Një instrument me rëndësi të pazakontë është duke u bërë tanimë ligj në Europë: pasaporta e vaksinimit. Komisioni Europian e ka paraqitur këtë propozim si një rikthim të lirisë së lëvizjes, por Europa është e vetmja deri më tani që ka miratuar përdorimin e certifikatave të vaksinimit.
Javën e kaluar, OBSH kërkoi që planet për vendosjen e pasaportave të vaksinimit si një kusht hyrjeje të braktisen, pasi SHBA përjashtoi zbatimin e tyre në territorin e saj.
Liria e lëvizjes është mbase arritja më e dashur e Bashkimit Europian dhe në kushtet që kontinentet e tjera po hedhin poshtë përdorimin e pasaportave të vaksinimit, shumë ekspertë i kanë kërkuar Brukselit të mos e çojë deri në fund miratimin e tyre.
Komisioni ka deklaruar që këto pasaporta do të bëjnë të mundur që të mos rivendosen kontrollet kufitare, por ndarja e udhëtarëve në të vaksinuar dhe jo të vaksinuar, të infektuar dhe jo të infektuar ka ngritur shqetësime për diskriminim brenda BE.
Përdorimi i pasaportave të vaksinimit si kusht për të udhëtuar nuk është e lejueshëm as sipas Kodit Shengen. Kodi i Shengenit lejon mbylljen e përkohshme të kufijve të brendshëm në disa rrethana, por kjo nuk përfshin një emergjencë të shëndetit publik.
Argumentet pro
Sipas ekspertëve, lejimi i njerëzve që të takojnë të afërmit si më parë, të punojnë në praninë e njëri-tjetrit, të lëvizin, të shkojnë në vende publike dhe të kujdesen për të dashurit e tyre, do të sjellë përfitime të padyshimta sociale, emocionale dhe ekonomike.
Për më tepër, mbajtja më fuqi e kufizimeve të tepërta mbi sjelljen e njerëzve që paraqesin një rrezik të reduktuar për shëndetin publik, mund të konsiderohet jo etike. Për të mos përmendur faktin që në disa rrethana, pasaporta e imunitetit ndaj Covid-19 mund të shtyjë të vaksinohen edhe ata që ende hezitojnë ta bëjnë këtë.
Argumentet kundër
Gjithsesi nga këndvështrimi i parandalimit të infektimit, dhe pas një periudhe kaq të gjatë mbylljesh dhe masash paraprake mbrojtëse në BE, këto pasaporta të imunitetit mund të çojnë në sjellje të padëshirueshme, që rrezikojnë të çojnë në një rritje të re të infeksioneve.
Ata që e dinë se kanë antitrupa, mund të përdorin mënyra të rrezikshme të ndërveprimit, dhe të heqin dorë nga mbajtja e maskave, distancimi social dhe larja e duarve, duke rritur shanset e infektimit dhe transmetimit të Covid-19 tek njerëzit e pa vaksinuar.
Dhe nëse zotërimi i antitrupave anti-Covid do të bëhej mënyra e vetme për të hyrë në disa aktivitete, ata që nuk kanë pasur ende mundësi ta bëjnë vaksinën, mund të përpiqen të infektohen qëllimisht për t’iu rikthyer sa më shpejt të jetë e mundur jetës së tyre të mëparshme.
Dyshimet mbi imunitetin
Pra jashtë kontekstit të udhëtimeve ndërkombëtare, për të cilat është i domosdoshëm vërtetimi i imunitetit ose i negativitetit në raport me Covid-19, ideja e pasaportave të tilla nuk sjell vetëm përfitime. Përveç aspekteve psikologjike të theksuara në studim, dhe lënien jashtë të çështjeve që kanë të bëjnë me privatësinë dhe diskriminimin e pashmangshëm në qasjen ndaj vaksinave, brenda vendeve individuale dhe midis zonave të ndryshme të botës, ka edhe disa probleme të natyrës shkencore.
Sa zgjat imuniteti natyror ndaj Covid-19? Sa garantohet ai nga vaksinat? Edhe vaksinat më të fuqishme nuk garantojnë efektivitet 100 për qind kundër infeksionit, dhe nuk është ende plotësisht e qartë (ose të paktën jo për të gjitha vaksinat), se në çfarë mase njerëzit e vaksinuar janë në gjendje të infektojnë pa dijeninë e tyre ata që nuk janë vaksinuar.