MENU
klinika

Vijon të pësojë rënie shkalla e infeksionit

Pas zgjedhjeve, në pikëpyetje ecuria e pandemisë në vend!

11.05.2021 - 07:59

Ndonëse zgjedhjet ikën, ajo që nuk dihet ende është impakti i tyre në pandemi.

Kanë qenë jo të paktë ata që kanë ngritur shqetësimin për rritje të shifrave të infeksionit pas 15-ditëshit të parë të këtij muaji, megjithatë kjo mbetet për t’u parë. Ajo çka mund të thuhet me siguri deri më tani është që shkalla e infeksionit vijon të pësojë rënie, duke dëshmuar një përmirësim të ndjeshëm të situatës.

Shefja e Shërbimit të Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, thotë se janë ulur të infektuarit dhe pozitiviteti nga COVID-19 aktualisht është nën 5%, por duhet të presim 4 javë për të parë nëse do të vijohet me këta tregues apo do të ketë rritje të kurbës.

“Duhet të presim të paktën dy periudha inkubacioni, pra 2 herë, 2 javë, që të themi me saktësi impaktin që do të kenë zgjedhjet në përhapjen e infeksionit. Por për momentin, kemi një situatë të pëlqyeshme, ku jo vetëm kemi shifra të ulëta, por edhe pozitivitet të ulët, poshtë 5%”, tha Bino.

Ecuria e shifrave do të diktojë edhe vijimësinë e masave, pra nëse do të qëndrojnë në fuqi masat ekzistues apo do të ketë lehtësim. Bino ngriti shqetësimin për mosmbajtjen e maskave veçanërisht në ambientet e mbyllura, gjë që sipas saj mund të çojë në përkeqësim të situatës. “Unë ve re që nuk po mbahen maskat, gjë e cila është pafalshme, sepse mund të na çojë në një situatë më të agravuar, aq më tepër që të dhënat tregojnë se virusi përhapet në ajër, deri në largësi 1.5 metra”.

Ndërkohë, lidhur me procesin e vaksinimit, shefja e Shërbimit të Epidemiologjisë në ISHP mohoi të ketë pasur efekte anësore të rënda te të vaksinuarit.

RASTET

E hëna ka nisur po ashtu me rënie të shifrave. Në 24 orët e kaluara janë raportuar vetëm 30 raste të reja nga rreth 1440 testime të kryera. “Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 10 raste në Tiranë, 3 raste në Korçë, Devoll, Sarandë, 2 raste në Vorë, 1 rast në Shkodër, Fier, Lushnje, Vlorë, Mirditë, Kamzë, Malësi e Madhe, Kolonjë, Gramsh”, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë. Ndërkohë, janë shëruar 952 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 118,041 që nga fillimi i epidemisë. Rënia e rasteve të reja nga njëra anë, dhe shifrat e larta të të shëruarve në anën tjetër, kanë sjellë edhe rënie të ndjeshme të të infektuarve aktivë në shkallë vendi. Aktualisht numri i të infektuarve aktivë ka zbritur në 11,296 persona.

FATALITETET

Por, 24 orët e fundit kanë sjellë një rritje të rasteve fatale, përkundrejt një dite më parë. “Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, betejën me COVID-19 nuk e kanë fituar 4 qytetarë: 1 qytetar nga Gjirokastra, 1 qytetar nga Berati, 1 qytetar nga Pogradeci, 1 qytetar nga Fushë-Arrëzi, të moshave 51-79 vjeç”. Sakaq, vijon të jetë e qëndrueshme situata në spitalet COVID, jo vetëm në rrethe por edhe në Tiranë, ku numri i të shtruarve vijon të pësojë rënie nga dita në ditë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në spitalet COVID po trajtohen 99 pacientë, 6 në terapi intensive, nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga siguria, efikasiteti dhe efektet anësore

9 gjërat që duhet të dini për vaksinat

AP: Ose na tregoni se ju interesoheni për ne ose...

Ballkanasit ndihen të braktisur ndërsa në Europë ka nisur vaksinimi