MENU
klinika

Petrit Zeneli

Rruga Korçë-Skrapar, firmosur me TAP-in në Qafë..?!

22.04.2021 - 21:09

O ti Qafë e Martës, 2000 m lart, hyjnesha me emër gruaje e trimëri burri, legjendë e gjallë! O ju Vakëfet e shenjta të Korçës, që edhe pas tre dekadash, s’po e shihni dot një ditë të bardhë!

– Pse ti Qafë e malit thirresh Martë?! / Qafë e Martës dreqi i kuq të marrtë! / Ra dhe vdiq nën shkëmb të lartë. / Dhe pastaj e thirrën qafën, Martë! – kështu të këndoi Dritëroi me penë të artë!
O ju Qafë e Martës – Ostrovicë, përjetësisht në simbiozë, se s’ka si të ndash qafën nga trupi, më në fund “ylli ju ndriti”, s’do jeni më jetime, edhe pse Panaritin e Vakëfet i spostuat mënjanë!
Faktikisht, rruga pothuajse është bërë, për pako gjë, dhe ky finalizim, pagëzuar si “Rruga e Karvanëve”, patjetër që përbën gëzim, selitur me asfalt, mbrojtëse metalike e vija të bardha nën këmbët e Ostrovicës, nur do lëshojë andej e këndej teje, Qafë! Siç do e quante publicisti lubonjar, Muharrem Xhaxho, Ostrovica, ky “transoqeanik” i ankoruar me spirancën hedhur tek Çuka e Frëngut, është si një mur i madh ndarës, kufirit Korçë-Skrapar. Majëmprehta gurëbardhë, kjo “akullnajë gjigande”, mund të krahasohet edhe me një qenie mitologjike, me kokë tek Qafa e Martës dhe bishtin tek Qafa e Beçit, në të Sipërmin Opar.
Nuk ka ndonjë legjendë që të dokumentojë saktësisht prejardhjen e emrit të Qafës, por më i besueshëm është varianti i poetit të madh Dritëro Agolli, cituar më sipër, ku “Argjiroja” Martë është hedhur, s’dimë përse, nga ai shkëmb i lartë. Të kaloje Qafën dikur, në kohë dimri e stuhie, do të thoshte të përlesheshe për flokësh me vdekjen. Të gjendesh sot atje në verë, do të thotë se ke “liçencën” të prekësh qiellin me dorë.
Që në kohët ilire aty u është vënë fre ekspeditave shfarosëse pushtuese; në atë pikë trigonometrike, ngulnin flamurin e ndarjes së “tortës” pushtuesit austro-hungarezë, francezë e grekë, në Luftën e Parë. Luftime të ashpra janë zhvilluar me andartët grekë, në 25 korrik 1913, ku shkrepëtiu vetëtimë trimëria e kapedanit Lace Backa dhe luftëtarit Nasi Qafëzezi, rënë për atdhe. Më 23 qershor 1943, mbi bazën e Çetës së Skraparit, u formua aty Batalioni partizan “Riza Cerova”. E për të përjetësuar këto ngjarje historike në Qafë, u ngrit një lapidar.
Në dekada dikur, si fllad përtëritës, çdo fund qershori në fronin e Perëndisë, ulur lëndinave tapet, si në sofra gjigande farkëtohej aty miqësia dhe dashuria mes skraparllinjëve mikëpritës e korçarëve fqinjë. Por…, në tre dekada Qafa e shenjtëruar, në koma ra, dhe befas, kur TAP-i i futi thikën thellë nën brinjë, u ringjall dhe përlotur kërkoi zëra njerëzish, si atëhere kur faqja lindore nga ana e Korçës dhe ajo perëndimore nga Skrapari gumëzhinte si koshere bletësh prej prurjeve që s’rreshtnin së vrapuari drejt “Everestit” Martë! Më këmbë a mbi kuaj, përrenjëve e rripave, aty vije me padurim dhe ikje me betimin për t’u rikthyer përsëri! Aty përqafohej backalliu me panaritasin, grabockalliu me çemerricarin, shtyllaku me potomlliun, korçari me kolonjarin e përmetarin, staraveckalliu me oparakun.
Po përse i thonë “Rruga e Karvaneve”?! Publicisti i mirënjohur nga një tjetër Qafë e Skraparit, Zylyftar Hosha, rrëfen: – Zakonisht, kur të parët tanë shkonin në pazarin e Korçës, rrugën e llogarisnin për katër ditë, dy ditë vajtje e dy ardhje. Ata tregonin itinerarin dhe ne, megjithëse s’kishim kaluar asnjëherë në atë rrugë, nga ato që dëgjonim vazhdimisht, na ishte bërë krejt e njohur. Aq sa në çdo kohë të ditës të na pyesje, e dinim me saktësi se ku ndodheshin prindërit tanë pazarakë.
– Ja, tani janë në Qafë të Martës, … arritën në Sherë, – thoshim me njëri-tjetrin, ose me vehte. Pas një ore janë në Shtyllë, dhe mbrëmja i zë në Vithkuq; nesër nisen që me natë nga Vithkuqi dhe mëngjesi i zë në Korçë, në pazar. Pasi shisnin ose blinin, në të prishur të pazarit ngarkonin kuajt që të ktheheshin, në mos në Shtyllë e Çemerricë, të paktën nata t’i zinte në Vithkuq. Dhe kjo ishte e përjavshme, me karvanet që lëviznin si zgjatim i kohërave pa shkëlqim, në të dy anët mbi Qafë.
Nga të gjitha pikat e horizontit, për ne, Qafa e Martës (në lindje) ishte më e rëndësishmja nga të gjitha, dhe ne andej na mbeteshin sytë, në pritje të karvanëve pazarakë, pasi prej andej vinin pajat e nuseve, nga andej vinte kumtria e dasmës, vinin çizmet e llastikut dhe opingat prej meshini, kosa, drapri, saçi, vajguri, qirinjtë, andej vinte, mbi të gjitha, buka dhe kripa…!
Natyrisht, sot, kohët kanë ndryshuar. Misioni i qëmotshëm i kësaj rruge legjendë ka mbarur. Ndarjet, vuajtjet, grabitjet nga kaçakët dhe shqyerjet prej egërsirave i përkasin vetëm historisë. Tashmë njerëzit do të flutrojnë me makinat e tyre luksoze, në gjysmën e kohës më shpejt, nga lindja në perëndim, nën shoqërinë e tingujve të kasetofonëve, celularëve e iphonëve 12. Për fat të keq, gjelbërimin e pyjeve të qëmotshëm, për disa dekada, s’do e shijojnë, se vet u janë sulur tërbimthi me motorrseka dhe i kanë lënë batall. Marta është emër gruaje, si shkon tullacllëku, ndaj t’i fshehim sopatat e t’ja kthejmë kurorat e aheve e pishave mbi ballë, sa më parë!
Mal më bëhet zemra, që Vithkuqit tonë të lashtë i ndizet drita jeshile për t’ju rikthyer shkëlqimi i dikurshëm, si një qytet me nam në këtë aks; edhe Shtyllës së bukur, por, ah.., prapë Panariti dhe Vakëfet mbetën jashtë liste, hedhur për mëshirë një koriçkë buke të thatë; dhe prapë pas lajmit, vakëfllinjtë e urtë e shprehën gëzimin, uruan me shpirt, ta gëzojmë këtë rrugë, sepse fundja mbi kokë do kenë një pasuri kombëtare, margaritar, edhe pse, ndoshta, në funksion part time!


Që në vitin 2014, i talentuari Muharrem Xhaxho, ndjesë pastë, parashikonte: – Nesër mund të ndodhë gjithçka! Ndoshta nuk do të ketë ditë të caktuar feste, si fundi i qershorit, por të gjitha ditët e vitit të jenë një festë e vërtetë, ku njerëzit të vinë me lehtësi në Qafë të Martës dhe të kalojnë fundjavën. Nesër mund të ndodhë që njerëz me potencial financiar të ndërtojnë këtu motele, kampingje, ambjente sportive, dhe rruga prej Korçës të jetë e asfaltuar deri në Qafë; të ketë pistë për ski (që konkuron edhe Mavrovën apo Kolashinin) dhe të organizohen ngjitje alpinistësh në Ostrovicë. Ndërsa nga Skrapari mund të gjarpërojë ndonjë rrugë, mbase edhe një teleferik, e në kujtim të ngjarjeve të mëdha historike, të ngrihet një Obelisk madhështor!
Kësaj dite gati ja mbërritëm, ndoshta korriku i Lace Backës do të jetë përurimi! Por le të mos bëj unë tersin e Pojanit, e të them: – po sikur në lartësinë 2000 m dëbora e madhe, ngricat, mjergulla, suferina ta bllokojnë rrugën në stinën e dimrit për një periudhë të gjatë?! Larg qoftë! Ndërsa Vakëfeve, që u ka ardhur e mira (jo brenda) deri në prag, mbetur në udhëkryq pa zgjidhje përfundimtare, apelojnë: shihni dhe nga lugina e Osumit, se Kolonja është më e ngrohtë, dhe jo larg!