Miratohet plani për t’i shtuar një “parket” Koloseut, në mënyrë që vizitorët të kenë mundësi të shkelin edhe mbi sipërfaqen ku dikur, luftonin gladiatorët triumfues.
Ministri i Kulturës, Dario Franceschini, shpalli projektin për ndërtimin e dyshemesë prej druri, që do të kapë shifrën prej 18,5 milionë eurosh dhe do të ndërtohet nga kompania “Milano Ingegneria”, që mendohet të përfundojë në vitin 2023.
Nga shekulli XIX, godinës dymijëvjeçare i mungon pista me sipërfaqe 3,000 metra katrorë, pas ndërhyrjes për të ekspozuar rrjetin e nëndheshëm të tuneleve ku mbaheshin gladiatorët dhe kafshët, para ndeshjeve në arenë.
Franceschini theksoi, se ky modifikim do t’i lejonte turistët që ta shihnin edhe nga brenda, madhështinë e Koloseut.
Dyshemeja, do të jetë e gjitha prej druri. Sipërfaqet do të jenë të lëvizshme dhe do të rrotullohen, në mënyrë që të depërtojnë dritën e diellit në dhomat e nëndheshme.
Koloseu ka qenë amfiteatri më i madh i Perandorisë Romake, ku luftimet mes gladiatorëve ndiqeshin nga, të paktën 50 mijë persona. Para pandemisë, godina antike vizitohej nga miliona vetë çdo vit.