MENU
klinika

Nga Bedri Islami

Pse 25 prilli 2021 nuk mund të risjellë 17 majin e 2017

17.05.2021 - 11:03

Katër vite më parë, pikërisht më 17 maj 2017, pas një qëndrimi kokë më kokë, ende është enigma e asaj që është biseduar në një takim tejet enigmatik, Edi Rama dhe Lulzim Basha dolën nga njëra prej sallave të Kuvendit duke paralajmëruar një marrëveshje të re, e panjohur deri asaj dite dhe që la pas vetes shumë hije dhe dyshime: në zgjedhjet e qershorit, të cilat u shtynë për vetëm një javë, dy forcat politike do të shkonin me një qeveri të përbashkët, ku postet do të ndaheshin bujarisht shpejt dhe dikasteret kryesore dhe disa institucione të rëndësishme financiare do të kalonin në varësinë dhe pushtetin e opozitës.

Marrëveshja dukej e pabesueshme, diçka irreale dhe, sado të kërkoje nuk do të mund të gjeje një vizion dobiprurës për zgjedhjet e afërta, veç asaj që një pallat i vjehrrit të Bashës, ndërtuar me leje të dyshimtë, por jashtë gjithë kritereve buzë detit, në Vlorë, i cili sapo ishte hedhur në erë do të shpërbehej me rreth 14 milionë euro, ndërkohë çadra e madhe në bulevard do të shkulej brenda natës, së bashku me thirrjet për rezistencë dhe “ Rama ik” që kishin sunduar në bulevardin kryesor.

Çadra u hoq dhe bashkë me të edhe era e qofteve që shkonin aty nga një restorant, si thanë i Eduard Halimit, ish ministri i Drejtësisë në një kohë të shkurtër, i mbajtur mend si kryetari i Komisionit parlamentar të 21 janarit, i njohur si komisioni që fshehu vrasjet dhe u kthye në një strukturë çapaçule.

Pak ditë më pas disa ministra dhe zëvendëskryemistra, të gjithë të emëruar nga PD-ja, u ulën në poltronët ministrorë, duke drejtuar dikasteret elitë, që nga e brendshmja e deri tek ajo e drejtësisë, dhe, të gjitha së bashku nuk e shpëtuan Bashën nga humbja katastrofë e vitit 2017, ku e gjithë PD-ja u ngulit në një sinor të ngushtë.

Eksperimenti i bërë nga dyshja Rama – Basha, katër vite më parë ishte një zgjidhje e çastit të fundit, pikërisht atëherë kur të gjithë po përgatiteshin të shënonin me gisht Edi Ramën si njeriun e të gjitha të këqija dhe që ndërroi ngjyrat e lojës në pak orë, duke shpallur një fejesë të detyrueshme që kishte para vetes divorcin politik dhe, të cilës, katër vite më pas, i doli njëra nga objektivat e pashpallura: dërrmimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke e dërguar atë në sinoret e saj realë.

Çfarë bëri 17 maji dhe cilat ishin dobitë apo risitë që mund të ishte menduar nga dy liderët në atë dhomë të veçantë, ku edhe përgjuesit ishin ndalur, sekretin e së cilës ata e kanë thënë veçse me ngurrime, në copëza të vogla dhe gjithnjë enigmë?

Asnjë dobi nuk kishte ajo qeverisje e arnuar dhe pastaj e qepur keq, nga e cila, njëri, i opozitës mori 17 milionë euro, e tjetri një pushtet katër vjeçar, duke u përgatitur edhe për mandatin e tretë.

Në fakt, fitorja e 25 prillit e Edi Ramës fillon që nga 17 maji i vitit 2017, kur njerëzit normalë e vunë re dhe e kuptuan tmerrësisht shpejt se sa i përkulshëm dhe i thyer ishte Basha, sa joshje kishin për të disa dikastere dhe institucione të fuqishme financiare, e mbi të gjitha, ajo që mori në familjen e tij. Politika kishte një precedent të ri, pas së cilit askush nuk do të mund t’i besonte Bashës se kishte pasur para vetes një vizion të ri për shtetin, jashtë vetes dhe përfitimit; se gjendja e krijuar prej tij do të ishte solide edhe më tej; se në vetë opozitën diversiteti i mendimit do të kishte sjellë edhe qëndresën. Gjithçka u shua në pak orë dhe tingujt e sahatit të politikës filluan të binin ndryshe.

17 maji solli edhe divorcin mes dy aleatëve të së majtës, PS dhe LSI, që kishte qenë një bashkim fatkeq dhe i gatshëm për t’u prishur.

Tjetër, asgjë. Si çdo gjë fiktive dhe e përkohshme ajo nuk solli as dobi dhe as vitalitet. Përfitimi ishte zero dhe, nga të gjithë të deleguarit e Bashës në qeveri mbeti vetëm njëri, zoti Bardhi, ish ministri i drejtësisë. Më e afta dhe me e përgjegjshmja prej këtij ekipi, zëvendëskryeministrja , zonja Mandia nuk ishte dhe nuk është më pjesë e ekipit elitë të opozitës .

Tani, si duket fantazma e 17 majit ka nisur të sillet përsëri mbi kokën e politikës sonë. I joshur nga ajo që ndodhi katër vite më parë dhe duke synuar një eksperiment të ri, Rama u ka dërguar një letër të bardhë opozitës për një formë të re bashkëpunimi, pa vendosur asnjë vijë të kuqe mes tyre. Opozita, tani për tani, e ka kundërshtuar idenë e Ramës, megjithëse i tundon karremi i pushtetit. Askush nuk e di se cila mund të jetë vija e kuqe e shefit të qeverisë dhe, si duket, si në 17 maj, gjërat do të mund të mbetin brenda një rrethi të ngushtë, ose thjeshtë mes dy vetëve.

Përvoja e 17 majit 2017 tregoi se bashkëqeverisja në kushtet e kësaj antante politike, plot shpërthime, kërcënime, grupe dhe struktura të përforcuara, me akuza për vjedhje votash dhe krime e masakra elektorale, me skifterë në të dyja palët, me deputetë që mund të jenë nesër të akuzuar, drejtues të grupeve për mbrojtjen e votës, një strukturë para ushtarake dhe para policore; me të fortët nën sqetullën qeveritare, ekonominë që kërkon një drejtim të fortë dhe të saktë, me eunukë politikë që tentojnë të vetëshpallen si dishepujt e dhunës, është e vështirë, në mos e pamundur të bëhet.

17 maji i vitit 2017 nuk është 25 prilli i këtij viti. Janë thellësisht të ndryshëm dhe në shumë raste të kundërt.

Më 17 maj opozita ishte në një çadër të madhe, pa ide dhe duke pritur zgjedhjet e qershorit, në të cilat ishte përbetuar se nuk do të merrte pjesë pa u larguar Edi Rama nga drejtimi i qeverisë. Tani zgjedhjet kanë përfunduar, mandati është dhënë i plotë, kontestimet janë bërë të zakonshme pas çdo zgjedhjeve, asgjë nuk është e njëjtë.

Nëse PD do të fillojë të shkruajë mbi letrën e bardhë, kjo edhe mund të ndodhë, atëherë do të duhej të qartësonte votuesit e saj përse gjithë këto muaj janë hedhur male me akuza ndaj shefit të qeverisë: a do të mund të bëjë ajo harakiri politik dhe të krijojë modelin e një force politike që, si mund të thuhet: i paguhet prurësit më të parë?

Nga ana tjetër, shumica qeverisëse, në letrën e bardhë të saj do të duhet të shkruajë se, më parë se të jemi për një qeveri të përbashkët, përsëritja të 17 majit, ndjehet fajtore për devalimin e votës, dhe kjo votë nuk i është dhënë për letra të bardha, por për krijimin e një programi qeveritar të saktë, të qëndrueshëm, thellësisht të kontrollueshëm.

17 maji i përsëritur do të bënte që vendi të kishte në opozitë vetëm katër deputetë, të LSI-së, që edhe kështu nuk bëjnë dot një grup parlamentar në vete, por i duhet të kërkojnë ndihmën e dikujt tjetër.

17 maji i përsëritur tani nuk do të ishte një eksperiment politik apo një gabim i çastit, nga përplasja kokë më kokë e deshëve të politikës, por faji i një force politike që bëri thirrje për t’u votuar dhe ende pa u bërë numërimi i plotë, sapo qartësohet se është fituese, përçudnon vullnetin qytetar.

T’i lëmë mënjanë përdallimet e mëdha që kanë dy forcat politike në afishimin e ideve financiare dhe të drejtimit të shtetit, por vetëm njëra anë e qeverisjes, ajo morale, do të krijonte apatinë e jashtëzakonshme të qytetarëve, të cilët do të bindeshin tashmë plotësisht se, mbi to dhe kundër tyre, është një klasë politike që bën allishverishe, trajton njerëzit si kavie eksperimentale, u kërkon votën për të qeverisur duke ia nxjerrë sytë njëra tjetrës dhe krijuar përplasje njerëzore, por ama, në fund, bëhen bashkë për të sunduar dhe jo për të mirëqeverisur.

Jam krejt i bindur se edhe në mes të deputetëve demokratë ka zëra që e kundërshtojnë idenë e letrës së bardhe që shkruhet nga një pjesë opozitare, nëse do të shkruhet ndonjëherë, ashtu si jam i bindur se bashkëqeverisja do të jetë një gur i dyfishtë mbi jetën e përditshme.

Një 17 maj i përsëritur do të jetë diçka sa e hallakatur, aq e pakujdesshme, sa e dëmshme, aq edhe e pashpresë.

Në fund të fundit ajo do të sillte humbjen e besimit në dobinë e votës./ Dita

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


A do të vazhdojë e njëjta tabllo edhe pas 25 prillit?

Bedri Islami: A mund të përparojë shteti pa ndëshkimin e klasës politike?

Qasja e pakicës serbe në Kosovë, në dukje e parrezikshme...

Bedri Islami: Një shtet brenda shtetit!

Bedri Islami/ Dëshmia në Hagë

Aktakuza/ Tre qëndrime ndaj çështjes Thaçi


Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin