MENU
klinika

5 viktima në Greqi, 1 në Kosovë

A rrezikon Shqipëria nga Virusi i Nilit?

17.08.2018 - 12:03

Numri i vdekjeve nga virusi i Nilit Perëndimor është rritur në pesë, njoftoi Qendra për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (KEELPNO) në Athinë. Po kështu u bë e ditur se në Greqi janë regjistruar gjithsej 77 raste të infeksionit që nga fillimi i verës , 17 vetëm javën e kaluar.

Virusi, i cili transportohet nga mushkonjat e infektuara, është përhapur gjithashtu gjeografikish, në 33 bashki, duke përfshirë edhe Bashkinë e Athinës. Virusi gjithashtu ka infektuar një numër personash në Viotia, Halkidiki, Selanik, Evia, Imathia, Pella, Korinth, Kilkis dhe Rethymno në Kretë.

Në shumicën e rasteve, të infektuarit kanë vuajtur probleme me sistemin e tyre nervor qendror – kryesisht forma të encefalitit ose meningjitit. Federata kombëtare e punëtorëve spitalorë grekë ka akuzuar autoritetet për “indiferencë” në përgjigje të rritjes së rasteve të virusit.

Nga virusi i Nilit që përfshiu edhe njerëzit nuk shpëtoi as Kosova. Kjo është konfirmuar ditë më parë nga Naser Ramadani, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, sipas të cilit deri më tani tre pacientë janë diagnostikuar me këtë virus, derisa një grua e moshës rreth 82-vjeçare ka vdekur. Autoritetet shëndetësore në Shqipëri, nuk kanë raportuar asnjë rast për të prekur në vendin tonë nga ky virus. Por rreziku ngelet i madh, pasi kjo sëmundje mund të përhapet nga mushkonjat tek njerëzit.