“Hasan Vogli” dhe “Qazim Turdiu” janë dy nga institucionet arsimore të kryeqytetit që po ringrihen pas goditjes që morën nga tërmeti i 26 nëntorit në Njësinë Nr.9 në Tiranë.
Kryeministri Edi Rama, me kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj dhe ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj vizituan dy kantieret e shkollave, për të ndjekur nga afër ecurinë e punimeve.
Ndalesa e parë ishte tek shkolla “Hasan Vogli”, e cila është rritur në kapacitet.
“Këtu shkojmë nga 600 në 900 nxënës, pra, rritemi me 50% si kapacitet. Ka mbaruar gjithë pjesa e infrastrukturës së rëndë. Ne fund të korrikut do dorëzohet dhe pastaj do merremi vetëm me pastrim dhe mobilim. Në shtator, në varësi si do vendosi Komiteti për hapjen e vitit shkollor, ne do jemi gati. Në shumicën e shkollave të reja kemi futur edhe konceptin e auditorit, siç bëmë edhe tek Liceu. Vërtetë na pengoi pandemia, por kur vjen puna tek një festë Abetareje, një ditëlindje, një eveniment, çdo shkollë do ketë dhe auditorin si koncept”, – u shpreh kryebashkiaku Veliaj.
Me sistemimin e ambienteve për parashkollorët, tashmë hapi tjetër është edhe sistemi i çerdheve, të cilat vazhdojnë të jenë problem për familjet e reja e që parashikohet të zgjidhet me programin e ri të arsimit. “Në programin e ri është me numër të caktuar, 30 çerdhe në vit për Bashkinë e Tiranës, të përfshira në programin e bonusit të çerdhes. Që do të thotë që në katër vite do jenë gati 120 çerdhe që plotësojnë gjithë kërkesën e familjeve”, – tha ministri Ahmetaj.
Edhe në shkollën “Qazim Turidiu”, punimet janë në një fazë ta avancuar dhe në shtator pritet të hapë dyert me kapacitet të shtuar. “Edhe këtu jemi dyfishuar, nga 300 në 600 nxënës kapacitet”, – u shpreh Veliaj.
Shkolla, e cila po ringrihet nga e para, do t’u shërbejë jo vetëm nxënësve e mësuesve, por edhe banorëve të zonës, të cilët pas përfundimit të procesit mësimor do të mund ta aksesojnë atë si qendër komunitare, koncept ky i aplikuar edhe në shumë shkolla të tjera në kryeqytet.
Edhe kjo shkollë, si çdo institucion tjetër i dijes që po ringrihet, do të ketë palestër dhe ambiente laboratorike të dedikuara. “Qazim Turdiu” ka qenë një nga shkollat e shumta në kryeqytet që kanë funksionuar me dy turne, por falë Programit të Rindërtimit u bë e mundur shtimi i kapaciteteve dhe zgjidhja përfundimtare e këtij problemi.