Mjaftuan sërish pak minuta shi për të shkaktuar përmbytje në Durrës, ku paralajmërimet mund të vlejnë vetëm për anijet që lundrojnë në det, por jo për njerëzit në rrugët e shndërruar në lumenj.
Në Durrës janë përmbytur edhe pjesërisht trotuarë në kryqëzimet e lagjeve të ndryshme të qytetit bregdetar. Qarkullimi i këmbësorëve dhe automjeteve është vështirësuar ndjeshëm.
Intensiteti i reshjeve, si dhe amortizimi e bllokimi i rrjetit kullues nga mbetjet, e la ujin në sipërfaqe, veçanërisht në kryqëzimet e rrugëve pranë stadiumit “Niko Dovana”, te Lagjja e Re, te ish-parku sportiv, në afërsi të hyrjes së portit detar dhe përgjatë rrugës “Skënderbej”.
Moti i keq që ka përfshirë dy brigjet e Adriatikut ka shkaktuar probleme në portin më të madh të vendit, duke pezulluar veprimtarinë përpunuese dhe lundruese të tij jo vetëm në Durrës por edhe në portet e tjera të vendit.
Kapiteneria e Përgjithshme e Porteve Detare ka urdhëruar marrjen e masave nga autoritetet dhe operatorët portualë në të katër portet e vendit, për të shmangur incidentet e mundshme nga dallgëzimi i fortë, që rregjistron forcën 8-9 ballë në det të hapur.
Tragetet e linjës Bari-Durrës, që duhej të niseshin nga Porti i Barit mbrëmjen e së hënës kanë nisur lundrimin drejt Durrësit vetëm mëngjesin e së martës. Edhe tragetet nga Durrësi janë nisur drejt Italisë me disa orë vonesë.