Vendimi për të mos braktisur planin për projektin e Superligës Europiane mund t’u kushtojë shtrenjtë 4 skuadrave më të rëndësishme të kontinentit.
Sipas asaj që raporton media spanjolle “ESPN”, Juventus, Real Madrid, Milan dhe Barcelona rrezikojnë një përjashtim dyvjeçar nga kompeticionet Europiane, Champions dhe Europa League.
Duke iu referuar këtyre burimeve, UEFA është e gatshme të marrë masa të ashpra disiplinore kundër klubeve rebele, pasi presidenti i organit më të lartë të futbollit, Aleksander Ceferin kërcënoi se do kishte masa për themeluesit e projektit.
Të katër klubet që janë ende pjesë e Superligës besojnë se janë në një pozitë të fortë, pasi dokumentet origjinale të paraqitura në UEFA dhe FIFA thonë se turneu i kërkon leje këtyre dy organeve dhe një njohje të saj prej tyre. Pra, jo një shkëputje siç aludohet.
Megjithatë, rreziku është konstant, pasi vetëm këto 4 skuadra kanë mbetur besnike të planit, pasi pjesa tjetër, pra 7 prej ekipeve themeluese kanë gjetur tashmë një marrëveshje me UEFA-n, ndërsa Inter mbetet ende i lëkundur.