Publikohet një dokument nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku ndodhet një raport-informacion që i përket vitit 1973, me temë: “Mbi vigjilencën kundër armikut të klasës”, ku sekretari i Komitetit të Partisë së rrethit të Krujës, Kozma Beqari, informon Komitetin Qendror të PPSH-së, lidhur me situatën morale e politike në të cilën gjendej ai rreth, pas fjalës së Enver Hoxhës së mbajtur më 15 mars të atij vit dhe si ishte punuar ajo fjalë me organizatat bazë të partisë, organizatat e masave, punonjësit e ndërmarrjeve dhe fshatarësisë kooperativiste, etj. Raport-informacioni i plotë ku jepet një tablo e hollësishme e situatës morale dhe politike të atij rrethi, duke filluar nga qyteti i Krujës, Fushë-Kruja, Mamurrasi, Laçi dhe Miloti, si dhe fshatrat Gurëz e Bilaj, ku si prioritet kryesor është lufta e klasave dhe goditjet ndaj “elementit armik”, që midis të tjerash shprehej: “Republika Popullore e Kinës ka rënë në duart e amerikanëve”, “Në Kinë pyetet Çu En Lai dhe jo Mao Ce Duni”. “Vietnami kërkon paqen, ndërsa ne luftën”, “Fjalimet tona në gazeta, janë luftënxitëse”, “Në vendin tonë ka njerëz që flenë pa ngrënë në darkë, 10 % e punëtorëve të qytetit presin ditën për të marrë rrogën, kurse udhëheqësit marrin nga 3000 lekë në muaj dhe me këto para shtrojnë bankete dhe japin urdhra që të dërgohen në Vietnam vaporë me sende ushqimore falas’ në një kohë kur fshatarësia jonë në kooperativat bujqësore nuk ka as bukë për të ngrënë”., etj.
“Duke diskutuar fjalimin e shokut Enver të 15 marsit, del se krahas mjaft problemeve të tjera, komunistët, kuadrot dhe të gjithë punonjësit e rrethit tonë, kanë rritur shumë vigjilencën për të parandaluar dhe goditur veprimtarinë e elementit armik e keqbërës në të gjitha fushat dhe drejtimet në rrethin tonë.
Kjo vërtetohet me faktin se vetëm gjatë katër muajve të fundit të këtij viti, organet e gjurmimit dhe operative kanë goditur veprimtarinë armiqësore dhe keqbërëse ordinere në 59 vetë. Në mes të këtyre ka pasur dhe komunistë që flasin dhe ç’faqin mendime jo në përputhje me vijën e Partisë dhe fjalimin e shokut Enver, kështu p.sh. kandidati i Partisë, Maqo Trebicka, teknik në NNI-në e Laçit, shoqërohet me armiqtë e klasës Mehmet Isai dhe Andrea Martini, i cili për t’i informuar për vijën politike të Partisë, u jepte këtyre edhe Buletinet e Komitetit Qendror të PPSH-së, kështu p.sh. në momentin e arrestimit të Mehmet Isait, (i cili është arrestuar për agjitacion e propagandë), i’u gjet Buletini Nr. 1 i Komitetit Qendror të PPSH-së. Ndërsa dy anëtarë partie në bisedat e tyre kanë komentuar keq fjalimet e fundit të shokut Enver, duke thënë se këta (dm.th. udhëheqja e Partisë), e kanë shtrënguar punën, për të forcuar pushtetin e tyre deri sa të jenë gjallë”.
Kështu thuhet në mes të tjerash në një raport-informacion të sekretarit të Komitetit të Partisë së rrethit të Krujës, Kozma Beqari, që i përket vitit 1973 dhe i dërgohet Komitetit Qëndror të PPSH-së, ku jepet një tablo e plotë e gjendjes morale dhe politike në të cilën gjendej ai rreth, pas fjalimit të Enver Hoxhës, të mbajtur më 15 dhe 16 mars në aparatin e Komitetit Qëndror të PPSH-së. Për më shumë rreth kësaj, na njeh dokumenti në fjalë, të cilin Memorie.al e publikon të plotë dhe për herë të parë në këtë shkrim.
Raport-informacioni i sekretarit të Komitetit të Partisë së rrethit të Krujës, Kozma Beqari, për komitetin Qëndror të PPSH-së
MBI VIGJELENCËN KUNDËR ARMIKUT TË KLASËS
SI ËSHTË ORGANIZUAR PROPAGANDA DHE KUNDËR PROPAGANDA NDAJ ARMIQVE TË KLASËS TË BRENDSHËM DHE TË JASHTËM. MASAT QË JANË MARRË PËR FORCIMIN E KUFIRIT, SI DHE PËR RUAJTJEN E SEKRETIT
Fjalimet e fundit të shokut Enver shërbyen si udhërrëfyes për të kuptuar në një mënyrë më të thellë dhe të gjithanëshme, rrezikshmërinë që paraqet për vendin tonë rrethimi imperialisto-revizionist, si dhe për të zhvilluar gjithmonë, nën udhëheqjen e Partisë luftën e klasave, për të itensifikuar luftën kundër mbeturinave dhe ç’faqeve të huaja dhe për pasojë për të rritur në një shkallë akoma më të lartë vigjilencën kundër armikut të klasës.
Duke diskutuar fjalimin e shokut Enver të 15 marsit, del se krahas mjaft problemeve të tjera, komunistët, kuadrot dhe të gjithë punonjësit e rrethit tonë, kanë rritur shumë vigjilencën për të parandaluar dhe goditur veprimtarinë e elementit armik e keqbërës në të gjitha fushat dhe drejtimet në rrethin tonë.
Kjo vërtetohet me faktin se vetëm gjatë katër muajve të fundit të këtij viti, organet e gjurmimit dhe operative kanë goditur veprimtarinë armiqësore dhe keqbërëse ordinere në 59 vetë. Në mes të këtyre ka pasur dhe komunistë që flasin dhe ç’faqin mendime jo në përputhje me vijën e Partisë dhe fjalimin e shokut Enver, kështu p.sh. kandidati i Partisë, Maqo Trebicka, teknik në NNI-në e Laçit, shoqërohet me armiqtë e klasës Mehmet Isai dhe Andrea Martini, i cili për t’i informuar për vijën politike të Partisë, u jepte këtyre edhe Buletinet e Komitetit Qendror të PPSH-së, kështu p.sh. në momentin e arrestimit të Mehmet Isait, (i cili është arrestuar për agjitacion e propagandë), i’u gjet Buletini Nr. 1 i Komitetit Qendror të PPSH-së. Ndërsa dy anëtarë partie në bisedat e tyre kanë komentuar keq fjalimet e fundit të shokut Enver, duke thënë se këta (dm.th. udhëheqja e Partisë), e kanë shtrënguar punën, për të forcuar pushtetin e tyre deri sa të jenë gjallë.
Njerzit që flasin dhe komentojnë kundër partisë dhe pushtetit tonë, kanë këtë përbërje shoqërore: 10 vetë janë të shtresave të pasura, 36 janë të shtresave të mesme dhe 13 vetë janë të shtresave të varfra. Personat e mësipërm kanë këtë nivel intelektual dhe arsimor: 11 vetë janë arsim të lartë, 21 me arsim të mesëm, 15 me arsim 8-vjeçar, 10 me arsim fillor dhe 2 pa arsim. Këta persona janë përqëndruar: 50 në qytetet Krujë, Fushë-Krujë, Mamurras, Laç e Milot, e 8 veta në fshatrat.
Komiteti i Partisë duke studjuar materialet që kanë ardhur nga diskutimi i fjalës së shokut Enver Hoxha dhe në kontaktet e informacionit që ka marrë nga organet e Punëve të Brendshme i ka analizuar këto komente dhe parrulla që kanë lëshuar elementët armiq, duke i grupuar dhe klasifikuar momentet e drejtimet si më poshtë:
Komente për situatën e jashtme
Elementët armiq kanë propaganduar se: “Republika Popullore e Kinës ka rënë në duart e amerikanëve”, “Në Kinë pyetet Çu En Lai dhe jo Mao Ce Duni”. “Vietnami kërkon paqen, ndërsa ne luftën”, “Fjalimet tona në gazeta, janë luftënxitëse”, “Për ne nuk ka shumë rëndësi sigurimi aziatik, por ai europian, që ka për qëllim hapjen e kufijve”.
Për situatën e brendshme
Komentohet se: “Kjo qeveri nuk do të qëndrojë kështu”, “se mjaft kemi vuajtur”, “do të vijë dhe dita jonë”, “nuk duhet thënë 30 vjet çlirim, por 30 vjet shtrëngim, 30 vjet pranga për popullin”.
Një element armik me prejardhje reaksionare nga rradhët e inteligjencies, shprehet: “Në vendin tonë ka njerëz që flenë pa ngrënë në darkë, 10 % e punëtorëve të qytetit presin ditën për të marrë rrogën, kurse udhëheqësit marrin nga 3000 lekë në muaj dhe me këto para shtrojnë bankete dhe japin urdhërra që të dërgohen në Vietnam vaporë me sende ushqimore falas’ në një kohë kur fshatarësia jonë në kooperativat bujqësore nuk ka as bukë për të ngrënë”.
Disa armiq kanë propaganduar për gjoja jetën e mirë që u bëka në Jugosllavi dhe në vendet e tjera kapitaliste, se: “Në Jugosllavi jetohet më mirë, se atje me dy rroga një punëtor mund të blejë një makinë personale”, ka pasë komente që thonë: “Po të jesh në Jugosllavi, bëhesh pasanik, ndërsa këtu tek ne ka varfëri”. Në këtë drejtim kanë influencuar negativisht, vizitorët, turistët, artistët, sportistët etj., që vijnë nga Kosova, pasi në rrethin tonë ka një numër të mirë të emigracionit kosovar.
Agjentët e UDB-së që i shoqërojnë këto, bëjnë një propagandë me emigrantët kosovarë që riatdhesohen në Jugosllavi, “sepse tani atje na qenka një jetë e mire, se Tito ua dha të gjitha të drejtat kosovarëve”, etj. Si përfundim i kësaj punë armiqësore në rradhët e emigracionit kosovar, kohët e fundit janë evituar kërkesat për riatdhesim në Jugosllavi. Përveç kësaj veprimtarie këto grupe apo persona që kanë ardhur nëpërmjet kanaleve zyrtare, zhvillojnë edhe kontrabandë, duke sjellë plaçka dhe pako, arë (monedha), dhe duke nxjerrë jashtë valutë, këto po e vërtetojnë mësëmiri proceset hetimore të Adem Mujës dhe Bardhi Kelmendit, të cilët janë arrestuar kohët e fundit për veprimtari armiqësore.
Komentet rreth fjalimeve të fundit të shokut Enver
Masat që merren i ngjajnë një anekdote sovjetike që thotë: “Kur i hudh tullat nga lart poshtë, apo anasjelltas, ato bien mbi kokën e punëtorit”, “pushteti nuk mbahet me shiringa”, “fjalimi është i papjekur, nuk i takon atij të merret me flokët e gjata të fëmijëve dhe fustanet e grave”, “Ay duhet të shikojë furnizimin e dyqaneve”, Populli ka mbet me punue si kali, me hangër si miu dhe me qen frikacak si lepuri”, “Nuk është populli ai që ka gabuar, por janë komunistët, janë fëmijët e të mëdhenjëve që kanë hapur modën e televizorëve dhe funksionarët”, “Udhëheqësit e Partisë janë vetëm nga jugu”, “Këta i shikojnë gjërat me syrin e një 60 vjeçari, harrojnë se kanë qenë edhe vetë të rinj”, “Enver Hoxha si kësaj rradhe, nuk është treguar asnjëherë kaq i egër”.
Komente në drejtim të artit dhe letërsisë
“Nuk kemi letërsi, shkrimtarët janë servilë të këtyre, talentet janë të destinuara të dështojnë, a ka gjë më të tmerrshme se të shkruash atë që nuk e ndjen”. Këta armiq në komentet e tyre lavdërojnë shkrimtarët reaksionarë, duke i konsideruar njerëz të zot, në mes tyre propagandojnë: Padër Gjergj Fishtën, Musine Kokalarin dhe Bilal Xhaferrin.
Komentet në drejtim të gadishmërisë luftarake
Për të ngjallur panik dhe pasiguri në masat punonjëse, këta element armiq propagandojnë duke thënë se “sado përgatitje luftarake që të bëjmë, ne nuk i rezistojmë dot sulmit, se ata që do të sulmojnë, janë shtete më të mëdha në numër dhe në teknikë luftarake, këta i mundojnë njerëzit kot në zboret ushtarake, duke bërë gjithë këto shpenzime në kurriz të popullit.
Komiteti i Partisë gjatë këtyre muajve të vështirë, i është përgjigjur flakë për flakë veprimtarisë së elementit armik, duke ngritur në një shkallë më të lartë punën politike me masat dhe si rrjedhim duke forcuar vigjilencën revolucionare, jo vetëm me komunistët dhe kuadrot, por edhe në të gjithë punonjësit e rrethit.
Gjatë kësaj periudhe, organet e drejtësisë kanë arrestuar deri tani 5 veta për veprimtari të theksuar armiqësore dhe organet e gjurmimit dhe operative po bëjnë një punë studimore për të bërë dhe goditje të tjera tek elementët me veprimtari armiqësore. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe është filluar çështja penale për probleme ordinere (vjedhje, rrahje, plagosje etj.), të 16 vetave në gjendje arresti dhe 14 në gjendje të lirë.
Duke analizuar veprimtarinë e elementit armik në momentet aktuale, Komiteti i Partisë dhe organizatat bazë kanë tërhequr konkluzione dhe po bëjnë një punë të studjuar për t’ju përgjigjur veprimtarisë armiqësore të Vatikanit. Me anën e organizatave të Frontit po bëhet një punë e mirë me masat punonjëse, duke demaskuar persona të veçantë që ushtrojnë veprimtari pro klerik katolik, sidomos në zonën e Laçit.
Duke pasur parasysh masat që janë marrë kohët e fundit nga ana e Partisë dhe pushtetit në rreth ndaj elementëve armiq, na rezulton se elementi armik ka filluar të mos agjitojë e propagandojë, të jetë më i rezervuar. Megjithatë Komiteti i partisë ka nxjerrë konkluzionet se kjo është manovër e elementit armik, i cili po përpiqet të gjejë dhe zbatojë forma të reja pune.
Për këtë qëllim, Komiteti i Partisë ka instruktuar sekretarët e organizatave bazë, k/propagandistët, propagandistët, lektorët, përgjegjësa të organizatave të masave etj., që të ngrenë në një shkallë më të lartë vigjilencën revolucionare në qendra pune, kooperativa bujqësore, lagje etj.
Gjatë diskutimit të fjalës së shokut Enver, doli se gjendja morale dhe politike në rreth është e shëndoshë, por duke parë komentet dhe parrullat e elementit armik, Komiteti i Partisë ka marrë këto masa:
Nga organizatat bazë të Partisë dhe organizatat e masave, është itensifikaur puna ideo-politike, duke zhvilluar në këto vende të gjithë ata që kanë përvetësuar pasurinë socialiste. Për këtë qëllim po përdoren më mirë propagandistët dhe lektorët, të deleguarit të Komitetit të Partisë gjatë diskutimit të fjalimit të shokut Enver, ndihmuan në sqarimin e situatës së brendëshme dhe të jashtëme.
Komiteti i Partisë së rrethit kohët e fundit po aktivizon më mirë kuadrot dhe lektorët në shkallë rrethi, duke zhvilluar një punë të diferencuar politike, në disa zona të rrethit, sidomos në zonën e Laçit.
Me qëllim që të demaskojë propagandën armiqësore që ka ndërmarrë kundër vendit tonë Vatikani, Komiteti i Partisë së rrethit, veçanërisht në Laç Bilaj dhe Gurëz, ka bërë një punë të diferencuar, duke demaskuar propagandën armiqësore të klerit, janë lexuar dhe komentuar artikujt e shumtë të shtypit, janë satirizuar me skeçe dhe parodi të ndryshme këto dogma dhe kjo ideologji. Edhe në të ardhmen këto probleme do të qëndrojnë në qendër të vëmendjes nga Komiteti i Partisë e organizatave bazë, veçanërisht në këto zona.
Nga ana e Komitetit të Partisë dhe organizatave të masave është itensifikuar puna për zhvillimin e agjitacionit të vogël gojor. Komunistët dhe kuadrot po zhvillojnë një punë të diferencuar, me individë të veçantë, me grupe punonjësish, në skuadra dhe vende të tjera pune, për sqarimin e situatës politike që ka vendi ynë.
Në drejtim të agjitacionit figurativ, kohët e fundit u morrën masa për freskimin dhe ripërtëritjen e tij. Në qëndrat e qyteteve si dhe në ndërmarrje dhje kooperativa bujqësore dhe institucione të ndryshme po vazhdon të vendosen parrulla q ëi përgjigjen detyrave aktuale në frontin ideologjik.
Nga organizatat bazë të partisë dhe kryesitë e organizatave të masave po punohet për rritjen e vigjëlencën revolucionare të masave. Në këtë drejtim po bëhen përpjekje për të njohur më mirë elementin e deklasuar. Komiteti i Partisë së rrethit do të bëjë një studim për përbërjen politike të kuadrit ne rrethe.
Në vënde me vlera materiale të vendosën njerëz të ndershëm e me qëndrim të mirë politik, duke marrë masa që me kohë të largohen të gjithë ata që kanë përvetësuar pasurinë socialiste. Komiteti i Partisë ka tërhequr vëmëndjen e organeve të Drejtësisë, sepse në disa procese gjyqësore janë treguar shumë të butë në gjykim. Për këtë këtyre u është vënë detyrë që recidivistëve, t’u jepet një dënim i rreptë penal dhe gjykimi i disa çështjeve tipike të bëhet në kolektiv pune, lagje, për të nxjerrë mësime, kryesisht për parandalim të përgjithshëm.
Masat e marra për ruajtjen e sekretit
Në zbatimin e vendimeve të Qeverisë për ruajtjen e sekretit shtetëror, si dhe të Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të vitit 1971 për këto çështje, duke pasur gjithmonë parasysh se vendi ynë ndërton socializmin në kushte të një lufte të ashpër klasore brenda dhe jashtë vendit, Komiteti i Partisë i ka kushtuar një kujdes të veçantë momentit për të krijuar një koncept sa më të drejtë për dokumentet dhe materialet që duhen konsideruar sekret, si dhe për ruajtjen sa më me kujdes të tyre.
Tani nëpër të gjitha organizatat bazë dokumentet e partisë janë të vendosura nëpër kasaforta të siguruara mirë, po kështu është vepruar në të gjitha administratat e ndërmarrjeve dhe institucioneve të rrethit. Zyrat e kuadrit, veç kasafortave kryesore, kanë siguruar edhe kaseta metalike të manovrueshme etj.
Dega e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Komitetin Ekzekutiv gjatë vitit që shkoi e deri më tani kanë organizuar pesë sondazhe, gjatë të cilave janë konstatuara edhe të meta. Karakteristike është se nga kontrolli në kontroll ka pasur përmirësim të dukshëm dhe detyrat që janë lënë janë zbatuar rrigorozisht. Tani në aparatin e Komitetit të Partisë dhe atë Ekzekutiv nuk gjen më dokumente sirtaret e tavolinave dhe rrafet, por në kasafortë. Dyert dhe sekretaritë e kartotekave, pavarësisht nga kati, janë të siguruara me hekura. Kujdes gjithashtu u është kushtuar bisedave telefonike, janë porositur shokët që të mos zhvillojnë dialogje që përbëjnë sekret, kështu është vepruar edhe për korespondencën.
Masat që janë marrë për forcimin e regjimit të kufirit
Rrethi ynë ka një sektor të vogël të brezit kufitar, në zonën e Patogut, në dy fshatra. Në këtë zonë repartet e kufirit janë marrë masa për ruajtjen dhe zbatimin e rregullave të regjimit kufitar. Nga ana e Partisë dhe pushtetit në rreth duke u konsultuar edhe me shokët e Degës së Brendshme, është studjuar personeli i sektorit të peshkimit. Gjithashtu janë caktuar rregulla në bazë të ligjeve në fuqi, për lëvizjen dhe qarkullimin e varkave të peshkimit, janë caktuar zonat dhe kufijtë, si dhe ku e si do të bëhet gjuetia e peshkut.
Në këtë zonë nuk kemi pasur ndonjë shqetësim përkundrazi, punëtorët e peshkimit kanë rritur vigjilencën, saqë në një rast, kur në muajin maj të këtij viti shkuan 3 të rinj nga qyteti I Laçit për të vjedhur, ata u kapën nga puntorët në momentin që thyen magazinën dhe i’u dorzuan organeve të Policisë Popullore. Gjithashtu kujdes është treguar gjatë stinës së verës në plazh. Kanë qenë në kontroll të vazhdueshmë varkat e shëtitjes nëpër det, të cilave u është caktuar vendi, koha dhe distanca e lundrimit./Memorie.al
SEKRETARI I KOMITETIT TË PARTISË RRETHIT
Kozma Beqari