MENU
klinika

“The Guardian”

Nga arkivat e Nobelit… frika për sigurinë e Sollzhenicinit

14.05.2021 - 14:03

        Dokumentet e Akademisë Suedeze zbulojnë debatin për emërimin e shkrimtarit disident, laureat të letërsisë në 1970, katër vjet para dëbimit nga Bashkimi Sovjetik. Sollzhenicini, figurë e njohur e disidencës nën regjimin sovjetik, i pari që i zbuloi botës realitetin e kampeve të përqendrimit sovjetik në veprat: “Një ditë nga jeta e Ivan Denisoviçit”, “Rrethi i Parë” dhe “Arkipelagu Gulag”./Konica.al

Arkivat e sapohapura të Akademinë Suedeze kanë zbuluar shqetësimin e thellë që mbizotëronte mes anëtarëve të jurisë së “Nobel”-it për pasojat që e prisnin Aleksandër Solzhenicinin, nëse shkrimtarit disident sovjetik do t’i jepej çmimi për letërsi në 1970. Autori i “Një ditë nga jeta e Ivan Denisoviçit”, i cili zbulon tmerret e gulagëve të Stalinit në shkrimet e tij dhe përfundimisht u dëbua nga Bashkimi Sovjetik, u emërua laureat i “Nobelit” atë vit, i lavdëruar nga komiteti për “forcën etike me të cilën ai ka ndjekur traditat e domosdoshme të letërsisë ruse”. Mirëpo, arkivat e Akademisë Suedeze, të cilat qëndrojnë të vulosura për 50-vjet pas emërimit të secilit laureat, së fundi kanë zbuluar debatin e ashpër mes anëtarëve rreth faktit se ç’do të nënkuptonte fitorja për Solzhenicinin.

“Ekzistojnë rrethana të jashtme, që njihen nga të gjithë si jashtëzakonisht të vështira për t’u vlerësuar: nëse një çmim “Nobel” për Sollzhenicin do ta ndihmojë ose do ta dëmtojë atë”, – shkruan anëtari i akademisë Artur Lundkvist, në dokument. “Diskutimi shumëplanësh për kandidaturën e tij, nuk merr parasysh pasojat për shkrimtarin. Është kryesisht një çështje demonstrimi kundër Bashkimit Sovjetik, njëlloj e justifikueshme dhe e pajustifikueshme. Megjithëse, çmimi “Nobel” nuk duhet të shndërrohet në fushëbetejë interesash politike”.

Më parë, Akademia i kishte akorduar Nobelin, Boris Pasternakut më 1958, pas botimit të “Doktor Zhivago”. Pasternaku e pranoi çmimin, por më pas u detyrua ta refuzonte nga presioni i autoriteteve sovjetike, që ia kishin ndaluar romanin. Në vitin 1965, çmimi i shkoi Mihail Shollohovit, shkrimtar i cili, ishte i pranueshëm për qeverinë sovjetike./Konica.al

SOLZHENITSYN AND BÖLL, 1974. Russian writer Alexander Solzehnitsyn (left) and German writer Heinrich Böll photographed outside Böll’s residence in Langenbroich, West Germany, February 1974, following Solzhenitsyn’s exile from the Soviet Union.

Henry Olsson, një tjetër anëtar i akademisë, kundërshton pikëpamjen e Lundkvistit: “Pikërisht sepse i dhamë çmimin stalinistit Shollohov në 1965, paanësia kërkon që gjithashtu ne të jemi në gjendje t’ia japim atë një komunisti më kritik ndaj sistemit, siç është Solzhenicini”. Schueler vëren se formulimi i Olsson është i dykuptimtë, por shton se “sugjeron që dhënia e çmimit Shollohovit ishte një mënyrë për të qetësuar shtetin sovjetik, që kishte persekutuar me agresivitet Pasternakun”. Lundkvist kishte një tjetër shqetësim për Solzhenicin: a ishte vërtet i mirë shkrimi i tij? Në atë kohë, Solzhenicini kishte botuar “Një ditë nga jeta e Ivan Denisoviçit”, ku përshkruante një ditë në një gulag sovjetik dhe veprat kryesore: “Rrethi i Parë” dhe “Pavijoni i kancerozëve”. Kryevepra: “Arkipelagu Gulag”, të cilin ai e shkroi në fshehtësi në Bashkimin Sovjetik, do ta shihte dritën e botimit vetëm më 1973 dhe rezultoi me dëbimin e tij vitin pasues. Lundkvist mendonte se vlera artistike e librave të Solzhenicinit ishte “përgjithësisht neglizhuar”, duke argumentuar se shkrimi i tij “duket mjaft primitiv dhe jointeresant”, kur krahasohet me romanet e tjerë të shekullit të 20-të. Olsson nuk ishte dakord, duke argumentuar se Sollzhenicin “zotëron një njohuri njerëzore, një forcë ndjeshmërie dhe një intensitet në aftësinë artistike, që e bën të pamundur një mendim të tillë”.

Në vitin 1970, Sollzhenicini fitoi mes kandidatëve për “Nobel”, me kilianin Pablo Neruda (i cili fitoi në 1971) dhe australianin Patrick White (i cili, fitoi në vitin 1973). Mirëpo, rruga e tij për të marrë çmimin nuk qe aspak e lehtë. Asokohe, i sulmuar nga Partia Komuniste dhe KGB-ja, autori druhej se nëse do të shkonte në Stokholm për të pranuar “Nobelin”, do t’i hiqej shtetësia sovjetike dhe do t’i ndalohej kthimi.

Iu propozua t’ia jepnin çmimin në ambasadën suedeze në Moskë, por Solzhenicin u tërbua me sugjerimin e një ceremonie private, duke i përshkruar kushtet si “një fyerje për vetë çmimin “Nobel” dhe ngriti pyetjen nëse fitorja e tij ishte “diçka për të ndier turp dhe për t’u fshehur nga njerëzit”. Ishte planifikuar që Sekretari i Përhershëm i Akademisë Suedeze, Karl Ragnar Gierow, t’ia jepte çmimin Solzhenicinit në një apartament në Moskë. Mirëpo, kur Gierow iu refuzua viza, autori u zemërua përsëri dhe në një letër të hapur për shtypin, ai i kërkoi Akademisë Suedeze që “ta mbante simbolin “Nobel” për një kohë të pacaktuar”, duke shtuar: “Nëse nuk jetoj vetë aq gjatë, atëherë ia lë amanet djalit, detyrën e marrjes së çmimit”. Sidoqoftë, Sollzhenicini ende donte ta mbante fjalimin  “Nobelit”. Stig Fredrikson, korrespondenti i jashtëm suedez takoi autorin dhe i futi kontrabandë negativët e fjalimit në Helsinki, ngjarje që Fredrikson, më vonë i përshkroi si të ngjashme me një thriller spiun. “Fjalimi u botua në shtypin suedez dhe ndërkombëtar në gusht 1972”, – shkruan ai në një ese, për faqen e internetit “Nobel”. “Ishte një tekst shumë i fuqishëm, që shkaktoi sensacion kur doli dhe u citua në të gjithë botën. Ishte hera e parë që Sollzhenicini, përmendi dhe bëri të njohur emrin “Arkipelagu Gulag”, ku, siç thoshte ai “ishte fati im të mbijetoja, ndërsa të tjerët – ndoshta me një talent më të madh dhe më të fortë se unë – kishin vdekur”.

Pas mërgimit në 1974, Solzhenicini mori medaljen “Nobel” në Stokholm. Së bashku me familjen u transferuan në SHBA, ku jetuan për gati 20 vjet. Vdiq në Moskë në vitin 2008, në moshën 89-vjeçare. Patrioti i veshur nga një forcë profetike dhe një vendosmëri e krahasuar me atë të një Dostojevski, i sigurt se ishte përzgjedhur nga fati, që i kishte mundësuar të mposhte kancerin, shkrimtari, mjekra e gjatë e të cilit e bënte të përngjante me intelektualët e mëdhenj të shekullit XIX, ia kushtoi jetën luftës kundër totalitarizmit komunist./Konica.al

 

(“The Guardian”)

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Gjenerali” mes plejadës elitare

Kritika zgjedh pa rezerva Kadarenë


Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur” vjen i restauruar për publikun

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen