shihte. Qe rastësi që Ademi doli e takoi majorin.

Do të thonë se po flas kundër “Heroit të popullit”. Nuk është ashtu, pse po tregoj e spjegoj të vërtetën. Vasil Shanto (Shantoviç, kur kanë ardhë në Shkodër), ishte filosllav, antar i Komitetit Qendror dhe qe personi që komunikonte e sillte direktiva e urdhëra prej tyre. Ai qe i gatshëm të vriste një antisllav të një familje me shumë të vrarë prej sllavëve që me Isain e parë e djemët. E gjykoj dhe është folë se po të kishte mbetë gjallë, mbas prishjes me Titon me 1948, ai me siguri nuk do të ishte dakord e do ta paguante me jetë si “armik i partisë”. Ashtu e pagoi edhe i kunati, kolonel i Ministrisë sw Brendëshme, Petro Bullati (ish- Bullatoviç).

Bahri Xhabija gënjen për komunikatën e komunistëve mbas atentatit dhe Vasil Shanto nuk e ka pasë vënë emrin e Ademit. Përkundrazi, patën qitë trakt e kërkonin falje për vrasjen e tij. Gjithashtu kanë pasë çuar kurorë në varrim. Atëherë dhe vonë e kanë thënë komunistë të vjetër, një nga ata Arif Gjyli, ish-kryesor i Qarkorit, që i ka pasë thënë Prof. Bekteshit, se: kanë qenë krejtësisht kundër asaj vrasje, nuk kishin gjë me Ademin e ky akt ju ka pasë prishë jashtëzakonisht punë në opinion.

Edhe për pllakën që vunë në Shkodër për atentatin, veterani gënjen me të keq. Ne e dimë dhe Arifi i tha me keqardhje se e bëri Rrustem Sykja, kur u bë kryetar i veteranëve dhe se donte të fitonte pikë me këto mënyra fanatizmi, pse nuk ka qenë as veteran e se gjatë pushtimit i patën kërkuar të bënin një mbledhje në shtëpinë e tij dhe nuk pranoi i friksuar. Merreni me mend sa kishte luftuar! E dimë të sigurtë dhe i ka pasë thënë edhe Dr. Sitki Bushati, e të tjerë edhe Enisit e Isait.

Pllaka për atentatin afër “Kafes Madhe” ka pasë vetëm emrin e major Ndrecës dhe “të një oficeri të fashizmit”, por në Shkodër e dinin për kë flitej. Atëherë daja i jonë, Selaudin Bekteshi, bashkë me Enis e Isa Boletinin shkuan tek halla e tyre Ajetja, në Kavajë dhe ajo i shkroi letër Enver Hoxhës për të cilën u interesua që të ja jepnin sekretarit. Ai, “i madhi”, thirri urgjent Foto Çamin, sekretar i parë në Shkodër, i foli se si mund të ndodhëte kjo për Ademin, djalin e Isa Boletinit dhe me urdhër e hoqnën menjëherë pllakën që atë darkë. Veterani e dinte se me urdhër të Komitetit Qendror të PPSH-së, por nuk dinte se qe nga i madhi fare. Kjo pllakë solli një të mirë për Enis e Isa Boletinin, pse me këtë rast u dha porosi dhe u zbardh biografia e tyre përfundimisht.

Veteranit Bahri Xhabija nuk i mjaftoi vrasja, por e ka edhe me të shoqen e Ademit, Adilen e me djemët. E kam thënë edhe më nalt që denoncon se është motër e profesor Bekteshit e “ka qenë kryetare e grave fashiste dhe ka zhvilluar aktivitete me disa gra të tjera” dhe se djali i saj e Ademit, Dr. Enis Boletini “na delka jashtë shtetit”. Më së pari, ai trillon për Adilen të cilën e nxjerr deri aktiviste. Ajo bëri 5 vjet burg kryesisht pse shante vazhdimisht komunistat, se ‘po vrasin njerëzit më të mirë të vendit tonë’ dhe është e vërteta.

Kjo nuk i del, pse pati akuza të tjera. Kurse Dr. Enisit, kapacitet në profilin e tij të Mjeksisë dhe e ftonin në kongrese, i qe sqaruar biografia dhe deri sa delte jashtë shtetit, e kishte aprovuar edhe Ministria e Brendshme, por ai donte të tregohej më vigjilent se të gjithë. Veterani shkruan edhe për Bajazit Boletinin, vllai i Ademit, se ka qenë oficer madhor i Xhafer Devës dhe se ka ardhë për të shtypë Luftën Nacionalçlirimtare. Bajaziti, oficer akademist ka qenë si oficerat tjerë në Ushtrinë Shqiptare në Kosovë. Kanë ardhë kosovarë të tjerë në Shkodër e jo ai. Ka qenë antisllav e antikomunist pse ka dashtë Kosovën me Shqipërinë, siç janë përpjekë Boletinët dhe mbylli jetën në emigrim.

Në Shkodër erdhi Myslim Bajgora me kosovarë dhe bënë edhe ndonjë raprezalje për vrasjen e Ademit e patën deklaruar, por nuk kam të dhëna. Unë di të sigurtë se babai im, Jupi, pati thënë se: ‘meriton të vritej Vasili’, e mund të caktonte njeri, por e la dhe tha: “Ne nuk jemi për vllavrasje e nuk jemi vrasës si ata”. Ndokush ka thënë se vrasjet e 4 shkurtit i bënë për vrasjen e Ademit. Nuk është aspak e vërtetë, e kishin kaluar 3 muaj. Ato vrasje që i kanë shumëfishuar u bënë pse morën vesht për organizimin e një atentati Xhafer Devës dhe vranë nipin e tij.

Unë shkruaj i bindur për të vërtetën pse Enis e Isa Boletinin i kam pasë si vllezër të mëdhej e kemi kaluar bashkë vite të tëra e vështirsi të jetës dhe i kemi ditë gjërat të jetuara me familjarë dhe nga rrethi i jonë e miqtë. Kemi të thëna edhe të komunistave.

Po vazhdoj përsëri simbas renditjes së veteranit “besnik i partisë”.

Ai thotë pa asnjë arsye e pa pasë lidhje se baballarët e Asimes me 3 motra e vlla dhe të Arshiut me 3 motra e vlla, njeri farmacist e tjetri avokat, janë me origjinë nga Gjirokastra, si Xhevat Selfo, që ka grua vajzën e Dan Hasanit. (Xhevati, vlla i Syrja Selfos që e kanë pasë kushri diktatorin dhe e ka pasë mbajtë në shtëpi të vet, i ka dhënë pare dhe i pati hapë librarinë Flora, e magjithatë e pushkatoi).

Ai nxjerr Danët kot, e pa pasë lidhje me familjen Pipa, e nuk kuptoj se ku e ka pasë inatin me ta e pse ka dashtë t’i ngatrrojë në këtë çështje. Gruaja e Xhevat Selfos, Fetija, ka pasë vllezër ekonomistin Qemal Dani që shkoi në Kanada, e mjekun Dr. Hasan Dani me rezidencë në Montekarlo, Austri e Sh.B.A. Ata patën mbaruar studimet në Austri e nuk u kthyen në Shqipëri, pra emigranta ekonomikë, ndërsa veterani i konsideron armiq. Vllain e vogël, Xhelalin, e patën dënuar 9 vjet për “agjitacion e propagandë” pa asnjë faj, vetëm pse i çonin vllezërit, jetonte më mirë se shumica e doli me 1987. Vllain e madh të tyre Xhevatin, veterani e ka harruar. Ai ekonomist e studiuar në Austri, ka pasë bërë rreth10 vjet burg kryesisht si nip i Riza Danit.

Futë me familjen Pipa deri Daut Hasin, i arratisur në Sh.B.A. por i kthyer rregullisht e i pranuar në Shqipëri mbas mjaft vitesh, pse vllain e tij nga baba, Pipejt, e kishin djalë tezje! Ai nuk ka pasë gjë politike. Edhe me këtë rast, “zbuloi” diçka të re.

Sikur letrën të ja çonin Sigurimit për zbatim, do t’u internonin shumë famijle, pra do t’u merrnin në qafë dhjetra e dhjetra njerëz të pafajshëm që do të përfundonin në fshatrat e Myzeqesë ku përveç izolimit, do t’u masakronin nga puna e rëndë në fushë e në barakat e këqija. Po të vegjlit si do t’u rritshin? Si opinion për “veteranin” Bahri Xhabija, më thanë të njohur në Shkodër, se ka qenë komunist fanatik, i gatshëm për të ju bërë keq atyre që vazhdonte t’i quante armiq dhe se ishe i tmerrshëm për të shkruar letra, sa edhe komunistat ja kishin frikën. Për këtë nuk kam prova, pra mbetet me rezervë.

Lexues të nderuar, mendoni me qetësi, thellojuni e gjykoni vetë.