MENU
klinika

Letra për Hysni Kapon

“Jo më me Enverin, i duhet vënë fshesa gjithë Byrosë”

20.04.2021 - 12:45

         Publikohen disa dokumente nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku ndodhet një raport-informacion të Sigurimit të Shtetit me siglën “Tepër sekret”, që mban datën 3.12.1957, që i dërgohet Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe personalisht Hysni Kapos, ku jepen të dhënë të detajuara nga përgjimet që i janë bërë asokohe, Tuk Jakovës, ish-sekretarit të Komitetit Qendror të PKSH-së, deputetit të Kuvendit Popullor dhe zëvëndës- kryeministrit të qeverisë shqiptare të kryesuar nga gjeneral-kolonel Enver Hoxha, i cili që nga prilli i viti 1955 kur u shkarkua nga të gjitha funksionet partiake dhe shtetërore, ndodhej i internuar familjarisht në qytetin e Beratit duke punuar si marangoz. Në ato dokumente, përveç përgjimeve dhe pseudonimeve të bashkëpunëtorëve si: “Luarasi”, “Filantropi”, “Vigjilenca”, “Nuredini”, “Besniku”, të cilët kanë raportuar rreth atyre bisedave dhe akuzave që Tuk Jakova bënte për Enver Hoxhën, Mehmet Shehun etj., nga udhëheqja e lartë, jepen edhe përgjimet që i janë bërë Bedri Spahiut, Hulusi Spahiut, etj., si dhe raporti mjeksor i vdekjes së Tuk Jakovës në Spitalin e Burgut të Tiranës më 26 gusht të vitit 1959, të cilin e kanë nënshkruar tre prej mjekëve më të njohur të asaj kohe, si Dr. Xhavit Gjata, Dr. Fejzi Hoxha dhe Dr. Petro Cani.

“Tuk Jakova, përpunohet nga Dega e Punëve të Brendshme Berat, i kategorizuar në 2/A më 13/VIII/1955, si element që është ngritur kundër Partisë për revizionimin e vijës së saj. Në drejtim të tij kanë dhënë B.P. “Luarasi”, “Filantropi”, “Vigjilenca”, “Nuredini”, “Besniku”. Gjatë përpunimit që i është bërë Tukut, ka dalë se ai zhvillon aktivitet kundër Partisë dhe udhëheqjes së saj. Pretendon se është goditur padrejtësisht gjëndjen ekonomike të vendit tonë, e paraqet të vështirë, me shumë mungesa, dhe papunësi. Ka folur mirë për elementin anti-parti të Konferencës së Tiranës dhe e ka konsideruar këtë ngjarje nga e cila udhëheqja jonë, duhet të përfitonte për ndreqjen e gabimeve të Partisë”.

Kështu thuhet në mes të tjerash në një raport-informacion të Sigurimit të Shtetit me siglën “Tepër sekret”, që mban datën 3/12.1957, e cila i dërgohet Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe personalisht Hysni Kapos, ku jepen të dhënë të detajuara nga përgjimet që i janë bërë asokohe, Tuk Jakovës, ish-sekretarit të Komitetit Qëndror të PKSH-së, deputetit të Kuvendit Popullor dhe zëvëndëskryeministrit të qeverisë shqiptare të kryesuar nga gjeneral-kolonel Enver Hoxha, i cili që nga viti 1955, kur u shkarkua nga të gjitha funksionet partiake dhe shtetërore, ndodhej i internuar familjarisht në qytetin e Beratit duke punuar si marangoz.

Po kështu në këtë dokument, përveç përgjimeve dhe pseudonimeve të bashkëpunëtorëve si: “Luarasi”, “Filantropi”, “Vigjilenca”, “Nuredini”, “Besniku”, jepen edhe përgjimet që i janë bërë edhe Bedri Spahiut, Hulusi Spahiut, etj., si dhe raporti mjeksor i vdekjes së Tuk Jakovës në Spitalin e Burgut të Tiranës më 26 gusht të vitit 1959, të cilin e kanë nënshkruar tre prej mjekëve më të njohur të asaj kohe, si Dr. Xhavit Gjata, Dr. Fejzi Hoxha dhe Dr. Petro Cani. Për më shumë rreth këtyre dhe mjaft fakteve dhe ngjarjeve të tjera që lidhen me Tuk Jakovën dhe Bedri Spahiun, na njeh dokumenti në fjalë që bëhet publike për herë të parë nga Memorie.al

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË TEPËR SEKRET

MINISTRIJA E P. TË BRËNDSHME

DREJTORIJA E SIGURIMIT TË SHTETIT

Nr. 65 Prot.

Tiranë më 3.12.1957

LËNDA: Mbi disa komente të elementit anti-parti

KOMITETIT QËNDROR TË P.P. SHQIPËRISË

SHOKUT HYSNI KAPO

TIRANË

Këtu poshtë po ju shkruajmë shkrutimisht mbi të dhënat që kemi patur kohët e fundit për disa element anti-parti.

Tuk Jakova dhe Hulusi Spahiu: Në bisedat që kanë bërë kohët e fundit me një burimin tone, si Tuku dhe Hulusiu thonë:

“Enveri nuk ka luftuar, nuk e ka parë luftën, ai ka ndënjur mbyllur, etj. Prapaskena e Beratit, nuk ka qenë asgjë, vetëm e krijuar nga Enver Hoxha. Enveri ka vepruar si i ka dashur qejfi, ai vuri në grindje Koçi Xoxen dhe Liri Gegën për vendin e dytë. Në Berat jugosllavët, nuk ndërhynë, por po të donin ata edhe ndërhynin. Po kështu dhe në Pleniumin e VIII-të nuk ka pasë ndërhyrje nga jugosllavët.

Në Pleniumin e VIII-të, thotë Tuku, doli se në kokën e Partisë sonë, ka pasur një fraksion dhe kjo është e vërtetë, mbasi Shoku Enver dhe Nako Spiru kanë biseduar me njëri tjetrin, por tue parë këtë situatë Enveri, ja la të gjitha Nakos, duke mos i lënë afat të gjatë, u detyrua të vrasë veten dhe kështu i mbulohen Shokut Enver marrdhëniet që ka pasur me Nakon.

Në Kongresin e I-rë të Partisë, vazhdon Tuku, u tha se Enveri ka qenë i izoluar, kjo nuk është e vërtetë, por thuhet për t’i shpëtuar kritikës nga masa e Partisë dhe për të mos bërë autokritikë, po kështu lidhin dhe gjithë veprimtarinë e Koçi Xoxes, por për të gjithë fajet dhe gabimet e Koçi Xoxes ka pasë dijeni dhe Enveri mbasi ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Partisë, prandaj dhe kësaj duhet t’i bëhesh një analizë e thellë, se kjo nuk zën vend sot që ti ngarkosh të gjitha Koçit”.

Duke folur për udhëheqjen e Partisë në tërësi, Tuku thotë, “Me asnjë nga udhëheqja nuk mund të punohet. I duhet vënë fshesa gjithë Byrosë që të rregullohet situata. Nuk mund t’ju falen fajet që kanë bërë. Duhen vënë njëherë të rinjtë në udhëheqje, nuk mund të punosh në asnjë mënyrë me Enver Hoxhën. Udhëheqja e Partisë u korruptua duke u rrethuar me blloqe dhe me të mira. Është krijuar rreth tyre një situatë e rëndë”.

Në lidhje me demokracinë dhe unitetin e Partisë, si Tuku ashtu dhe Hulusiu, thonë “Demokracija në Partinë tonë, nuk është e plotë pasi çdo antari partie, nuk i lejohet të shtrojë ato që mendon, dhe që janë të vërteta. Kështu p.sh. unë, thotë Tuku, ato që i shtrova në Plenium ishin të drejta dhe ashtu i mendoja kurse “ata” karshi meje muarën gjithë ato masa. Janë thyer normat leniniste në Parti. E përjashtojnë Mitën nga Partia sikur e nxjerr çifligari bujkun nga çifliku. Shtypet Konferenca e Tiranës, sepse atje shokët bëjnë pyetje të drejta dhe kundra atyre merren masa deri në internime”. Po kështu shprehet dhe Hulusi Spahiu.

“Edhe uniteti në Parti, thotë Tuku dhe Hulusiu, mungon mbasi në Plenium nuk ka kritika dhe autokritikë mbi të metat sepse kanë frikë që të kritikojnë shokët Enver dhe Mehmet”.

Lidhur me ligjshmërinë socialiste, si Tuku dhe Hulusiu thonë se ka patur dhe ka shkelje se Koçi Xoxe nuk duhej pushkatuar dhe Njazi Islami që vrau veten, por e kanë vrarë “këta”. Për Dali Ndreun dhe Liri Gegën thonë se u pushkatuan pa asnjë faj. Po kështu flasin dhe për masat që janë marrë karshi njerëzve të tjerë të kësaj kategorie dhe se në këtë drejtim ka gabime të rënda e të pafalshme.

Duke bërë fjalë lidhur me marrdhëniet tona me Jugosllavinë, Tuku dhe Hulusiu thonë:

“Marrdhëniet tona me Jugosllavinë pengohen nga Mehmet Shehu dhe Liri Belishova. Këta e akuzojnë Jugosllavinë se atje nuk ndërtohet socializmi dhe janë agjenturë, por koha po tregon se atje po ndërtohet socializmi dhe ata nuk janë agjenturë, prandaj këto marrdhënie duhen ndrequr se kështu e lyp situata”.

Si Tuku dhe Hulusiu parashikojnë ndryshimin e situatës në Shqipëri dhe shqyrtimin e çështjes së tyre. Këtë ndryshim ata e presin me ndërhyrjen e Bashkimit Sovjetik dhe me përmirësimin e marrdhënieve tona me Jugosllavinë.

“Në rast ndryshimi, thotë Tuk Jakova, Enveri prapë do manovrojë. Do thotë se Mehmet Shehu dhe Liri Belishova më kanë penguar të përmirësoj marrdhëniet me Jugosllavinë, prandaj për të shpëtuar veten do i sakrifikojë këta”.

“Enveri, thotë Hulusi Spahiu, do qëndrojë prapë në udhëheqje se e duan sovjetikët dhe populli. Kjo do lejohet se ska sit ë bëhen menjëherë të gjitha ndryshimet. Po të hiqet Mehmet Shehu dhe Liri Belishova, vazhdon Hulusiu, Beqir Balluku do të vihet Kryeministër, mbasi nuk është i përlyer me gabimet e Mehmetit”.

Në lidhje me grupin anti-parti ‘Malenkov, Kaganoviç, Molotov’, Tuk Jakova, thotë: “Edhe tek ne ka dogmatizëm në udhëheqje. Udhëheqja jonë nuk e do të renë. Kërkojnë vazhdimisht të udhëheqin me të vjetrën”.

Duke folur rreth artikullit të Shokut Enver me rastin e 40 vjetorit të Revolucionit të Tetorit, Tuku ka thënë: “E bën artikullin se vjen Zhukovi. Këta (udhëheqja) janë vjetëruar shumë dhe me këtë artikull i vunë një arnë gjithë veprimtarisë suaj të gabuar”.

Duke bërë fjalë për arratisjen e Panajot Plakut, Tuku thotë: “Panajoti bëri mirë që iku, po të mos ikte, dhe ai do vuante si neve, madje edhe më keq. Arratisja e Panajot Plakut i rrezikoi shumë “këta” se ai dinte gjithçka. Panajoti i goditi shumë rëndë, sidomos ndihmën e Bashkimit Sovjetik dhe fitoret ekonomike që reklamonin këta”.

Lidhur me masën e marrë karshi Sejfulla Malëshovës dhe Ymer Dishnicës, Tuku dhe Hulusiu thonë se: “Tue marrë për bazë sesi punojnë shokët e Kinës, shumë çështje që ka shtruar Sejfulla Malëshova po dalin të drejta, ndërsa Partia e jonë akoma, sot mbas 11 vjetësh, i thotë armik dhe shërbëtor i borgjezizë”. Për Ymer Dishnicën, Hulusi Spahiu thotë se: “Vetë i thanë për të vepruar ashtu në Mukje, më pas karshi tij muarën masa dhe sot i thonë armik”.

Tuku dhe Hulusiu, gjëndien ekonomike të vendit tonë e paraqesin të vështirë për arsye të drejtimit të keq nga lart, të forcave të shumta të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe për mungesë kontrolli. Heqjen e plotë të sistemit të triskëtimit e konsiderojnë si një sukses nga ana politike, ndërsa standartin e jetesës ekonomike e konsiderojnë shumë të ulët në krahasim me atë të vitit 1938. Thonë se kolektivizimi i bujqësisë nuk bëhet në baza vullnetare por me forcë, dhe se udhëzimi i Komitetit Qendror në vitin 1949, për kulakët nuk ka qenë i drejtë.

Bedri Spahiu, duke folur Shokun Enver Hoxha, Bedriu, thotë: “Çuditem si i mbeti udhëheqjes e Partisë këtij njeriu. Në luftë nuk ka pasë asnjë burrëri dhe po të mos ishin shokët jugosllavë, PKSH-ja, nuk do figuronte fare”.

Mbrapa skenën e Beratit, Bedriu e quan të turpshme që u konsiderua e tillë. “Atje, thotë Bedriu, kanë qenë shokët jugosllavë që na ndriçuan për formimin e një partie të vërtetë, ndërsa po të ishte për Enverin, do të qe shumë zor të kishim një parti, por do të ishte mirë të mos kishte fare, sesa me një udhëheqje të tillë, që e kanë shpënë popullin në mjerime e fatkeqësi. Mburren me disa vepra që kanë bërë, por nuk thonë të vërtetën se sa gjak dhe sakrifica i është dashur këtij populli, të bëjë këto vepra”.


Në lidhje me Koçi Xoxen, Bedriu thotë: “Koçi Xoxe shkoi viktimë e situatës së qelbur që krijuan rusët. Të ashtuquajturat letrat e ndritura, që ishin më të errtat për partinë tonë, të nënshkruara nga Stalini dhe Molotovi, janë ato që shpunë Partinë tonë në një gjëndje të skandalizuar. Enveri dhe shokët e tij, si të verbër ju nënshtruan Moskës, pa turp shkruan më të këqija për shokun Tito, i cili është një pasqyrë dhe marksist objektiv. Por këta tek ajo pasqyrë panë fytyrën e tyre dhe u vërsulën kundër gjithë atyre shokëve që kishin guxim të flisnin gjysëm fjale për të vërtetën e shokëve jugosllavë”.

Duke bërë fjalë goditjen e tij dhe të Tuk Jakovës, Bedri Spahiu thotë: “Goditem unë dhe Tuk Jakova, se jemi ne ato dy figura me kurajo komunisti, që flasim të vërtetën, siç ja u bëri Tuku për Miladinin dhe Dushanin, që këta shokë jugosllavë janë organizatorët e formimit të Partisë sonë dhe kur Tuku kërkojë që historija të mos e fshehë këtë fakt, Enver Hoxha e Mehmet Shehu, mbetën me shpatulla për muri, ashtu si dhe gjithë të tjerët, por për mua ishte ashtu e vërteta dhe qëndrova si burrat prandaj, sa dola nga mbledhja më arrestuan”.

Në lidhje me Konferencën e Tiranës, Bedriu thotë: “Konferenca e Tiranës është një nga konferencat më guximtare, është që brezat e ardhshmë do të mburren se ajo ju plasi syve të gjitha shpifjet që janë bërë për shokët jugosllavët, u kërkua me këmbëngulje rehabilitimi i Koçi Xoxes dhe shumë padrejtësira të tjera që janë bërë, por do të vijë dita që kjo dritë të dalë në shesh dhe do të dënohen shkaktarët. Jam i kënaqur që shokët jugosllavë i kanë marrë vesh të gjitha këto se ja u ka thënë Panajot Plaku, që duke qenë kundra vijës së shtrembër u arratis.

Nga përpunimet në drejtim të elementit anti-parti, si përpunime kryesore ndiqen, përpunimi i Tuk Jakovës, Bedri Spahiut, Nesti Kerenxhit, Naxhije Duma, Pëllumb Dishnicës, Peço Fidhit, Gjovalin Lukës, Tahir Kadaresë, Hulusi Spahiut, Abedin Shehut, Sejfulla Malëshovës, dhe Dhora Lekës, për të cilët shkurtimisht po flasim si më poshtë:

Tuk Jakova, përpunohet nga Dega e Punëve të Brendshme Berat, i kategorizuar në 2/A më 13/VIII/1955 si element që është ngritur kundër Partisë për revizionimin e vijës së saj. Në drejtim të tij kanë dhënë B.P. “Luarasi”, “Filantropi”, “Vigjilenca”, “Nuredini”, “Besniku”. Gjatë përpunimit që i është bërë Tukut, ka dalë se ai zhvillon aktivitet kundër Partisë dhe udhëheqjes së saj. Pretendon se është goditur padrejtësisht gjëndjen ekonomike të vendit tonë, e paraqet të vështirë, me shumë mungesa, dhe papunësi. Ka folur mirë për elementin anti-parti të Konferencës së Tiranës dhe e ka konsideruar këtë ngjarje nga e cila udhëheqja jonë, duhet të përfitonte për ndreqjen e gabimeve të Partisë.
Ka thënë se udhëheqja e Partisë nuk bëri autokritikë në Kongresin e III-të. Ai, ka shprehur mendimin se gjëndja në vendin tonë do të ndryshojë, me ndërhyrjen e Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë. Ka ndjekur me vëmendje ngjarjet në Hungari dhe Poloni, dhe ka deklaruar se ardhja e Gomulkës në fuqi është fitore e proletariatit. Para internimit, Tuku ka pasur kontakte me Bedri Spahiun, Frano Jakovën, Ymer Dishnicën. Dhora Leka ka lojtur rolin e ndërlidhëses, midis Tukut dhe jugosllavëve nga njëra anë, dhe Tukut e Bedriun nga ana tjetër. Agjentura që është sot në drejtim të tij, nuk gëzon besimin e plotë të tij, Dhe kjo sepse që nga koha e internimit është kufizuar.

Si detyrë në lidhje me Tukun del në rradhë të parë që të përfundohet kombinacioni, për dërgimin e Tukun në shtëpinë ku janë vendosur mjetet teknike dhe pas kësaj të bëjmë kombinacionin për dërgimin e Dhora Lekës në Berat dhe Elbasan tek Bedriu. Përveç kësaj u bë rekrutimi i agjentit “Tomorri” i cili me anë të kombinacionit u transferua në Berat, për përpunimin e Tukut.

Paralel me aktivizimin e këtij përpunimi, duke marrë parasysh dhe faktin se Tuku u është përgjigjur negativisht jugosllavëve me rastin e thirrjes që i bënë këta me anë të agjenturës do të influencojnë mbi të për ta paralizue në këtë drejtim.

RAPORT – MJEKSOR

Komisioni mjeksor i përbërë prej Dr. F. Hoxha, P. Cani, Xh. Gjata, me urdhërin e shokut Ministër të P. Brendshme, mori në shqyrtim kartelën klinike dhe dokumentat e raportet anatomo – patologjike të të vdekurit Tuk Jakova dhe konstatoi sa vijon:

Nga anamnesa e shënuar në kartelë del kjartë se i sëmuri është paraqitur në spitale me një vonesë shumë të madhe, me më tepër se 30 orë nga fillimi i shenjave të para të sëmundjes; kjo vonesë shkaktoi çpimin e apandesitit me shkaktimin e një peritoniti akut.
Diagnosa e vënë nga kirurgu i rojes Dr. Q. Lezho, ka qenë e saktë.
Operacioni i është bërë me një herë simbas rregullave të artit kirurgjikal.
Kurra mbas operacionit ka qenë e drejtë mbasi është bërë penecilinë, streptomicinë, kanfora, kafeinë, etj., por nuk ka qenë e plotë për këto arsye:
Duke marrë parasysh formën e rëndë të sëmundjes (apendesit i ç’puar me peritonit) ishte e nevojshme që të luftohej me të gjithë mjetet që në fillim për të evituar komplikacionet kryesore që ndodhin me këto raste si intosikacioni dhe ileusi paralitik.
Konkretisht qysh ditët e para nuk figurojmë të jenë bërë solucione dezinteksikonjëse si solucion fiziologjik me sasi të mjaftueshme, solucion glukose 5%, tranfuzion gjaku ose plazme. Këto janë bërë veten ditën e fundit kur ka qenë në gjendje tepër të rëndë.

Për komplikacionin e dytë (ileus paralitikus) nuk është luftuar sa duhet dhe me të gjitha mjetet; është mjaftuar vetëm me bërien e një sasie shumë të vogël chleruri hiportanik, pituitrine dhe ndonjë lavazh të stomakut. Me gjithëse vjelljet vazhdonin nuk i është aplikuar sondë duandenale permanente me aspiracim të vazhdueshëm, nuk figuron e shkruar asnjë klizmë me chlerure hipertonik ose me sifon, as një sondë rektale për gazet si dhe bllokada paranefraleme solucion novokaine.

Në kartelë nuk shënohet mbi ushqimin e dhënë, mbi dekursin e temperaturës dhe mbi sasinë e urinës së eliminuar.

Të tërheq vëmendjen fakti se, pacienti me gjithë se ishte në gjendje të rëndë me komplikacion, vazhdonte të vinte vetë në nevojtore siç dokumentohet ne kartelë ku thuhet se në atë pavion janë të dobët organizimi i punës dhe asistenca sanitare e nevojëshme.

Konkluzjon – vdekja, simbas mendimit t’onë është shkaktuar nga këta faktorë:

Ardhja me vonesë në spitale e cila mund të konsiderohet si një nga faktorët kryesorë.
Terapia jo e plotë mbas operacionit ne proporcion me kuadrin e rëndë të sëmundjes.
Asistenca sanitare e dobët.
Mund të konsiderohet si faktor favorizues edhe gjendja thymo- lymphatike (persistenca e gjendrës me sekrecion të brendshëm të thymus-it) të dokumentuar me autopsi, gjë që ul deri në një farë shkalle rezistencën e përgjithshme të organizmit. /Memorie.al
Dr. Xhavit Gjata d.v. Dr. Fejzi Hoxha d.v. Dr. Petro Cani d.v.

Tiranë me, 26/ II/ 1959.

Vërtetohet se është një lloj me origjinalin.

KOLONEL

(FILAT MUÇO)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Letrat e panjohura të Sejfulla Malëshovës nga Lenigradi

“Tajar Zavalani i përktheu instruksionet për komunistët…”

Dosja e 7 gazetarëve, ushtarakëve dhe artistëve

“Dështoi atentati ndaj Enverit në Bllok, vendosën të vrisnin…”


Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen