MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Si kurohet humbja e dëgjimit?

22.04.2021 - 11:22

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Si kurohet humbja e dëgjimit?

Mjeku: Dëgjimi është një nga shqisat tona më të rëndësishme. Gjëja më e rëndësishme në trajtimin e çdo forme të uljes së dëgjimit është diagnoza sa më e hershme dhe ndjekja nga specialistët.

Trajtimi ka për qëllim rehabilitimin e dëgjimit. Vlerësimi i çrregullimeve të dëgjimit në raport me rehabilitimin psiko-social duhet të bazohet jo vetëm në shkallën dhe vendin e humbjes së dëgjimit por edhe në moshën e të sëmurit, zhvillimin fizik, mendor dhe të folurin. Qëllimi i rehabilitimit të dëgjimit është rikuperimi ose përmirësimi i komunikimit i cili është shumë i rëndësishëm për integrimin e pacientit në jetën sociale. Ka disa metoda të ndryshme për rehabilitmin e dëgjimit. Cila prej tyre do të aplikohet varet nga natyra dhe shkalla e humbjes së dëgjimit.

Kështu ulja e dëgjimit e tipit transmetues korrigjohet pas trajtimit të duhur të patologjive të veshit të mesëm dhe të jashtëm ( me medikamente dhe ndërhyrje kirurgjikale).
Trajtimi i uljeve të dëgjimit të menjëhershme përfshijnë vazodilatatoret, steroidet, dhe antihistaminikët, por nuk është përcaktuar përfundimisht se cilat medikamente janë më efikase. Një nga trajtimet më efektive ngelet pushimi dhe largimi i stresit. Në rast se pacienti paraqitet brenda 48 -72 orëve pas humbjes së dëgjimit duhet këshilluar regjimi shtrirë madje edhe hospitalizim dhe sedacion.

Në trajtimin e uljeve të dëgjimit sensorineurale na vijnë në ndihmë
protezimi akustik (aparatet e dëgjimit që bëjnë amplifikimin e tingujve dhe transmetimin e tyre drejt veshit të brendshëm);
Implantimi koklear(është pajisje e cila transformon valët e tingullit në impuls elektrik duke stimuluar drejtpërdrejtë nervin statoakustikus nëpërmjet elektrodave të vendosura në kokle) dhe 3. Edukimi logopedik. Me kënaqësi them që në Shqipëri tashmë është funksional gjithë zinxhiri i trajtimit të humbjes së dëgjimit. Jemi duke punuar në mënyrë të vazhdueshme për të bërë të mundur që ti ofrojmë ndihmë çdo pacienti në nevojë.
Cilat janë disa këshilla si të ruajmë dëgjimin?

Siç theksova dhe më lart gjëja më e rëndësishme është diagnostikimi sa më i hershëm veçanërisht në moshat fëminore.

Mos ekspozimi ndaj zhurmave dhe ngacmimeve akustike të vazhdueshme dhe veçanërisht me intensitete të larta.

Kujdes në përdorimin e antibiotikëve dhe të preparateve ototoksike.

Trajtimi adekuat i patologjive që mund të çojnë në uljen e dëgjimit.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.