MENU
klinika

Fjala para artistëve, 1978

“Fadil Paçrami vazhdon të shkruajë ‘drama’ në burg…”

11.06.2021 - 12:15

        Publikohen dokumentet nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një proces-verbal i mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të zhvilluar më 25 maj të vitit 1978, me temë: “Mbi një gjendje dhe mbi disa probleme që dalin për rritjen e nivelit ideo-artistik të krijimtarisë së teatrit dhe estradave profesioniste”, e cila drejtohej nga Enver Hoxha, ku asistonin edhe Ramiz Alia, sekretar i Komitetit Qendror që mbulonte propagandën, artin e kulturën, Pilo Persiteri, kandidat i Byrosë Politike dhe Drejtor i Kombinatit të Autotraktorëve, “Enver Hoxha”, zv/ministri i Arsim-Kulturës, Anastas Kondo dhe Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Dritëro Agolli. Proces-verbali i plotë i asaj mbledhje të drejtuar nga Enver Hoxha, ku ishin të ftuar dhe merrnin pjesë edhe aktori dhe regjisori i famshëm i teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Pirro Manit, aktorja e njohur e Teatrit Popullor, Violeta Manushi, aktori i estradës profesioniste të qytetit të Shkodrës, Tano Banushi, etj.

“Teatri ynë ka një eksperiencë shumë të madhe në bashkëpunim me aktorë – dramaturgë. Gjithmonë kur kjo punë është bërë mirë, ka pasur një harmoni në mes të autorit dhe të regjisorit të teatrit, gjithmonë rezultatet kanë qenë positive. Nga ky bashkëpunim i ngrohtë, konkret dhe jo në përgjithësi, neve na kanë mbetur ose do të na mbeten shumë vepra dinjitoze në fondin e saj të artë të skenës sonë, duke filluar që nga veprat e para si “Toka jonë”, “Familja e peshkatarit”, “Cuca e maleve”, etj. Përmenda disa nga këto vepra të cilat janë mjaft serioze. Ky bashkëpunim, sidomos kohët e fundit ka ardhur duke u bërë akoma më i fortë, më konkret. Në teatrin tonë ne kemi mjaft kuadro që nuk punojnë në teatër, po që merren me shkrime dhe janë shkrimtarë. Ata jo vetëm që na ndihmojnë me veprat e tyre, por ata vijnë edhe në teatër, njihej dhe me procesin e vënies në skenë, njihen me ligjet e skenës, gjë e cila është më se e domosdoshme për autorin. Të rinjve tanë ne u kemi besuar me guxim, u kemi ndenjur shumë afër i gjithë kolektivi, organizata, ne regjisorët e vjetër dhe me të vërtetë ka pasur rezultate. Për shembull, Dhimitër Pecani, jo vetëm që debutoi me sukses në skenën tonë, po ai shkoi edhe në Fier ku dha një shfaqje të bukur për teatrin e Fierit. Përveç kësaj janë një numër i madh regjisorësh të televizionit, si Albert Minga që ka dalë nga gjiri i televizionit, i Teatrit Popullor, po kështu dhe Vladimir Prifti dhe Agim Qirjaqi. Pra duhet t’u besojmë “shkopin e dirigjentit” të rregjisorit, djemve të rinj që të çajnë përpara dhe të dalin talente, se populli ynë është shumë i talentuar”.

Kështu u shpreh në mes të tjerash në diskutimin e tij regjisori i njohur i teatrit Pirro Mani, në një nga mbledhjet e Sekretariatit të Komitetin Qendror të PPSH-së e mbajtur më 25 maj të vitit 1978 e cila drejtohej nga Enver Hoxha, ku merrnin pjesë edhe Ramiz Alia, Pilo Peristeri, Anastas Kondo e Dritëro Agolli. Në atë mbledhje me temë: “Mbi një gjendje dhe mbi disa probleme që dalin për rritjen e nivelit ideo-artistik të krijimtarisë së teatrit dhe estradave profesioniste”, përveç Pirro Manit, merrnin pjesë edhe aktorja e njohur e Teatrit Popullor, Violeta Manushi, aktori i estradës profesioniste të qytetit të Shkodrës, Tano Banushi, etj.

Për më shumë se çfarë është folur dhe diskutuar në atë mbledhje nga Enver Hoxha, Ramiz Alia, Anastas Kondo e Dritëro Agolli, si dhe nga të ftuarit: Pirro Mani, Violeta Manushi dhe Tano Banushi, na njeh dokumenti arkivor në fjalë me process-verbalin e asaj mbledhje të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, që Memorie.al e publikon për herë të parë dhe të plotë në disa numra të rubrikës dossier.

Vijon nga numri i kaluar

Proces-verbali i mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, 25 maj 1978

“MBI GJENDJEN DHE MBI DISA PROBLEME QE DALIN PËR RRITJEN E NIVELIT IDEOARTISTIK TË KRIJIMTARISË SË TEATRIT DHE ESTRADAVE PROFESIONISTE”

SHOKU TANO BANUSHI: Tani po më lejoni që të shpreh edhe një mëndim, që e kam biseduar me shokët e mi, me kolegët e mi amatorë. Nuk e kam fjalën për që duhet të kërkojmë privilegje për amatorët, unë në asnjë mënyrë nuk jam i këtij mendimi, se e vërteta është se ka disa mendime për t’i trajtuar amatorët si sportistët, që punojnë pesë orë etj. Unë nuk e kam këtë mendim po them se një administrim më i mirë i ndihmave që jep Partia për artistët amatorë duhet.

E kam fjalën për lehtësimin e tyre nga turnet e dyta dhe të treta. Kjo është e domosdoshme se një amator, ose brenda një grupi amator ka ka punonjës që janë punëtorë , teknikë, ka dhe ndonjë inxhinier që aktivizohet, po këta punojnë dikush në turnin e parë, dikush në turnin e dytë e në të tretin, sipas proçesve të prodhimit. Mirpo kur vjen puna e shfaqjes që duhet të japë grupi amator, ai duhet të jetë komplet me punonjësit që punojnë në të tre turnet dhe po të vazhdojë kështu, ndodhin ngatërresa. Në ndërmarrje rregullohen po nga ndonjëherë duhet edhe nga organizatat profesionale një drejtim apo një vendim që të inkurajohet kjo lëvizje.

Ne kemi shembuj shumë të mirë të lëvizjes artistike amatore si në Kombinatin e Drurit, në Uzinën e Telave, po ka edhe përgjegjës reparteve që drejtojnë në ndërmarrje, të cilat ngurojnë t’i lejojnë, sepse pjesmarrërsit e grupit amator e kanë punën pikërisht në atë turn dhe atëhere kur bëhen provat, dikush nga ata që mund të jetë edhe më i miri, mund të jetë i zënë me punë. Prandaj mendoj se duhet siguruar një ndihmë më e organizuar.

SHOKU ENVER HOXHA: Drejt, drejt e ka, ashtu është, se nuk dëmtohet ekonomia jonë pot ë tërhiqen disa njerëz të talentuar nga puna në një ndërmarrje, si pjesmarrërs të grupeve amatore.

SHOKU TANO BANUSHI: Në një ndërmarrje janë një grup njerëzish dhe aktivitetet kulturore, qoftë provë, qoftë shfaqje, do të bëhen gjithnjë mbas darke në klubin e ndërmarrjes.

SHOKU ENVER HOXHA: Këto çështje duhen parë me syrin politik, se fitojmë 100 herë më shumë duke e mbajtur të gjallë lëvizjen artistike amatore në ndërmarrje, se po t’i mbajmë në punë ata dy tre veta, pra t’i pengojmë të marrin pjesë në këtë lëvizje.

SHOKU TANO BANUSHI: Kam edhe një çështje: Jam dakord me materialin që ka paraqitur Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, por mendoj se çështja e ndihmës që duhet t’u jepet estradave nga ana e organizatave të pushtetit, duhet të shikohet më mirë se deri tani. E them këtë, se ka gjëra që nuk janë shikuar njëlloj në mënyrë të barabartë, si për estradën ashtu dhe për teatrin. Në asnjë mënyrë nuk e theme se është parë njëri me syrin e nënës dhe tjetri me syrin e njerkës, po ka gjëra që estradat shikohen një çikë më ndryshe, kurse unë do të thosha që teatri dhe estrada janë simotra. Ndofta ky lloj shikimi i estradës si gjini më e lehtë ka mbetur nga e kaluara, por dashuria e spektatorëve për estradën është e njëllojtë si për teatrin, se edhe estradat militojnë njëlloj si teatrot. Edhe nga pikpamja e shpërndarjes së kuadrit, praktika e ka treguar se në estradë sjellin kuadro më të dobët, qoftë dhe nga ana arsimore. P.sh., regjisorët më të mirë kudo i ka teatri. Edhe në trajtimet në shkolla gjithashtu bëhen diferencime.

Në Institutin e Lartë të Arteve, prioritet ka për dramën, kurse në jetë ndodh, që kur ndonjë aktor punon në një kohë të vogël në trupën e teatrit dhe e sjellin në estradë, ai me të drejtë ka thënë: “Unë kam mbaruar për teatër”! Kjo nuk është e përgjithshme, por ndonjë rast ka pasur. Të gjitha këto të bëjnë të mendosh se ka një shikim të ndryshëm për estradën, në krahasim me teatrin. Edhe unë po e them se do ta ndihmoj punën e Partisë në estradë. Nuk kam ç’të them tjetër, veçse edhe njëherë falenderoj Partinë që më ka thirrur, për të dhënë mendimin tim në këtë mbledhje.

SHOKU ENVER HOXHA: Kush dëshiron të diskutojë?

SHOKU RAMIZ ALIA: Unë hoqa dorë.

SHOKU ENVER HOXHA: Ashtu? Po mundet që unë të jap leje që të heqësh dorë, po…!

SHOKU RAMIZ ALIA: Të kemi parasysh këto që u thanë këtu.

SHOKU ENVER HOXHA: Çështja është këtu që në qoftë se nuk na shokët, unë do të bëj një diskutim. Para se të shfaq disa mendime, dëshiroj të shpreh kënaqësinë e veçantë që ndjej për problemet e rëndësishme dhe me vlerë që shtruan shokët, që nga Dritëroi, Violeta Manushi, Pirro Mani, Tano Banushi dhe Anastas Kondo, për zhvillimin e zhanreve të ndryshme të artit tonë të skenës, që ka kontribuar dhe po kontribojnë aq shumë në edukimin e punonjësve tanë në rrugën e ndërtimit socialist.

Dua të bëj të qartë që diskutimet që bënë shokët që kemi ftuar, nuk duhen konsideruar nga punonjësit e aparatit të Komitetit Qendror të Partisë, ata të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, komitetet e Partisë së rretheve dhe Bashkimet Profesionale, vetëm si disa konstatime të thjeshta dhe t’i marrë era.

Mendoj se të gjitha ato që thonë dhe propozimet konkrete të shokëve të ftuar duhet t’i shqyrtoni me kujdes dhe në kohë një e nga një, të merrni masa që të zbatohen dhe më së fundi të na jepet një informacion se si po vihen në jetë kërkesat e tyre. Kërkesa e llogarisë, sidomos në drejtim të arteve, duhet të bëhet më e fortë, se ky sektor mund të konsiderohet si diçka i pakapshëm, prandaj vendimet që marrim për këtë sektor, duhet t’i kontrollojmë një çikë më me kujdes. Mua më duket se në përgjithësi, shokët që folën asgjë të tepërt nuk kërkojnë, propozimet e tyre janë të tëra të arsyeshme.

Prandaj si konkluzion, them se ata na ndihmuan shumë si me raportet, por veçanërisht me diskutimet, të cilat ishin më të gjalla dhe më konkrete.

Në diskutimin që kam përgatitur bëhen disa përgjithësime, por përpara se t’i ngrija problemet që kisha menduar, i thatë ju, megjithatë edhe unë dëshiroj të them diçka.

Mendoj se duhet t’i vëmë rëndësi së pari edukimit moralo-politik dhe ideologjik të kuadrove që punojnë në të gjitha këta sektorë, problem që ju e prekët shumë mirë. Ngritja profesionale e artistëve dhe kur themi e artistëve, kuptojmë edhe regjisorët, e gjithë të tjetër që përfshijnë këta sektorë, ku ka rëndësi puna që duhet të bëjnë autorët për përmirësimin të pjesëve që shkruajnë duke pasur parasysh cilësinë.

Teatri ynë është një mjet edukues me shumë rëndësi, gjë që duhet6 ta kuptojë i madh dhe i vogël. Ai duhet të shprehë në skenë virtytet më të mira të njeriut tonë socialist, virtytet jo në kuptimin idealist dhe metafizik, por virtytet të trashëguara nga e kaluara e popullit dhe të lindura e të formuara në shoqërinë tonë socialiste.

Këto virtyte nuk mund të jenë një stoli e vdekur, po të jenë një e të pandara me mendimet, me veprimet, me dëshirat, me aspiratat, me punën dhe krijimtarinë e njeriut në shoqërinë dhe për shoqërinë. Njeriu me virtytet të mira ka dëshirë dhe lufton për një shoqëri të mirë. Ky duhet të jetë heroi ynë pozitiv, që teatri dhe estradat tona duhet të paraqesin në shfaqjet që përgatisin këtë hero, duhet të ndërtojmë autorët e dramave, të komedive, të estradave në veprat që shkruajnë për skenën.

Njeriu i mirë duhet të ndërtohet në libër dhe të paraqitet në skenë me thjeshtësinë e tij, për arsye se në thjeshtësinë pikasin të fuqishme virtytet e mira, pse “hero” të përsosur nuk mund të ketë në jetë.

Është jeta që na i vërteton këtë gjë, prandaj ta paraqesim jetën e vërtetë materiale dhe shpirtërore ashtu siç është në dinamizëm dhe në zhvillim. Duhet mbajtur parasysh se heroi ynë pozitiv, nuk është plotësisht i imunizuar nga ndonjë mbeturinë, por te ai kurdoherë dominojnë anët e mira dhe këto anë të mira janë në luftë të vazhdueshme me mbeturinat dhe reminishencat e tyre, qoftë në ndërgjegjen e tij, qoftë në ndërgjegjen e njerëzve të tjerë, në mes të të cilëve, rron e lufton edhe ai së bashku me ta, për një jetë më të kulturuar në shoqërinë tonë socialiste.

Heroi pozitiv e do këtë shoqëri dhe në mendimet dhe në veprimet e tij spikat si realiteti i sotëm, ashtu dhe perspektiva. Pra ky personazh shërben si shembull në vepër dhe në skenë dhe njëkohësisht si luftëtar, si revolucionar dhe si edukues i të tjerëve.

Këto detyra, që duhet të shquhen te heroi pozitiv, formohen dhe brumosen me një edukatë dhe me një moral proletar, formohen me përvetësimin e ideologjisë sonë marksiste – leniniste që është udhërrëfyesja e Partisë sonë të Punës në çdo aksion. Pra, roli i tetarit, i estradës, i komedisë dhe i zhanreve të tjera është i rëndësishëm, pse ka të bëjë me edukimin masiv dhe individual të njerëzve tanë në përgjithësi.

Por, tok me të dhe po aq i rëndësishëm është edhe roli i pjesës që luhet, se pa pjesë nuk mund të ketë teatër, nuk mund të ketë estradë dhe këtu del përgjegjësia e autorit. Pjesa pasqyron një pjesë të jetës, ajo pasqyron një episode që zhvillohet në një kohë të caktuar, në një ambient të thjeshtë ose të komplikuar, në kontraditë antagoniste dhe joantagoniste, me momente dramatike, gazmore, komike etj.

Të gjitha këto duhen jetuar nga autori, ato duhen jetuar me popullin, në gjirin e tij, siç thamë edhe ju shumë mirë në diskutimin tuaj, shoqja Violeta Manushi, prandaj duhet të rrosh me popullin dhe të mendosh për të, para se të shkruash. Mirpo Fadil Paçrami, vazhdon të shkruajë “drama” në burg, por ato janë lëvere për t’i vënë në ndonjë vend “special” të shtëpisë dhe jo në skenë.

Artistët interpretojnë pjesët teatrale, dramat ose pjesët e përgatitura për estradë, komeditë apo zhanret e tjera duhet t’i vënë detyrë vetes të bëhen dhe të konsiderohen si profesorë, si mësues të publikut në këto institucione kulturore. Mësues dhe profesorë për çdo degë apo profesion nuk lind pa njeri, po ai bëhet.

Mund të bëhesh i mirë, po mësove mirë, po kuptove rëndësinë e misionit ose të detyrës që të është ngarkuar dhe po u bërë i ndërgjegjshëm për këtë rol të madh edukativ. Për të përvetësuar mirë zanatin, duhet të dish dhe ku do të orinetohesh për t’u mësuar, për të zgjeruar dijenitë dhe për t’u thelluar në profesion.

Për çdo degë të artit, të shkencës, të kulturës, ekzistojnë teoria dhe praktika. Kështu është dhe për artistët, ekziston për ta edhe teoria që marrin në shkollë, por ekziston edhe praktika që ata fitojnë në skenë, por sidomos ajo praktikë e madhe që është kontakti i ngushtë i tyre me popullin.

Po marrë një shembull tipik, që personalisht e quaj një pjesë me shumë vlera, e cila luhet edhe në skenë, në teatër, por ekziston edhe në film. E kam fjalën për veprën “Zonja nga qyteti”, Në çdo gjë të mirë që lidhet me të, në qoftë se kam arritur dot ta shpreh më sipër, përveç të tjerave, kam parasysh edhe autorin Rruzhdi Pulaha, edhe aktoren e shquar, Violeta Manushi, edhe aktorin me shumë talent, Pandi Raidhi.

Kur e shikoj këtë film dhe e shikoj shpesh, ndjej një kënaqësi të madhe, rroj tok me këta artistë, pse në ekran apo në skenë, është jeta reale ajo që na del përpara, është loja e përsosur e aktorëve në fjalë, deri në të lojturin e buzëve ose në të ngriturit e supeve nga ana e tyre.

Asgjë nuk është artificiale në lojën e që bëjnë artistët që përmënda më lart dhe interpretojnë rolet e kësaj pjese. Çdo episode aty është aq mirë i studiuar, për mendimin tim, sa është e thjeshtë, original dhe i vërtetë, që të tërheq, të emocionin, të bën të qeshësh, të gëzohesh dhe të gjitha këto i japing spektatorit një mësim dhe një edukatë të pashlyeshme.

E tillë është edhe loja e çlirtë, aq e prekshme e artistit me talent, Stavri Shkurti, i cili e personifikon sekretarin e Partisë aq të afërt, aq të dashur, aq të pjekur dhe plot dinamizëm. “Të qepet si zamku pas letrës, ti më theve, i thotë atij në film, Violeta Manushi në rolin e zonjës nga qyteti”.

Është për këtë arsye që interpretuesit e kësaj vepre i quajnë artistët të mëdhenj dhe autorin e saj një shkrimtarë me talent të madh. Unë morra vetëm një shembull, pse ne kemi plot autorë dramash dhe romancash me talent të madh, po ashtu kemi dhe komedinë shkrues dhe pjesë për estradë, jo me pak vlerë, kemi edhe aktorë të tjerë të talentuar aktualisht në një numër mjaft të madh. /Memorie.al

Vijon në numrin e ardhshëm

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen