Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, priti në takim kryetarin e Athinës, Kostas Bakoyannis, i cili e përgëzoi për zgjedhjen kryeministër dhe për stabilitetin që ka sjellë në vend fitorja në zgjedhje.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se kryeministri Kurti e vlerësoi nivelin aktual të marrëdhënieve me Greqinë, veçanërisht me Athinën, dhe shprehu interesin që të zgjerohet edhe më tej ky bashkëpunim.
“Kryetari Bakoyannis shprehu bindjen se zbatimi i reformave të nevojshme në Kosovë, në përputhje me rekomandimet e BE-së, do të fuqizojë perspektivën evropiane të Kosovës. Ai përsëriti mbështetjen e Greqisë në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftimin e bërë nga zyra e Kryeministrit.
Më tej në njoftim thuhet se në takim u bisedua për gjendjen në ballafaqim me pandeminë COVID-19, mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë për të dy vendet dhe popujt.