Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, (KAS), po zhvillon sot një mbledhje ku në përfundim pritet një vendim mbi pretendimet për shkelje në qarkun e Gjirokastrës, pas shqyrtimit të ankesave të mërkurën e shkuar.
Anëtari i KAS Ledio Braho i kërkoi administratës së KQZ të zbatojë detyrën për rastet e komisionerëve dhe administratës zgjedhore që sipas tij janë në kushtet e veprës penale. Përfaqësuesi i PS Eridian Salianji u shpreh i bindur se ka pasur zero mundësi që persona të kenë votuar dy herë.
Diskutime
Salianji: Unë ua them me bindje të plotë, zero mundësi për persona që kanë votuar dy herë. Për arsye se të gjithë personat që kanë votuar kanë hedhur nënshkrimet, kanë edhe kartat e identitetit në QV-të. Defektet teknike të vijnë ti sqarojnë operatorët dhe personat përgjegjës.
Avokati i LSI: Ne e gjejmë shumë të qartë këtë tabelë, është sqaruar me hollësi që kanë qenë raste 73. 12 shenja gishtash kanë përdorur tentativa ose votim për 70 persona. Po ashtu është një listë emërore, rezulton të jetë vetëm inicialet e personit, datëlindja, nr. I votimit, dhe qarkut përkatës. Është shumë e qartë kjo gjë.
Kaso: Provat janë eksplicite dhe flasin qartë për paligjshmëri të ndodhur, në një masë të caktuar, në gjithë zonën zgjedhore, dhe lista që i bashkëngjitet kërkesës sonë është po ashtu po aq e qartë. Për aq sa i duhet këtij hetimi besoj që të dhënat janë të qarta, ajo çka i mbetet këtij Komisioni të vlerësojë, është nëse kjo paligjshmëri është e tillë që të shkaktojë pavlefshmëri. Ndikon në ndarjen e mandateve. Duhet të përsëritet procesi në të gjithë zonën zgjedhore apo jo.
Braho: I kërkoj administratës së KQZ që të zbatojë detyrën të paktën për rastet e komisionerëve apo administratës zgjedhore që është konstatuar në kushtet e votimit të dyfishtë. Në dijeninë time jemi në kushtet e një vepre penale të konsumuar nga këta komisionerë. Administrata e KQZ-së duhet të procedojë nëse nuk ka proceduar ende.