Rrëfimtari unik. Legjendat shqiptare. Gjuha shqipe, kur rrjedh lehtësisht labirinteve të kujtesës, gjëmimit të shekujve. Dashuria dhe profesionalizmi në vetëmohim… /Konica.al
MË DI A NUK MË DI
Më di a nuk më di se qaj,
më di a nuk më di se vuaj
në orët e thella të natës,
kur ngrihem i çmendur të shkruaj
me gjakun e zemrës të shkruaj.
Më di a nuk më di se agimet
më gjejnë pa gjumë në shtrat,
me shpirt të shkretuar nga dhembja,
e dhimbshëm i pres perëndimet,
me ankth i pres perëndimet.
Më di a nuk më di se sot
u drodha kur pashë pranverën, (vjeshtën)
që zbriste me flladet e prillit (tetorit),
e ëmbël siç ishte qëmot,
e hidhur sic ishte qemot.
Më di a nuk më di se vuaj
në orët e thella të natës,
ku ndjehem nga jeta i huaj,
nga vendi i lemjes i huaj.
Më di a nuk më di…
Shkrimtar e përkthyes, ekonomist i specializuar në profesion, Dhimitër Pasko ose Mitrush Kuteli, lindi më 13 shtator 1907 në Pogradec, ndërsa vdiq më 4 maj 1967, në Tiranë.
Pa dyshim njëri prej shkrimtarëve, intelektualëve dhe mendimtarëve më të ndritur të Shqipërisë. Kuteli dha kontribut në çdo lëmë letrare, ai ka lënë mbi të gjitha një “ligjërim mbi etikën”. Në përmbledhjen pak të njohur “Shënime letrare”, kritika e tij ngriti një problem të madh shqiptar.
“Është fort e rëndë të thuash se në këtë kuadër shqiptar kaq të vrazhdët, qoftë edhe në botën e shkrimtarëve (dhe veçanërisht në këtë bote!) ku autori vë dorën në kobure ose të ndjek “administrativisht”, ose, të paktën, të rri me kokë me nj’anë, sepse nuk e lavdërove sa desh ay vetë. Në këtë kuadër të vrazhdët, them, ku je i detyruar të pranosh – duke heshtur! – që një thes me kashte të quhet poet klasik ose filozof e një bostan-tavasi, poet, sociolog a s’di ç’tjetër batërdi”
Familja e Mitrush Kutelit, rrjedh nga fisi shqiptar Kuteli, i shpërngulur në Mokër e pastaj në Pogradec nga qyteti i Artës, në fillim të shek. 19-të, për shkak të mizorive të Ali pashë Tepelenës. I ati, Pandi, i biri i Pasko Kutelit, ishte rrobaqepës që kish jetuar 24 vjet në mërgim, në Rumani, duke punuar si murator e bojaxhi. Atje kish mësuar shkrimin e shqipes dhe ish njohur me disa nga patriotët e kohës, mes të cilëve me Nikolla Naçon. Pas kthimit në Shqipëri, vazhdoi zanatin e rrobaqepësit dhe të bojaxhiut e në të njëjtën kohë bënte dhe punën e ndërlidhësit për të futur dhe shpërndarë në vend librat shqip të shtypura në kolonitë e mërgimtarëve. I burgosur shpesh herë në kohë të osmanëve, gjatë pushtimit serb e atij bullgar.
Pas shpalljes së Hyrrijetit hapi një librari, e para librari shqipe në Pogradec. Mitrushi – trajta përkëdhelës e emrit Dhimitër – lindi më 13 shtator 1907 dhe ishte i vetmi djalë mes dy motrash: Agllaisë dhe Liries. Në shtëpinë e tyre, që bastisej dendur për libra shqip, vinin luftëtarët e kohës: Dervish Hima, Abdyl Ypi, Mihal Gramenua, Telemak Gërmenji, Memduh Zavalani, Themistokli Germenji, Pasa Pema, Vasil Tromara, etj. Në një mjedis të tillë, të mpleksur dhe me përrallat e Nënës, Kuteli jetoi fëmijërinë dhe mori bazën letrare. Mbresa të pashlyeshme i lanë më pas dhe librat e librarisë së vogël të të atit. Leximet e tij të para lidhen me emrin e Naimit, Çajupit, Spiro Dines, Gramenos, Lumo Skëndos, më vonë edhe të Fan Nolit.
Shkollën fillore e kreu në Pogradec, më 1919. Po këtë vit botoi vjershat e tij të para “Mëmës Shqipëri” dhe “Skënderbeu” – në kalendarin “Pogradeci”. Pasi priti dy vjet t’i plotësoheshin kushtet ekonomike të familjes, më 1921 Kuteli shkoi në Selanik, ku i ati kish mundur t’i siguronte një bursë për në Shkollën Tregtare Rumune. Kishte prirje për letërsi e dëshirë për mjekësi, por mundësitë iu krijuan në degën ekonomike.
Më 1926, 19-vjeçari Kuteli ishte një nga themeluesit dhe drejtuesit e Shoqërisë së nxënësve shqiptarë të Selanikut ku merrnin pjesë të rinj nga të gjitha shkollat e qytetit. Shoqëria u quajt “Kostandin Kristoforidhi”, siç propozoi Dhimitri. Nga viti 1924 kish filluar të botonte në shtypin shqiptar “të jashtëm”, tek “Shqipëria e Re” dhe “Kosova” që dilnin në Kostancë të Rumanisë. Shkrimet e tij flisnin për Atdheun, për ngjarjet e vitit 1924, vajtonin vrasjen e Gurakuqit e të Bajram Currit. Në këto vite Kuteli botoi dhe artikujt e parë në fushën e kritikës letrare – vlerësime, përshtypje, analiza, të dhëna për autorë e vepra. Por pjesa më e madhe e shkrimeve i kushtoheshin monedhës, çështjes agrare dhe problemeve ekonomike. Studjoi ngjarjet e së kaluarës në fushën e financave dhe kritikoi Bankën Kombëtare të Shqipërisë, duke faktuar spekullimet e saj në dëm të ekonomisë së vendit. Ndër këto shkrime Kuteli përmend më pas “Kriza e koronës dhe Banka Kombëtare”, që u botua si kryeartikull më 1928 në gazetën “Telegraf”[2]. Po atë vit, shteti shqiptar i refuzoi kërkesën për bursë që të vazhdonte studimet e larta në Paris, ndonëse shkollën e mesme e mbaroi shkëlqyeshëm, duke kaluar dy klasat e fundit në një vit. Kuteli shkoi në Bukuresht (1928) dhe filloi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike, duke punuar njëkohësisht si llogaritar. Banonte në një mansardë, megjithatë ndiqte edhe kurse letërsie, kritike, folklori, etj. Lexonte frëngjisht, rumanisht, italisht, latinisht e greqisht. Ishte antar, më pas sekretar dhe në vitet 1931-34 kryetar i Shoqërisë së studentëve shqiptarë të Rumanisë. Në vitet 1928-1933 drejtoi gazetën “Shqipëria e Re” në Kostancë, në faqet e së cilës hapi më 1929 rubrikën “Shënime Letrare”. Duke vazhduar punën e filluar në Selanik për të nxjerrë në pah disa nga vlerat e kulturës sonë sidomos në fushën e letërsisë, Kuteli shkroi artikuj mbi Naimin, Çajupin, Gramenon, Papa Kristo Negovanin, Asdrenin, Hilë Mosin, Lasgushin, Loni Logorin, Filip Papajanin, Ali Asllanin, etj. Me pseudonime të ndryshme botoi artikuj mbi çështjen e Bjeshkës së Velipojës të Vermoshit dhe mbi Manastirin e Shën Naumit. Në fushën ekonomike – shkruan rreth monedhës dhe kreditit, për problemet ekonomike dhe abuzimet administrative si dhe kundër disa koncensioneve që i ishin dhënë kapitalit italian – Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe Shoqërisë AGIP për të shfrytëzuar tokat vajgurore shqiptare dhe për të mbajtur monopolin e karburanteve në vend. U diplomua më 1931 dhe në shkurt 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare me vlerësimin më të lartë “Diplomam Magnam cum Laudæ”.
Një nga shokët e tij të shkollës, Ionel Zeana, ka shkruajtur pas më se gjashtëdhjet vjetësh:
«Dh. Pasku kreu studime të shkëlqyera, duke u dalluar qysh në fillim si një element i jashtzakonshëm, jo vetëm përmes kapacitetit të tij intelektual të veçantë, po edhe përmes seriozitetit, maturisë, ndërgjegjshmërisë, forcës për punë dhe krejt qendrimit të tij moral, cilësi këto që tërhoqën vemendjen, vlerësimin dhe mbrojtjen e profesorit të tij të madh të financave, Viktor Slëvescu, prijësi liberal, ish-ministër dhe guvernator i Bankës Kombëtare. Duke e marrë doktoratën në financa, me një tezë të vlerësuar në superlativitet, Dhimitër Paskut iu hapën perspektiva nga më të bukurat, për realizimin e një karriere të shkëlqyer. I angazhuar më së pari si funksionar, ai arriti brenda një kohe të shkurtër të bëhet drejtor i Bankës Kombëtare, duke iu përkushtuar ekskluzivisht ekzigjencave të një profesionaliteti të ngushtë, pa u regjistruar në ndonjë parti politike”.
Gjatë qendrimit në Rumani, punoi dhe në ministrinë e Financave si nëpunës i lartë dhe drejtoi edhe bankën e Çernëucit. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, Kuteli rrëfen kështu mbi presionet që i vinin:
“Unë kam pasur gjithnjë, si bir i një populli të vogël, një urrejtje të madhe kundër idesë së zezë `popuj mbi popuj` ose `të mëdhenj mbi të vegjël`, por `popuj përkrah popujsh`… Një nga pasojat e para ka qënë një `skedë e zezë` ardhi e më foli dikush në bankë: – Ç’po bën kështu? Nuk e di ç’të pret? Pse kundërshton që vendin e kapitalit çifut, ta zërë kapitali mik gjerman?”
Kuteli vazhdoi të përkrahë ekonominë vendase, derisa e mobilizuan dhe e nisën në front, drejt Stalingradit. Megjithatë, veshur me uniformë, në qendrimet mes marshimeve mblidhte këngë popullore moldave, mbante shënime, njihej me njerëz të thjeshtë, me letërsinë ukrahinase, thellonte njohuritë e gjuhës ruse. Sidoqoftë, pati fatin të mos i afrohej kurrë Stalingradit, madje as arriti të hyjë në Rusi: një telegram urgjent nga Pogradeci i thosh se Nëna e tij ishte shumë e sëmurë e se duhej të nisej sa më shpejt për në vendlindje. E ndihmuan miqtë që kish në Bukuresht, të cilët i rregulluan një leje për t’u larguar nga vargu i ushtarëve dhe më pas e përfshinë në një dërgatë ekonomistësh që nisej me shërbim pune në Romë. Mundi t’arrijë në Pogradec në shtator 1942. Nëna kish ndërruar jetë më 28 gusht.