MENU
klinika

Dy akuzat e PS dhe çfarë parashikon Kushtetuta

Prapaskenat e kërkesës për shkarkimin e Metës

01.05.2021 - 09:35

Grupi Parlamentar Socialist nisi procedurat parlamentare për shkarkimin e Presidentit Meta.

Deputetëve socialistë u është kërkuar që të firmosin kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimin e kreut të shtetit, pas thirrjeve të tij gjatë fushatës ku u bënte thirrje qytetarëve që të mprihnin sfurqet, sëpatat dhe lopatat më 25 prill për të mbrojtur votën.

Socialistët prisnin dorëheqjen e Ilir Metës nga posti i Presidentit, siç edhe e kishte premtuar, nëse Edi Rama do t’i fitonte zgjedhjet në mënyrë të pakontestuar.

Por kur u pa që Presidenti i Republikës nuk do të jepte dorëheqjen, madje tha se do të vijojë në atë post deri në fund të mandatit, 2022, Kryeministri Rama tha të enjten në darkë se Parlamenti do të nisë procedurën e shkarkimit.

“Ilir Metën populli e dënoi në mënyrë spektakolare dhe Parlamenti do ta formalizojë”, tha Rama dy ditë më parë.

Presidenti Meta u shfaq aspak i shqetësuar nga ajo çfarë deklaroi dy ditë më parë Edi Rama dhe nga mbledhja e firmave të socialistëve, duke i cilësuar si shashka që duan të mbulojnë shkeljet në zgjedhje dhe duke iu përgjigjur se nuk ka ndërmend të dorëhiqet, siç edhe tha përpara 25 prillit.

Për shkarkimin e Presidentit nevojiten 94 vota, për të cilat maxhoranca do të kërkojë ndihmën e opozitës parlamentare, ndërsa më pas vendimi i Kuvendit do t’i kalojë Gjykatës Kushtetuese, e cila duhet të shprehet për shkeljet e Presidentit.

AKUZAT

Deputetëve u është kërkuar që të vijnë pranë Grupit Parlamentar Socialist që të firmosin kërkesën, e cila kërkon minimalisht 35 firma, por pritet që kërkesa të firmoset nga i gjithë Grupi Parlamentar.

“Bazuar në disa shkelje të rënda të Kushtetutës, sipas parashikimeve të nenit 90, nga ana e Presidentit Ilir Meta përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore, në konsultim me kryesinë e Grupit Parlamentar, kemi vendosur të iniciojmë procedurën e shkarkimit të Presidentit të Republikës”, thuhej në mesazhin e dërguar çdo deputeti socialist për të depozituar firmën e tij për këtë kërkesë.

Burime nga Partia Socialiste pohuan për gazetën “Panorama” se shkeljet që do të shoqërojnë kërkesën për shkarkimin e Presidentit janë “shkelje e rëndë e Kushtetutës, thirrje për dhunë dhe cenim të rëndë të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, të bazuara në nenin 90 të Kushtetutës.

Neni 90 i Kushtetutës përcakton se:

2. Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij.

3. Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra”.

DEKLARATAT

Socialistët në formulimin e akuzës së tyre janë bazuar në thirrjet e Presidentit Meta gjatë fushatës zgjedhore për mbrojtjen e votës së lirë.

“T’i mprehin sfurqet, kosoret, lopatat, sëpatat, t’i mprehin e t’i kenë gati për të dielën dhe po u prek vota, do dalin kundër me Presidentin në krye qytetarët e Fierit dhe Mallakastrës”, bëri thirrje Presidenti Meta dy ditë para zgjedhjeve, që për socialistët është një thirrje e hapur për dhunë dhe konfrontim civil.

Por ata mendojnë se me deklaratat e tij Presidenti i Republikës ka cenuar dhe marrëdhëniet e shkëlqyera që Shqipëria ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe për këtë ata kanë shkëputur deklaratat e kreut të shtetit ndaj ambasadores amerikane, Yuri Kim.

“Ka qarqe të korruptuara. Ka lobim të paguar nga Serbia, atje (në SHBA) dhe në vendet e tjera, të cilat përdorin përfaqësuesit e Amerikës kundër Ilir Metës”, tha Meta gjatë një interviste televizive.

Meta pretendoi se Kim i tha atij gjatë një telefonate: “Ne dimë disa gjëra për ty”.

“Unë i kam thënë (Uashingtonit) që nëse ke ndonjë problem me mua, të lutem më njofto, sepse e di që mund të më vrasësh edhe mua”, tha ai. Meta shtoi se ai do të shkonte në një mal aty pranë dhe pastaj “ju mund të lëshoni një raketë mbi mua, në mënyrë që të mos dëmtoj njerëzit e tjerë”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN