Tashmë që rreziku i madh kaloi dhe është koshient, Christian Eriksen kërkon të dijë pse ndodhi kolapsi në fushë. Pas frikës së madhe, është koha për analizë mjekësore dhe reflektim njerëzor.
Eriksen dëshiron të gërmojë më thellë, pas episodit që i ndodhi gjatë ndeshjes Danimarkë-Finlandë të “Euro 2020”. Analizat e djeshme në “Rigshospitalet” dolën negative dhe sot lojtari do t’iu nënshtrohet testeve të mëtejshme për të kuptuar se çfarë qëndron pas atyre momenteve terrori.
Mesfushori i Interit, i cili vazhdon të marrë mesazhe dashurie nga e gjithë bota e futbollit dhe më gjerë, është në shoqërinë e gruas, Sabrina, dhe prindërve të tij: babait Thomas dhe nënës Dorthe, në spitalin e Kopenhagenit, pak metra larg nga stadiumi ku për pak humbi jetën.
Miku dhe agjenti historik i Eriksen, Martin Schoots, i tha “La Gazzetta dello Sport” se cila është situata e mesfushorit të Interit: “Ne folëm. Ai bëri shaka, ishte me humor të mirë. Të gjithë duam të kuptojmë se çfarë i ndodhi, ai dëshiron ta dijë gjithashtu.
Mjekët po bëjnë analiza të hollësishme, do të duhet kohë. Christian ishte i lumtur, sepse e ka kuptuar sa dashuri ka rreth tij. Mesazhe nga e gjithë bota arritën tek ai. Dhe ai u impresionua veçanërisht nga ata të botës së Interit; jo vetëm shokët e skuadrës, por edhe tifozët.
Christian nuk dorëzohet. Ai dhe familja e tij janë të etur të dërgojnë falënderime për të gjithë. Gjysma e botës ka kontaktuar me ne, të gjithë janë të shqetësuar. Tani, ai thjesht duhet të pushojë, gruaja dhe prindërit janë me të. Christian do të mbetet nën vëzhgim, mbase edhe të martën. Por, në çdo rast ai dëshiron të brohorasë për shokët e skuadrës, kundër Belgjikës”.