MENU
klinika

Kryengritja që tronditi diktaturën

Dëshmitë e rralla të organizatorit të revoltës së Spaçit, në maj 1973

26.05.2021 - 12:36

Publikohen dëshmitë e panjohura të Bedri Çokut me origjinë nga fshati Muçias i rrethit të Lushnjes, i cili që në moshën 19-vjeçare teksa kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak në rrethin e Gjirokastrës, u arrestua nga dy oficerë të lartë të Sigurimit të Shtetit dhe pas një gjyqi publik “demaskues” me akuza të montuara në kinemanë e atij qyteti. Ai u dënua për agjitacion e propagandë së bashku me vëllanë e tij, Çaushin, për të vetmin “faj” se babai i tyre, kishte vuajtur disa vjet si i burgosur politik në kampet e punës së detyruar nga ku ishte liruar në vitin 1959. Dëshmitë e rralla të Bedri Çokut që bëri 24 vjet në burgjet e Spaçit, Burrelit e Qafë Barit dhe së bashku me dy vëllezërit, Esatin dhe Çaushin si dhe babanë e tyre, Azemin, vuajtën plot 64 vjet burg në kampet dhe burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, duke u liruar vetëm në shkurtin e vitit 1991. Kujtimet e Bedri Çokut të përshkruara me mjeshtëri në librin e tij “Kryengritja që tronditi diktaturën”, e cila i kushtohet kryesisht Revoltës së Spaçit në majin e vitit 1973, ku ai si një nga organizatorët kryesorë të saj, hedh dritë për herë të parë duke bërë publike disa ngjarje dhe fakte të panjohura nga ajo revoltë ku u ngrit flamuri pa yllin e kuq të komunizmit, e deri tek puna e tij si Drejtor i Përgjithshëm i Kampeve dhe Burgjeve pas viteve ’90-të, ku ai “arrestoi” shokun e tij të ngushtë, bashkëvuajtësin e kampeve dhe burgjeve të diktaturës dhe e dërgoi në qelitë e ‘Burgut 313’ të Tiranës, ku vuanin dënimin pjesa më e madhe e ish-Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së me në krye Ramiz Alinë dhe Nexhmije Hoxhën.


Kryengritja që tronditi diktaturën

Për të ngritur flamurin, pa yllin komunist, unë shpreha mendimin se, në pamundësi për të gjetur një çarçaf të kuq, të çanim duart dhe, me gjakun tonë, të lyenim copën e bardhë…! I pari që çau dorën me thikë, ishte vëllai im, Çaushi, i dyti Gëzim Medolli, Bedri Çoku, Gjet Kadeli, Ulsi Pashollari, e të tjerë…”

Autori

Shpresonim shumë të Sigurimi dhe Bashkëpunimi Europian i cili po realizohej me një shpejtësi marramendëse nën kujdesin e veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me të drejtë i gjithë njerzimi po priste me padurim çastin e madhe historik. Firmosjen për Mirkuptimin e Popujve të Europës, shteteve demokratike perëndimore dhe atyre komuniste të Lindjes, të cilat vuanin ende nga regjimet diktatoriale, për të vendosur së bashku një rend të ri paqeje dhe bashkëpunimi në botë. Shpresonim se edhe Shqipëria me këtë rast. Do të firmoste në Helsinki këtë Akt për fatet e njerzimit, si përfaqësuese e kësaj Organizate Politike Ndërkombëtare. Kishim bindjen se vendi ynë edhe pse i pakrahasueshëm me vendet e Lindjes, me hir, a me pahir, do t’i bashkohej Traktatit të Paqes dhe Bashkëpunimit me Europën (OSBE).

Rrno vetëm për me tregue

Me Luken, bashkëvuajtësin tim, u njoha për herë të parë mes telave me gjemba, në burgun e famshëm të Spaçit. Më vonë u miqësuam në galeritë e thella të minierës, ku të burgosurit politikë, punonin me detyrim, si skllevër, për të nxjerr bakër e pirit të pasuruar me flori. Kjo ndoshta ishte dhe një nga arsyet që u lidhëm më shumë, jo vetëm për hallet e problemet familjare të njëllojta, por edhe për pikëpamjet tona politike e shoqërore. Miqësia vlejti edhe për të kapërcyer përplasjet me njerëzit e komandës, sidomos lidhur me realizimin ose jo të normës së lartë të detyrueshme që, nëse nuk do të përmbushej brenda tetë orëve të punës,i burgosuri politik ishte i detyruar t’i nënshtrohej egërsisë së xhahilëve të pamëshirshëm, që ishin policët dhe oficerët e rekrutuar nëpër fshatrat apo qytetet e ndryshme të vendit, kryesisht nëpër kooperativat bujqësore, njerëz që e kishin për mburrje rrobën e policit dhe zellin e madh për të torturuar “armiqtë e partisë e të pushtetit popullor”, qoftë edhe për një rrogë pak më të lartë nga ç’merrnin në kooperativa. Këta varfanjakë të shkretë, pasi i nënshtroheshin një trajnimi dymujorë për të përvetësuar metodën konspirative të Sigurimit të Shtetit, duke zbatuar me vullnet të hekurt forcën e “diktaturës së proletariatit” ndaj kundërshtarëve të regjimit.

Para se të fillonin detyrën e policit, apo të oficerit të burgut, takimin e parë zyrtar ishin të detyruar ta zhvillonin në zyrën e njeriut më të besuar të administratës së repartit ndëshkimor, komisarit, që ishte, njëkohësisht, dhe sekretar i partisë-shtet, për personelin e administratës shtetërore të burgut. Ai do t’u dërdëlliste një copë herë për idealet e tij komuniste dhe besnikërinë ndaj partisë dhe çështjes së ndërtimit të shoqërisë socialiste, në kushtet e rrethimit të egër imperialisto – revizionist. U jepte këshillën pasi kishte merak se mos do ta harronte, siç bënte me të gjithë bashkëpunëtorët se: “Nëse një ditë të burgosurit politikë do të arrinin të përmbysnin pushtetin popullor, pa diskutim policët dhe oficerët e burgjeve do të ishin të parët që do të rripeshin të gjallë nga urrejtja dhe egërsia e armiqve të betuar, pastaj do të vinte radha për të tjerët… S’duhet të kishin mëshirë për cilindo që do të gjendej i rreshtuar në brigadat e punës së detyruar, pa shpërblim, i dënuar nga vullneti i popullit, si armik i partisë e i pushtetit popullor, për të shlyer fajin e rëndë që kishte bërë”.

Oficerëve, që vinin nga qytete të ndryshme, përgjithësisht me shkelje të përsëritura të rregullores ushtarake, ose për sjellje të padenja, u thuhej me dinakëri se, në detyrën e oficerit të burgut, ata vlerësoheshin po aq të pushtetshëm për vendimet që do të merrnin ndaj jetës së një të burgosuri politik, siç do të vepronte vetë komandanti i madh, shoku Enver Hoxha, përballë cilitdo armiku të betuar kundra pushtetit të tyre të fituar me gjak. Me këta injorantë dhe imoralë u merrte jetën qeveria komuniste kundërshtarëve te vet politikë, kur gjenin shkak, sidomos për mosplotësimin e “ciklit” të punës së detyruar, brenda orëve të caktuara. Në këto raste shpallnin sabotator cilindo të burgosur, jo vetëm për planin e parealizuar të brigadës, por edhe për brigadën e turnit të radhës, që do të mbeste, me gjasë, i pa punë. “Cikli i punës i realizuar” quhej kur grupi i përbërë nga minatori, (si unë e Lukia), njëkohësisht, përgjegjës edhe për punën e bërë në grup me dy vagonistët, kryente të gjithë procesin e punës në frontin e prodhimit. Minatori (sipas rregullit të vendosur nga komanda), kishte si proces të tijin vendosjen armaturës në front, i ndihmuar nga vagonistët, pastaj, me martel, duhej të realizonte birat në ballin e frontit të pastruar nga materiali i plasjes përgatitur nga turni paraardhës.

Kjo ndodhte pasi vagonistët e emëruar nga komanda në grup, pa pëlqimin fillimisht të minatorit, të kishin pastruar frontin nga plasja e mëparshme, duke e transportuar jashtë galerisë kur ishte dhe’, ndërsa mineralin e zbraznin nëpër trimosha* me dërrasa, ku makinat me sponde të larta, e merrnin për ta çuar në fabrikat e bakrit apo të piritit. Nëse fronti i punës nuk do të pastrohej nga materiali i prodhuar nga plasja e minave të mëparshme, minatori, në këtë rast, nuk do të kishte mundësi të vendoste armaturë dhe të përgatiste birat, për plasjen e radhës. Këtu luhej dhe loja e komandës me emërimet e vagonistëve. Nëse donte të ndëshkonte ndonjë minator, në listën mujore të përbërjes së grupit të punës, atij i caktonin vagonistë me probleme shëndetësore, ose të moshuar, me pak mundësi për të arritur, “ciklin”. (I piketuar për t’u ndëshkuar, për arsye që e dinte vetëm komanda). Me këtë rast, përgjegjësit të grupit, minatorit, i mbeste dështimi i “ciklit” dhe ndaj tij ushtroheshin tortura çnjerëzore, në varësi të humorit të policëve dhe oficerëve të shërbimit të asaj dite. Përgjithësisht praktikoheshin këto lloj torturash:

Të dënuarin e lidhnin pas ndonjë shtylle hekuri, të zhveshur gjysmë lakuriq, në dëborë apo në shi të rrëmbyer, sa kohë që brigada tjetër do të ishte në punë. Kjo ndodhte pasi e kishin fshikulluar njëherë mirë e mirë me pendrek (shkop gome) ose me dru dhënka–dhënka dhe shtypur edhe me takat e çizmeve të tyre …Ndërsa në verë e linin nën rrezet e diellit përvëlues, lidhur këmbë e duar, të shtrirë mbi shkëmbinjtë e nxehtë apo mbi llamarinat e shtrira për tokë që t’ia përvëlonin mishin…
Në rast se mungonin këta element natyror të torturës, xhahilët i ngarkonin në qafë të burgosurit rrotat e vagonit. Nëse ai nuk do ta përballonte dot peshën e tyre, rëndesa, me siguri që do t’ia shtypte mushkëritë, eshtrat e qafës e brinjët…Kjo ishte një kënaqësi e pazakontë për qeniet me fytyrë njeriu dhe me uniformën e policit të burgut …
Në rast se i dënuari nuk realizonte planin e punës, ia ndalonin takimet me familjarët, si dhe ushqimet e grumbulluara prej tyre me shumë sakrifica. Në rastin më të keq, e fyenin, e poshtëronin përpara bashkëvuajtësve duke urdhëruar disa syresh, të degraduar moralisht, që t’i hidhnin në fytyrë lëtyrën, që mbeste nëpër kazanët e kuzhinës. Unë e Lukia e ndihmonim njëri-tjetrin për t’i shpëtuar këtyre ndëshkimeve çnjerëzore. Punonim shumë dhe për një arsye tjetër. Meqë ishim pa ndihma familjare përpiqeshim me shpirt ndër dhembë të tejkalonim normën mbi 125%, e cila, sipas ligjvënësve barbarë, i “favorizonte” të burgosurit politikë, për të fituar 25%. Me ato lekë mund të blihej një litër vaj kikiriku, një kg. sheqer dhe disa paqeta cigare…Duke punuar për një volum pune të tillë, me një ushqim të dobët për të burgosurin, që punonte me turne në një minierë primitive, me kalori vetëm sa të hynte e të dilte nga galeria, kuptohet ç’do të ndodhte me të brenda disa viteve. Do të katandisej nga shëndeti, aq sa s’do t’i hynte në sy as dreqit, pale njerëzve të tij të dashur, që shpresonin, të shkretët, ta shihnin sërish edhe njëherë gjallë e të lirë.
Të dy ishim dënuar si armiq, me 10 vjet heqje të lirisë (liri i thënçin), për minimin dhe rrëzimin e pushtetit popullor, në formën e agjitacionit e propagandës. Megjithatë, mosha e re na bënte optimistë, se një ditë diktatura në Shqipëri do të shembej, sikur edhe ta vuanim të gjithë dënimin e dhënë. Shpresonim aq shumë te Sigurimi dhe Bashkëpunimi Evropian, që po realizohej me shpejtësi marramendëse, nën kujdesin e veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me të drejtë, i gjithë njerëzimi po priste me padurim çastin e madh historik: Firmosjen e shumëpritur për Mirëkuptimin e Popujve të Europës, të shteteve demokratike perëndimore dhe të atyre komuniste, të lindjes, që vuanin ende nën regjimet diktatoriale, për të vendosur së bashku një rend të ri paqeje dhe bashkëpunimi në botë.

Shpresonim se edhe Shqipëria, me këtë rast, do ta firmoste në Helsinki këtë Akt, për fatet e njerëzimit, si përfaqësues e kësaj organizate politike, ndërkontinentale. Kishim bindje se vendi ynë, edhe pse i pakrahasueshëm me vendet e tjera të lindjes, me hir ose pahir, do t’i bashkohej Traktatit të Paqes për Sigurimin dhe Bashkëpunimin Europian (OSBE, sot). Ndryshe, mendonim ne, do të ndodhte një marrëzi më e madhe nga ç’kishte ngjarë deri tani me popullin tonë, duke humbur rastin e shumëpritur për të shpëtuar nga regjimi antikombëtar e i pashpirt i komunistëve…Kishte dhe nga ata që thoshin se kjo gjë nuk do të ndodhte kurrë për sa kohë që në Shqipëri do të sundonte klika komuniste e instaluar pas Luftës së Dytë Botërore. Dhe, për dreq, ashtu ndodhi.

Dy vjet para se kryetarët e shteteve të Europës, Amerikës dhe Kanadasë të mblidheshin në Helsinki, për të firmosur Aktin e Sigurimit e të Bashkëpunimit në Europë, gazetat e partisë – shtet, në Shqipëri, botuan me shkronja kapitale vendimin e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, se: “Shqipëria socialiste, besnike e marksizëm-leninizmit, nuk do ta njohë kurrë farsën e përgatitur nga imperializmi dhe revizionizmi ndërkombëtar, e bindur se nuk do të jetë e vetmja në kontinent që s’do të shkojë në Helsinki, për të firmosur plot besim Aktin e Sigurimit e të Bashkëpunimit Europian”. Kjo qe bombë për shpirtrat e të burgosurve politikë, një sinjal ogurzi, shpresë – vrasës, por jo vetëm për ata. Lajmi i zi i dhënë jo pa qëllim, në dukje i guximshëm nga byroistët e komitetit qendror të partisë-shtet, ia nxirosi shpirtin edhe popullit të varfëruar e të poshtëruar përditë nga regjimi i izolimit të madh. Lajmi për shkëputjen e Shqipërisë nga liria dhe bota e qytetëruar i dëshpëroi shqiptarët, sidomos të rinjtë, deri në atë pikë sa, një pjesë e guximtarëve, pa asnjë mëdyshje, u nisën drejt kufirit në përpjekje për t’u larguar nga vetizolimi dhe terrori i regjimit. Shumë, syresh, mbetën telave me gjemba të biruar nga plumbat e rojeve të klonit, ose të çapëlyer nga qentë e kufirit…

Fill mbas këtij lajmi të papritur, Lukia, çuditërisht, filloi të aktronte me anë të disa veprimeve dhe fjalëve, që nuk i kishte bërë kurrë më parë. Me të drejtë bashkëvuajtësit filluan ta thërrisnin “Klithma”. Unë që isha më pranë tij, më dukej sikur ia kisha kuptuar arsyen e atyre veprimeve, me gjasë nga dëshpërimi i thellë prej vendimit të tmerrshëm të klikës komuniste, e cila po e izolonte Shqipërinë përditë e më tepër nga vendet e Europës dhe mbarë njerëzimi. Por edhe nga tejlodhja e rraskapitja prej punës së rëndë; ose prej mallit të fëmijëve dhe dëshpërimit të vdekjes së nënës në mënyrë të kobshme. Hera – herës gjendej edhe pa cigare… Ai filloi ta ngrinte krahun e djathtë lart, duke klithur egërsisht: “Të krismë… të krismë… të krismë!”…Recitonte poezitë e veta, që i shkruante dhe i mësonte përmendësh… Eh, sa keq! Çfarë mizorie!

Vëllavrasje…kasaphanë… Rënkon foshnja prej urie lëngon motra për vëllanë. Qajnë malet, skuqin përrenjtë, bredhin ujqit lukuni. kafka bijsh gërryejnë çakenjtë, mjerë e mjera Shqipëri! E bënte këtë, me kohë e pa kohë, para të gjithëve, për t’u thënë bashkëvuajtësve, në mënyrë që ata ta nënkuptonin se, më në fund, ora e një kryengritjeje kishte ardhur. Se, për çdonjërin nga ne, brenda Rrethit të Nëntë të Ferrit, pas vendimit ogurzi të regjimit për t’u mos u bashkuar me Europën, çfarë na kishte mbetur tjetër për të jetuar?!

“Ç’po i ndodh Shqipërisë Që përzhitet si në Ferr?” Janë këlyshët e Skithisë … që si kobrat vjellin vrer. Është vetë Tamerlani që ka hyrë si kusar… Ndaj në gjak u zhyt vatani, Ndaj u shndërrua jeta varr… Ishte krejt ndryshe nga ç’kisha menduar e kuptuar unë… Ai rrëfente se kështu kishte klithur, në kupë të qiellit, edhe atëherë, i vogël, para kufomës së të atit, pushkatuar dhe prerë thela-thela me thikë, nga komunistët, si i parë i nacionalistëve të krahinës së Ersekës, që luftonin për Shqipërinë Etnike… Edhe në moshë madhore kishte ulëritur, kur policia e shtetit, një mesnatë ia rrethoi shtëpinë dhe u turr brenda saj me britma e urdhra të prerë, duke e detyruar Luken të mbarte të gjitha plaçkat e shtëpisë e, bashkë me to, nënën, gruan dhe dy fëmijët, kërthi, në një makinë ushtarake, të mbuluar me mushama, e cila i syrgjynosi në bregun e shkretuar të kënetës së Nartës… Pa kaluar viti në internim, i kishin hedhur hekurat për ta burgosur si armik të partisë e popullit shqiptar. Medet! Medet! Në burg, pastaj, disa muaj më vonë i çuan vendimin gjyqësor për divorcin e gruas dhe lajmin, se ajo ishte larguar nga internimi, së bashku me të dy djemtë. E ëma e mbetur vetëm në bregun e kënetës së Nartës… Mirë, gruaja e shpëtoi veten dhe fëmijët nga internimi, po nëna e tij, fillikat, në një kasolle pranë lagunës?

Ndërkohë që vuante nga këto ngjarje, pak ditë më vonë, njeriu i komandës, me një keqardhje të shtirur, i dorëzoi Lukes telegramin e kobshëm, për mandatin e nënës, e cila, siç shkruhej në telegram: “U vetëmbyt në ujin e kripur të kënetës. Të rroni vetë”! Ajo i kishte dhënë lamtumirën botës armiqësore për të dhe njerëzit e shtrenjtë të saj. I dëshpëruar në palcë, Lukia, shoku dhe miku im, klithi në kupë të qiellit, por jo në sy të njerëzve të komandës dhe atyre që mund të kënaqeshin me shpirt me fatkeqësitë e njëpasnjëshme të tij, por atje, në galeri, mes shokëve e miqve të sinqertë që e ndjenin dhimbjen e tij njëlloj si të vetën. Ai ngashëreu thellësisht për nënën e shtrenjtë dhe bashkëvuajtësit e lanë të qetë, deri sa të zbrazte hidhërimin e shpirtit të helmuar.

Kur u çua në këmbë, u betua para tyre se, krahun – shpatë, do ta vërtiste lart e më lart, për të goditur sa të mundte trupin e pështirosur të diktaturës komuniste, pa ngurruar as një çast, për t’u bashkuar me shokët e miqtë që e dëshironin këtë gjë: mposhtjen e ngrehinës qeveritare anti-njerëzore, një orë e më parë! Atë ditë, aty u bë edhe ceremonia: “Me Besa–Besë”! Për t’u organizuar e përgatitur për një aksion rebelimi ndaj kushteve dhe trajtimit anti-njerëzor, pse jo dhe të një ndërmarrjeje që mund ta shtrinte veprimin e saj edhe jashtë telave me gjëmba dhe karakolleve me ushtarë të armatosur deri në dhëmbë, e cila u shpërfaq me kryengritjen e madhe të 21 majit të vitit 1973, në burgun e Spaçit, tri ditë e tri net, nën Flamurin Kombëtar të Skënderbeut, pa yllin, simbolin e komunizmit ndërkombëtar. /Memorie.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Francezë e shqiptarë - njëqind vjet pas luftës

100 vite nga Lufta e I Botërore në Shqipëri


"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe