Një 38-vjeçar me inicialet L.M. me detyrë oficer i Patrullës së “Shqiponjave” është arrestuar nga SHÇBA, pasi shpërndante drogë në ambiente të populluara të qytetit bregdetar.
Arrestimi i policit është bërë pas një hetimi disa mujor, ndërsa gjatë kontrollit 38-vjeçarit i janë gjetur me vete 11 doza kokainë.
Njoftimi i SHÇBA:
Sarandë – Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ( SHÇBA) arrestoi në flagrancë punonjësin e policisë L.M., 38 vjeç, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme, forcat “Shqiponja” në Komisariatin e Policisë Sarandë. Ai akuzohet për veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh”.
Arrestimi u krye pas një hetimi disa mujor në aplikim të metodave të posaçme hetimore nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, ku u grumbulluan fakte që krijuan dyshimin e arsyeshëm të bazuar në prova se punonjësi i policisë L.M. kryente në mënyrë sistematike shpërndarje të narkotikëve në ambjente të populluara argëtimi me muzikë në Sarandë.
Bazuar në këto fakte të dokumentuara në rrugë proceduriale, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë lejoi kontrollin personal dhe të banesës së punonjësit të policisë L.M.
Në ekzekutim të vendimit të Gjykatës, gjatë kontrollit personal të kryer në kushtet e kapjes në flagrancë, punonjësit të Policisë L. M. iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale lënda e dyshuar narkotike e llojit kokainë në sasinë 5 gramë, e ndarë në 11 doza.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së punonjësit të policisë u gjet dhe u sekuestrua edhe një sasi prej 165 grame lëndë e dyshuar si narkotike e llojit kokainë dhe një peshore që përdorej për peshimin e saj në procesin e ndarjes në doza. Këtë veprimtari të kundraligjshme, i arrestuari e kryente gjatë kohës së shërbimit dhe jashtë saj.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet e mëtejshme për të dokumentuar veprimtarinë e bashkëpunëtorëve të tjerë mes rradhëve të strukturave policore, apo jashtë saj.
SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.