MENU
klinika

Lufta për votat preferenciale

Senatorët e Partisë Socialiste, në pritje që të thyejnë herësin

28.04.2021 - 09:42

Pas përfundimit të numërimit të votave për partitë dhe koalicionet, dje nisi dhe numërimi për kandidatët nga ku do të dalë dhe lista fituese.

Tri figura kryesore të Partisë Socialiste, anëtarë kryesie dhe ish-ministra, Pandeli Majko, Mimi Kodheli dhe Fatmir Xhafaj, të cilët ndodhen poshtë listës fituese, në vendet 19, 21 dhe 23 janë me sy e veshë nga vota preferenciale. Në fakt, në Tiranë janë ende duke u numëruar edhe rreth 44 kuti, të cilat i përkasin Bashkisë Kamzë dhe Njësisë Administrative nr.5. Socialistët pretendojnë ende në marrjen e mandatit të 19. Ish-Kryeministri Pandeli Majko, është me sytë nga kutitë që numërohen në Njësinë nr.5 me shpresën se PS-ja do të marrë edhe mandatin e 19 në Tiranë, duke e bërë atë pjesë të listës fituese, pa qenë nevoja që të mbledhë mbi 10 mijë vota për të thyer herësin. Nëse Partia Socialiste do të qëndrojë te 18 mandatet në qarkun e Tiranës, herësi shkon në 12 mijë vota, ndërsa nëse socialistët do të marrin edhe mandatin e 19-të, herësi ulet në 11.600 vota, që do të thotë që Kodhelit, Xhafajt dhe Majkos do t’i duhen këto vota për të kaluar në listën fituese. Nga numërimi elektronik në Njësinë nr.10 në Tiranë, Fatmir Xhafaj, i cili punonte si kandidat në këtë zonë, mori 2975 vota. Por, Xhafajt do t’i duhet të sigurojë vota nga të gjitha njësitë administrative të qarkut Tiranë. Siç u pa dhe në listën e kandidatëve të Partisë Socialiste në Njësinë nr.10, edhe kandidatët e tjerë kanë kërkuar dhe kanë marrë vota preferenciale.

NUMËRIMI

Nëse procesi i numërimit të votave për partitë ishte i qetë dhe i pakontestueshëm nga palët, procesi i numërimit të votave për kandidatët duket se do të jetë më i vështiri. Kandidatët janë skeptikë se vota e tyre mund të tjetërsohet në favor të listës zyrtare të miratuar nga partia. Ky duket se ka qenë dhe shqetësimi i selisë rozë, e cila përmes zëdhënëses së fushatës 2021, Bora Muzhaqi, i kërkoi numëruesve që të mos tjetërsojnë asnjë votë.

“Vullneti i shqiptarëve që u shpreh përmes votës dhe angazhimit maksimal për 25 prillin duhet respektuar deri në fund me të gjithë shenjtërinë e vet. Asnjë votë e asnjë kandidati, qoftë ai socialist apo demokrat nuk mund, nuk duhet dhe nuk do të lejohet të tjetërsohet. Në emër të Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj Edi Rama dua të bëj të qartë sa më poshtë: Së pari, faleminderit dhe respekt për të gjithë numëruesit e këtij procesi vendimtar për demokracinë dhe shoqërinë tonë për të gjithë angazhimin e deritanishëm. Së dyti, një falënderim i veçantë shkon për të gjithë numëruesit e Partisë Socialiste që pa u lodhur kanë punuar me respekt të qytetarëve dhe të votës së tyre deri tani. Së treti, pa vënë në dyshim integritetin dhe përkushtimin e mëtejshëm të numëruesve, dua që t’ju kujtoj, se çdo cedim, qoftë ai me qëllim apo mungesë vëmendje, që shkakton tjetërsimin e votës ose kalimin e saj nga një kandidat te tjetri brenda listës së një partie është një krim zgjedhor.

Kryetari Edi Rama dhe Partia Socialiste janë të vendosur që mos të tolerojnë asnjë numërues apo grup numëruesish që me gjasa mund të shkelin ligjin apo që mund të bëhen bashkëpunëtorë në një krim të tillë. Ky proces është i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Askush nuk do lejohet ta dëmtojë shkëlqimin e deritanishëm të procesit me njollosjen e transferimit apo tjetërsimit të votës së kandidatëve brenda listave. Ne kemi besim se numëruesit janë të gjithë në lartësinë e kësaj prove në një proces që deri këtu i ka zbardhur faqen gjithë Shqipërisë dhe shqiptarëve”, u shpreh zëdhënësja e fushatës së PS-së.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN