MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Çfarë tregon dhimbja dhe kruarja e veshit?

08.06.2021 - 10:24

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Çfarë tregon dhimbja dhe kruarja e veshit?

Mjeku: Gjithë verën problemet e veshit përbëjnë një nga shqetësimet kryesore të pacientëve tanë. Një prej tyre është edhe veshi i notarit apo infeksionet e kanalit të jashtëm të dëgjimit. Për studim anatomik duhet të përmendim se veshi ndahet në 3 pjesë:

Veshi i jashtëm, ku futen llapa e veshit dhe kanali i jashtëm i dëgjimit, veshi i mesëm dhe veshi i brendshëm.

Kur flasim për veshin e notarit, jemi përqendruar te kanali i jashtëm i dëgjimit. Në të ndodhen gjendrat e prodhimit të dyllit dhe të yndyrës, prodhimi i balancuar i të cilave çon në vetëpastrim të veshit.

Përse ka pacientë të prirur për të bërë çdo vit infeksione kronike në vesh gjatë periudhës së plazhit dhe cilët janë ata?

Përgjithësisht pacientët me sëmundje kronike të kanalit të jashtëm, si:

pacientët me dermatit kronike,
pacientët me hiperprodhueshmëri të prodhimit të dyllit (prodhim që vjen si rezultat i kruarjes që i bëjnë veshit nga ndjesia e bllokimit të dëgjimit pas futjes së ujit),
pacientët me sëmundje kronike, si diabet, si rezultat i rënies së forcave imunitare
Ky grup pacientësh e di historinë e fillimit të sëmundjes dhe shenjat klinike të saj dhe janë të parët që vijnë te mjeku.

Infeksioni zhvillohet me të gjitha shenjat e tij:

ndjesia e kruarjes,
skuqja e kanalit,
fryrja e mureve të kanalit ,
dhimbja,
prodhimi i sekrecioneve purulente,
era e keqe.

Këto infeksione nuk ndodhin vetëm në stinën e verës, ka edhe pacientë që bëjnë infeksione edhe nga futja dhe bllokimi i ujit në vesh gjatë dushit. Asnjëherë kanalet e dëgjimit nuk janë anatomikisht njësoj, njeri mund të jetë më i ngushtë, me më shumë kthesa deri në daullen e veshit, ku uji mund të bllokohet dhe ky vesh mund të ajroset me vështirësi duke krijuar prirje për një infeksion të mundshëm.

Këta pacientë, duke dashur të thajnë veshin me batonetat e pambukut apo me mjete të tjera rrethanore, i hapin portën fillimit të infeksionit. Këtu futen të rritur dhe fëmijë. Kjo mund të ndodhë si në dush, ashtu edhe në plazhe, pishina, në ujëra jo shumë të pastra, por ndonjëherë edhe të pastra, pasi është pikërisht anatomia e veshit që krijon prirje.

Te pacientët me hiperprodhueshmeri të dyllit futja e ujit në vesh mund të shoqërohet me bllokim të menjëhershëm dhe zhurmë në vesh.

Infeksionet akute manifestohen për herë të parë te pacientët pas plazhit apo pishinave dhe fillojnë me ndjesinë e kruarjes së veshit pas futjes së ujit në vesh, pak ditë, maksimumi një javë pas plazhit dhe precipiton në dhimbje dhe bllokim të dëgjimit, zhurmë në vesh. Për ne mjekët ORL, këtu vlen shprehja “Dhimbja është e madhe, por sëmundja është e vogël”.

Sa më shpejt të paraqitemi të mjeku pas infeksionit të parë, aq më e lehtë është terapia. Për të kuruar infeksionin vendoset një tampon steril me garzë ose pambuk, që mbetet në vesh deri në 48 orë dhe pikohet me solucione të përbëra me antibiotikë e kortizonikë që ulin fryrjen e kanalit, mjekojnë infeksionin dhe qetësojnë dhimbjen. Njëkohësisht mund të shoqërohet terapia edhe me qetësues të dhimbjes nga goja.

Në personat me imunitet të kompromentuar dhe me sëmundje sistemike të tjera, si diabetes mellitus dhe në rastet kur terapia me pika lokalisht në vesh, nuk jep rezultat, fillojmë terapinë me antibiotikë sistemike, kryesisht të grupit të kinoloneve pasi një nga shkaktarët mikrobialë është Pseudomonus aeruginosa që me këtë grup antibiotikësh luftohet shumë mirë.

Do t’u rekomandoja pacientëve që bëjnë otite eksterne, pra infeksione të kanalit për herë të parë me shenjat klinike që përmenda, që të paraqiten direkt te mjeku ORL.

Shpesh na vijnë raste të mjekuara keq, për të cilat na duhet të nisim terapinë nga fillimi. Të heqim nga përdorimi ditor batonetat e pambukut, të cilat nuk e pastrojnë dyllin tek pacientët me hiperprodhueshmëri, por e shtyjnë në drejtim të daulles së veshit e cila është vetëm 2 cm larg nga hyrja e kanalit, duke rritur traumat që mund të çojnë në çarjen e daulles në mënyrë traumatike e që për rrjedhojë mund të çojë deri në zgjidhje kirurgjikale.

Ekzistojnë preparate në formë spray që mund të përdoren për higjienën e përditshme të veshit, të cilat shiten në farmacitë tona. Në shumë pacientë, sidomos ata me infeksione kronike, me hiperprodhueshmeri dylli, sëmundje të lëkurës së kanalit, si dermatitet atopike apo ekzemat, apo edhe pacientët veshët e të cilëve prodhojnë shumë pak dyll, do të rekomandonim përdorimin e tapave gjatë dushit ose pambukut të lyer me vaj që e mban ujin në sipërfaqe dhe nuk lejon lagien e kanalit.

Pas dushit në gradacionin e ulët, mund ta thajnë edhe veshin me tharëse nëse ka hyrë ndonjë sasi minimale uji. Pra, siç e shohim, infeksionet e kanalit të dëgjimit nuk i përkasin ekskluzivisht vetëm stinës së verës, megjithatë intensiteti është më i madh në këtë periudhë.

Të gjithë pacientët që kanë shqetësime me kanalin e jashtëm të dëgjimit, që mund të jetë dhimbje, kruarje e kanalit, djegie, bllokim, duhet të bëjnë një vizitë kontrolli te mjeku otojatër për të marrë këshillat e rastit. Përdorimi i dendur i acidit borik në popullatë duhet ndërprerë tek personat me vesh të thatë, që nuk prodhon as sasinë minimale që i duhet kanalit për t’u mbrojtur, pasi shoqërohet me gërryerje të lëkurës së kanalit, kruarje të vazhdueshme dhe si rezultat në infeksione kronike të kanalit. Asnjëherë të mos të përdorim mjete rrethanore për kruarjen e kanalit, si: thonjtë e gishtave, stilolapsa, shtiza, çelësa makinash që mund të mbivendosin infeksionin nga njëra anë apo më e keqja, në çarje traumatike të daulles që ka pasoja kronike të cilat mund të kërkojnë ndërhyrje operatore për rindërtimin e një daulleje të re.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.