MENU
klinika

Vettingu shkarkon Ramazan Avdiun

Problemet me pasurinë “i djegin” karrierën gjyqtarit të Elbasanit

06.05.2021 - 10:41

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, shkarkon nga detyra gjyqtarin e Elbasanit, Ramazan Avdiu.

Gjatë seancave dëgjimore të zhvilluara në funksion të procesit të rivlerësimit, u identifikuan mungesë burimesh për kthimin e një serie huash të dhëna me interes nga gjyqtari i Gjykatës së Elbasanit, Ramazan Avdiu.

Sipas KPK, duket se shumat e kthyera nga huamarrësit janë trajtuar dhe deklaruar nga Avdiu si kthim i principalit, me qëllim shmangien e pagimit të detyrimeve për të ardhurat e siguruara nga interesat. Gjithashtu, në disa raste janë konstatuar edhe pamundësi financiare për dhënien e huave.

Gjatë seancës së dytë dëgjimore të zhvilluar më 30 prill, gjyqtari Ramazan Avdiu i kundërshtoi gjetjet e KPK dhe kërkoi që të merreshin në konsideratë shpjegimet dhe provat e dorëzuara prej tij, shkruan Birn.

Sot, kryesuesi i trupës gjykuese Olsi Komici deklaroi se, me shumicë votash, ishte rrëzuar kerkesa e gjyqtarit Avdiu për riçeljen e hetimit për të tri kriteret e rivlerësimit dhe se ishte vendosur shkarkimi i tij nga detyra.

Dy anëtarët e tjerë të trupit gjykues që kreu procesin e vetingut për gjyqtarin e Gjykatës së Elbasanit, Ramazan Avdiu janë Xhensila Pine dhe Valbona Sanxhaktari, kjo e fundit në cilësinë e relatores së çështjes.