MENU
klinika

Ministri rus i Mbrojtjes: Unë kam vendosur të...

Rusia njofton tërheqjen e trupave nga kufiri i Ukrainës

23.04.2021 - 07:25

Sipas autoriteteve të Rusisë, vendi do të tërheq trupat e saj nga kufiri me Ukrainën.

Pas një kontrolli të papritur të gatishmërisë luftarake, ministri rus i Mbrojtjes, Sergey Shoygu, deklaroi përfundimin e stërvitjes ushtarake në zonë dhe urdhëroi trupat ruse të ktheheshin në bazat e tyre të përhershme.

“Synimet e kontrollit të papritur u arritën plotësisht. Trupat demonstruan aftësinë për të siguruar mbrojtje të besueshme të vendit. Në këtë drejtim, unë kam vendosur të përmbyllë aktivitetet e inspektimit në qarqet ushtarake Jugore dhe Perëndimore”, tha Shoygu, duke ndjekur manovrat nga afër në Detin e Zi.

Mirëpo, Rusia do të ndjekë nga afër transferimin e trupave të NATO-s për stërvitjen ushtarake ”Defender Europe 2021″ jo shumë larg kufirit jugor të Rusisë, shtoi Shoygu. “Në këtë rajon (Deti i Zi), aktivitetet ushtarake të bllokut të NATO-s po rriten ndjeshëm. Aktivitetet e inteligjencës po forcohen, kurse intensiteti dhe shkalla e aktiviteteve të stërvitjeve operacionale po rriten”, tha ai.

“Ne po monitorojmë nga afër vendosjen e trupave të aleancës në zonën e stërvitjes së ardhshme ’Defender Europe 2021′. Në Poloni, Sllovaki, Hungari, Rumani dhe Bullgari, janë krijuar qendra koordinimi për të siguruar takimin e trupave dhe dërgesave të NATO-s”, tha ministri rus, duke shtuar se armët, ushtria dhe pajisjet speciale janë duke u mbledhur në portet greke.

Ai urdhëroi forcat e armatosura të vazhdojnë monitorimin e zonës së stërvitjes “Defender Europe 2021”. Në javët e fundit, Rusia dërgoi forca të gatshme luftarake pranë kufirit ukrainas e cila konsiderohet “si vendosja më e madhe e trupave ruse që nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë në 2014”, sipas sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ukraina akuzon Rusinë për ngritjen e tensioneve, ndërsa Moska thotë se lëvizjet e saj janë në përgjigje të “veprimeve provokuese të Kievit”, duke thënë se fqinji i saj perëndimor po përgatit një ofensivë me qëllim të sigurojë zgjidhje ushtarake të konfliktit me mundësinë e luftimeve në kufi. Ukraina është përfshirë në konflikt në rajonet e saj lindore që nga marsi i vitit 2014, pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia.

Luftimet midis forcave të qeverisë ukrainase dhe separatistëve pro-rusë në Ukrainën lindore kanë marrë më shumë se 13.000 jetë njerëzish, sipas OKB-së.