MENU
klinika

Albert Çaçi

Traktati INF dhe deterrenca nukleare

28.10.2018 - 14:08

Qeveria e SHBA  njoftoi qëllimin e saj për të dalë nga Traktati mbi armët nukleare me rreze të mesme veprimi INF (Intermediate Range Nuclear Forces Treaty) që është në fuqi që nga viti 1987,  ekskluzivisht midis SHBA dhe ish-BRSS, tani Rusia. 

Traktati ndalon zhvillimin dhe përdorimin  e raketave me një distancë nga 500 deri në 5500 km. Në thelb raketat me rreze të mesme veprimi  mund të lëshohen  me një shpejtesi shumë të madhe dhe të mbulojnë distancën deri tek kundërshtari  në një kohë shumë të shkurtër dhe  që nuk e lejon atë  të kundëreagojë në kohë.

Traktati INF i dhjetorit 1987  nuk kishte si qëllim të bënte të pamundur një luftë nukleare por synonte ta bënte  atë më të vështirë duke eleminuar një nga komponentet me të rrezikshëm  të saj  ku mbrojtja nga këto tipe raketash  bëhej shumë vulnerable.

Ky traktat eleminoi reth 2700 raketa balistike duke i dhënë fund një rreziku permannet dhe stresues  për kontinentin europian dhe duke nisur  një periudhë 30-vjeçare paqeje dhe zhvillimi.

Shumë ekspertë ushtarakë mendojnë  se Trump synon të dalë nga Traktati i 1987 për të rinegociuar një të ri ku të marrë në konsideratë një gamë më të gjerë të sistemeve raketore sidomos pasi SHBA akuzon Rusinë se ka shkelur këtë traktat në mënyrë të fshehtë.

Në radhë të parë një nga raketat më të rrezikshme dhe të painterceptueshme Iskander, konvencionale dhe nukleare taktike  që Rusia pretendon se ka një rreze 480 km (në limitet e traktatit), por që SHBA e vë në dyshim. Nga Kaliningradi ku ato janë dislokuar,  kjo tip raketa për 6 minuta mund të godasë  Berlinin. Po kështu ky Traktat në atë kohë nuk mund të merrte në konsideratë zhvillimet e sistemeve raketore nga anijet dhe kështu ishte eskluzivisht për raketat tokë- tokë. Gjithashtu edhe  raketat e reja sekrete SSC-8 përbëjnë një shkelje të rëndë nga Rusia që  nuk jep detaje për këto zhvillime.

Dhe mbi të gjitha ky Traktat  ka një shqetësim  shumë të madh, Kinën që në vitin 1987 ishte një vend i botës së tretë. 

Ideja për ta internacionalizuar këtë Traktat nuk u mor asnjëherë seriozisht si nga SHBA ashtu dhe Rusia  dhe asnjëherë nuk u tentua për të futur këtu edhe Kinën.

Sot nëse ky traktat do të aplikohej për Kinën, ajo duhet të eleminojë mbi 95% të reth 2000 IRBM e saj.

Ky traktat historik bilateral e la Kinën që të akumulojë një arsenal raketor balestik të përqendruar në rafshnaltën e Tibetit  që rrezikojnë tashmë si territorin e SHBA, aleatëve të saj por edhe atë të Rusisë, Pekini nuk ka shprehur asnjëherë interes për këtë traktat dhe nuk do ta marrë në konsideratë këtë hipotezë.

Kina tashmë është një realitet i ri strategjik  dhe ndaj saj duhet gjetur pikat e deterrencës. Jo më kot Kina u shpreh kategorikisht kundër eleminimit të këtij traktati. Duket qartë që i jep avantazh strategjik.

Në  fakt gjithë kuadri i kontrollit të armëve  bërthamore tashmë është në rrezik. Në vitin 2021 skadon dhe traktati kryesor për kontrollit e armëve bërthamore START -3  ku në një nga  pikat  e tij parashikon shtyrjen deri në vitin 2026. Por si Trump ashtu  dhe Putin nuk parashikojnë ta rinovojnë atë, aq më tepër që SHBA në 2020 do të kenë  zgjedhjet presidenciale  dhe ndryshimet politike mund të ndryshojnë trajektoret  vendimmarrëse.

Aktualisht kuadri i përgjithshëm botëror po demonstron një rivalitet të ashpër gjeopolitik midis SHBA dhe Rusisë nga njëra anë dhe SHBA-Kinë nga ana tjetër.

Bolton, këshilltari  për  sigurinë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë  kritikoi  së fundmi çdo lloj traktati që limiton sovranitetin e SHBA. Kështu që po duket qartë  se pas vendimit të Bush në 2002 për daljen nga Traktati anti raketë ABM, dalja iminente  nga INF, do të çojë drejt fundit edhe traktatin  START-3.

Bota do të lirohet nga kondicionimet dhe një garë armatimi bërthamore me teknologji të reja po duket tashmë në horizont me  gjithë konseguencat që ajo mbart.

Por nëse do të lihet e lirë kjo garë armatimi bërthamor, atëherë shtohet pyetja  se ku do të vendosen këto raketa të reja kaq të rrezikshme me konseguanca të mëdha për sigurinë e çdo vendi?

Problemi komplikohet tashmë në Europë. 35 vjet më parë në kulmin e Luftës së Ftohtë, Britania, Italia, Belgjika, Gjermania dhe Hollanda pranuan të vendoseshin 572 raketa Pershing-2. Sot asnjëri nga këto vende nuk e merr më në konsideratë, pasi raketat ruse tashmë të sofistikuara do të drejtoheshim  direkt  mbi to.

Nëse do të jetë e vështirë nga vendet perëndimore SHBA mund të detyrojë  vendet e Europës Lindore sidomos  republikat balltike. Vendosja e këtyre raketave këtu mund të godasin Shën-Petërsburgun brenda një minute  dhe Mosken për 3 minuta. Këtu reagimi i Moskës mund të jetë agresiv dhe mund të ndërrmarrë sulm preventin ndaj këtyre republikave, dhe  rreziku i një konflikti në Europë do të jetë me një propabilitet jashtëzakonisht të lartë.

Edhe Moska, 35 vjet më parë i vendosi  raketat e saj SS-20 në RDGJ, Çekosllovaki dhe Hungari  kurse sot ajo mund t’i vendosë në enklavën e saj në Kaliningrad në kufi me Poloninë  dhe tashmë edhe  në Krime duke mbuluar gjithë territorin e Europës.

Po kështu edhe në Azi SHBA mund të kenë problem për t’iu imponuar Japonisë, Koresë së Jugut, Filipineve dhe Vietnamit  vendosjen e këtyre raketave duke iu ekspozuar raketave kineze dhe ruse. Kështu që praktikisht SHBA mund t’i vendosë në territorin e saj në ishujt e Hawait  dhe Guamit në Paqësor.

Rusia mund të kundërpërgjigjet  në Lindjen e Largët  ku  nga gadishulli i Kamcatkës mund të godasë Alaskën dhe  bregun perëndimor amerikan.

Armët nukleare janë nga natyra mjaft të rrezikshme dhe përdorimi i tyre sjell një përshkallëzim të pakontrolluar.  Sot si SHBA dhe Rusia kanë nje arsenal të tillë armësh nukleare ku secila mund të shkaterrojë  gjithë globin 10 herë. Kështu që nuk ka shumë rëndësi kush e nis i pari, fundi do të jetë i tmerrshëm edhe për “fitimtarin”. Evolimi i frikshëm i potencës se armëve nukleare sot mund të zhdukë nga harta shtete të tëra vetëm me një raketë.

 Në këto kushte merr një rëndësi fondamentale  deterrenca.

Deterenca është një  armë psikologjike aktive mbi perceptimin dhe potencialin e kundërshtarit  por humbet eficencë kur nuk ke  një kapacitet sulmi të besueshëm. Gjykimi nuk përcaktohet vetëm nga lloji i armatimit strategjik që disponon.

I vetmi përdorim pozitiv i armëve bërthamore është pikërisht deterrenca që vjen nga mospërdorimi i tyre.

Deterrenca është efikase kur ajo përcakton qartë  kërcënimin dhe këtu ka rol diplomacia që forcon sigurimin e kundërshatrit për mossulmim. Pa një sigurim të besushëm  për mospërdorimin e  armëve nukleare  deterrenca kthehet në një rrezik iminent për nisjen e një lufte, pasi nuk janë të pakët ata që mendojnë (në përgjithsi politikanët) se kush godet i pari fiton luftën. Por kjo  për ushtarakët  është absolutisht e gabuar.

Sidoqoftë eleminimi i Traktatit  INF të vitit  1987, që mund të pasohet edhe nga mos rinovimi i START-3 është një sinjal preokupant për gjithë botën pasi rreziku i një konflikti nuklear botëror mund të rritet me një propabilitet të frikshëm.

 Një botë ku një garë armatimi bërthamor  jashtë kontrollit do të jetë një vend shumë i rrezikshëm ku do të mjaftonte një gabim llogaritje ose një incident tragjik për t’i dhënë rrugë një konflikti apokaliptik.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Albert Çaçi

Pasojat e globalizmit