Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se shpreson që nesër të gjendet një gjuhë e përbashkët në Kuvendin e Kosovës ku do të diskutohet për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi. Për seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita, Haradinaj tha se është inkurajues fakti që do të marrë pjesë edhe pozita.
Pas mbledhjes së 73-të të Qeverisë, kryeministri Ramush Haradinaj u përgjigj para gazetarëve lidhur me seancën e thirrur nga opozita, që pritet të mbahet nesër në Kuvendin e Kosovës lidhur me dialogun me Serbinë.
Serbi
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me çdo kusht është duke refuzuar që dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit të quhet “vdekje klinike”, duke shtuar se është e rëndësishme të bisedohet, por se duhet të dihet për çfarë po flitet.
Vuçiç gjithashtu ka deklaruar se gjatë inaugurimit të aeroportit më të ri në Stamboll të Turqisë, kishte kërkuar nga organizatorët që të hiqet flamuri i Kosovës.
Maqedoni
Pas deklarimit të zëvendëskryeministrit për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, se Marrëveshja e Ohrit do të bëhet pjesë e Preambulës së Kushtetutës si pjesë e dokumenteve konstituive të shtetit, të martën me qëndrim të kundërt doli kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.
Ai tha se kjo çështje është mbyllur në vitin 2001.
Kosovë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me ftesë të shefit të Konferencës së Sigurisë së Munihut, Ëolfgang Ischinger, ka udhëtuar për në Minsk të Bjellorusisë, ku do të marrë pjesë në Takimin e Grupit Kryesor të Konferencës së Sigurisë të Munihut, një ngjarje e nivelit të lartë që mbledh protagonistë kryesorë rajonalë, krerë shtetesh dhe të organizatave ndërkombëtare, ministra, deputetë, drejtues të OJQ-ve dhe gazetarë, për të diskutuar për çështje rajonale dhe globale të sigurisë.
Thaçi do të marrë pjesë edhe në pritjen e ambasadorit të Gjermanisë në Bjellorusi, Peter Dettmar, si dhe shefit të konferencës, Ëolfgang Ischinger, si nikoqirë të kësaj konference.
Serbi
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka reaguar ndaj sulmit të mbrëmshëm një autobusi me udhëtarë kosovarë në Krushevc të Serbisë dhe i bën thirrje Beogradit zyrtar të zbardhë sa më shpejt rrethanat dhe të sjellë para drejtësisë kryerësit e kësaj vepre.
MPJ me këtë rast shpreh shqetësimin e arsyeshëm për përsëritjen dhe shpeshtimin e rasteve tashmë të kthyer në dukuri të pengesave sistematike-burokratike dhe sulmeve më të vrazhda fizike ndaj mjeteve të transportit të Republikës së Kosovës dhe shtetasve të saj, të cilët po e shfrytëzojnë territorin e shtetit të Serbisë si kalim transit për në shtete të tjera të Evropës.
Maqedoni
Deputeti dhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka thënë se nuk ka kompromis për faljen e personave që gjykohen për ngjarjet e 27 prillit.
Sela tha nëse do të ketë amnisti, atëherë do të amnistohen të gjitha rastet që kanë ndodhur gjatë regjimit të VMRO-DPMNE-së, të gjitha rastet e montuara duke përfshirë këtu edhe rastin e Kumanovës. /Konica.al/