Historiani i njohur, profesor Paskal Milo, hedh dritë mbi momente të panjohura më parë, të marrëdhënieve të Frontit Nacionalçlirimtar dhe Ballit Kombëtar e Legalitetit. Bazuar në dokumente të reja, profesor Milo tregon kundërshtitë që Enver Hoxha kishte për Konferencën e Mukjes dhe mospranimin e saj, mesa duket i ndikuar nga të dërguarit e Titos pranë shtabit të Përgjithshëm, Miladin Popoviçit, Dushan Mugoshës dhe të dërguarit të K.Q të PKJ-së, Svetozar Vukmanoviç Tempos.
Por, marrëdhëniet njerëzore mes udhëheqësve politikë nga të dy krahët ishin mëse shqiptare. Profesor Milo sjell në vëmendje një takim, për të cilin është folur shumë pak, mes Enver Hoxhës dhe Safet Butkës, komandantit të forcave të Ballit Kombëtar për Kolonjën, një figurë qendrore e kësaj organizate jo vetëm në qarkun e Korçës, por edhe në rang kombëtar.
Takimi është zhvilluar në Vithkuq, ka zgjatur mbi 2 orë dhe ka qenë shumë korrekt dhe shpresëdhënës për një bashkëpunim në të ardhmen. Takimi u zhvillua pas denoncimit të Marrëveshjes së Mukjes nga Enver Hoxha, ndërsa shumë drejtues të Ballit Kombëtar si Hysni Lepenica, Ali Këlcyra, Abaz Ermënji etj, shprehën më pas gatishmërinë për të luftuar krah formacioneve partizane kundër pushtuesit të huaj.
Paskal Milo
Inercia e frymës së Mukjes
Prof.dr. Paskal Milo është duke përgatitur për botim vëllimin e dytë të librit të tij “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore”. Fryt i një pune gati 30-vjeçare. Libri reflekton punën intensive kërkimore arkivore të tij brenda dhe jashtë Shqipërisë, analizën e ngjarjeve politiko-ushtarake dhe veprimtarinë e grupimeve antifashiste e të udhëheqësve të tyre. Redaksia e gazetës “Panorama” i kërkoi prof. Milos të përcjellë për lexuesit e saj disa nga analizat që ai bën në këtë libër në këndvështrime të reja e plotësuese për historinë e Luftës së Dytë Botërore. Ai u tregua i gatshëm të ofrojë për lexuesit e gazetës sonë disa nga temat më interesante që trajtohen në libër e që do të botohen në formën e një seriali në rubrikën e historisë që sot e në vijim.
Mbishtresat që janë vendosur në rrjedhën e viteve gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore në interpretimin e ngjarjeve historike e në vlerësimin e figurave historike kanë deformuar natyrën e marrëdhënieve njerëzore. Përpara se të ishin fashistë, komunistë, ballistë e legalistë, shqiptarët ishin njerëz që i lidhnin shumë fije bashkë, të identitetit e të historisë, krahinore, fisnore, familjare, shoqërore, etj. Bindjet e ndryshme politike nuk mund të denatyrojnë në mënyrë ekstreme marrëdhënien njerëzore, pa mohuar se ka pasur edhe përjashtime.
Në Shqipëri, por edhe në vende të tjera gjatë Luftës së Dytë Botërore, bindjet politike dhe rreshtimi në formacione politiko-ushtarake kundërshtare kanë ndarë pjesëtarë të një familjeje e të një fisi, krushqi e miqësi të vjetra. Ato sollën shumë rrjedhoja të dëmshme për kohën e për të ardhmen e vendit. Por, këto ndasi nuk ishin kaq militante e antagoniste në jetën e përditshme të njerëzve të thjeshtë në fshatra e në qytete. Ata bashkoheshin në dasma e në morte, diskutonin e mund të ngrinin zërin para filxhanit të kafesë apo edhe gotës së rakisë. Nuk i prishën vëllazëritë, krushqitë e miqësitë për hir të bindjeve politike, apo edhe rreshtimit në formacione ushtarake kundërshtare.
Në nivelin e elitave politike, marrëdhënia njerëzore ishte më e komplikuar dhe u nënshtrohej interesave të momentit apo të perspektivës, ishte një ndjenjë që shfaqej si një medalje me dy anë, herë miqësore e shoqërore dhe herë e ashpër deri armiqësore. Në terrenin politik por edhe historiografik shqiptar gjatë e pas Luftës së Dytë Botërore, deri tani është nënvizuar dhe interpretuar me përparësi konflikti dhe armiqësia mes elitave dhe fare pak ose aspak marrëdhënia e kontaktet njerëzore, miqësore e shoqërore të së shkuarës së tyre. Të dytët janë sakrifikuar për hir të të parëve. Modeli i kësaj analize mund të aplikohet në marrëdhënien trekëndore: PKSH – Balli Kombëtar – Legaliteti.
Enver Hoxha mund të ishte epiqendra e kësaj analize për të kuptuar më mirë kompleksitetin e kësaj marrëdhënieje, por pa përjashtuar edhe modele të tjera. Ai në optikën e interesave të tij, por edhe i nxitur për të lënë në disa raste një jetëshkrim sa më tokësor ka cekur në kujtimet e tij të shumta emra e figura të ndryshme familjare, të afërt, të rinisë, të politikës e të luftës. Këto kujtime të shkruara nga pozitat e zotit të padiskutueshëm të Shqipërisë kanë një vulë subjektivizmi, janë seleksionuese. Në to kanë zënë vend, në atë masë që ka dashur autori njerëz të caktuar, të afërt, miq, kushërinj, shokë të rinisë që më vonë u bënë ose u shpallën armiq, kundërshtarë politikë e bashkëpunëtorë të ngushtë të kohës së Luftës, etj. Por, janë shmangur mjaft të tjerë me arsye e motive të ndryshme që nuk është gjykuar me vend që të bëheshin pjesë e memoralistikës së tij.
Për të kuptuar e shpjeguar më mirë se çfarë ndodhi e si ndodhi në periudhën nga Konferenca e Mukjes, në pragun e pushtimit gjerman e pas tij në marrëdhëniet e PKSH-së e Frontit Nacionalçlirimtar me Ballin Kombëtar e Legalitetin, duhet parë edhe përtej atyre kornizave të njohura në marrëdhëniet mes tyre. Është e ditur se në Mukje të dy delegacionet, ai i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe ai i Ballit Kombëtar pas një takimi përgatitor në Tapizë arritën marrëveshjen e shumëpërfolur historike, për të cilën është folur e shkruar kaq shumë.
Çfarë është për t’u shënuar e nënvizuar ka të bëjë me faktin se Enver Hoxha qëllimisht e shmangu kryesimin e delegacionit të Këshillit të Përgjithshëm, ndërkohë që në krye të delegacionit të Ballit Kombëtar ishte kryetari i tij, Mit’hat Frashëri. Ka mbetur enigmë ky qëndrim që jo pa të drejtë mund të interpretohet edhe si shmangie nga përgjegjësia e nënshkrimit të marrëveshjes dhe e ballafaqimit me udhëheqësit e Ballit Kombëtar ose si alibi për të fshehur mungesën e dëshirës për ta arritur atë ose për ta rrëzuar më vonë. Ymer Dishnica që ndodhej në krye të delegacionit të Këshillit të Përgjithshëm përmes letrave i kishte kërkuar Enver Hoxhës që të merrte pjesë personalisht në Konferencë ose të paktën të qëndronte afër Tiranës për të pasur mundësinë e konsultimeve, të përcaktimit sa më të saktë të pozitës së K.Q të PKSH-së, sepse tani janë “momentet kur kam nevojën më të madhe për ndihmën tuaj”
Enver Hoxha në kohën kur Ymer Dishnica kërkonte ndihmë urgjente ndodhej në Kucakë të Korçës, në shoqërinë e Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës, të Koçi Xoxes, Sejfulla Malëshovës dhe të dërguarit të K.Q të PKJ, Svetozar Vukmanoviç Tempos. Që aty, në 6 dhe 9 gusht ai i dërgoi dy letra tepër kritike Ymer Dishnicës në të cilat në mënyrë të përshkallëzuar e hodhi poshtë marrëveshjen e Mukjes. Arsyet janë të njohura e të trajtuara, por Enver Hoxha sipas konjukturave i është kthyer e rikthyer disa herë kësaj ngjarjeje në kohën e Luftës, në Labinot, në shtator 1943, në Helmës në maj 1944 dhe në Berat në nëntor 1944, por e ka dënuar përfundimisht pas saj.
Enver Hoxha ishte një aktor i shkathët dhe i rafinuar politik. Thellë në ndërgjegje ishte i bindur se marrëveshja e Mukjes nuk ishte e keqe, veç që bashkimi të bëhej në kuadrin e Frontit Nacionalçlirimtar. Por, u ndodh nën presionin e Tempos për tezën e “Shqipërisë etnike” që kishte zënë vend në Proklamatën që shpërndau “Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë”, që u krijua nga Konferenca edhe nën akuzat e tij për qëndrime oportuniste ndaj Ballit Kombëtar.
Pas Mukjes, ndonëse e hodhi poshtë marrëveshjen, nuk i ndërpreu marrëdhëniet me Ballin Kombëtar, pavarësisht se ato ishin plot me tensione e mosbesime të ndërsjella. Bashkëpunimi i pjesshëm vazhdoi në qarqe të caktuara për koordinimin e veprimeve luftarake kundër forcave italiane. Në 11 gusht komanda ushtarake e Ballit Kombëtar për qarkun e Korçës në frymën e Marrëveshjes së Mukjes i kishte kërkuar komandës së përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare në Vithkuq që të takoheshin për të koordinuar përpjekjet e tyre.
Duket se Enver Hoxha e ka shfrytëzuar këtë moment ose me ndërgjegje ose i kërkuar me ndërmjetësi britanike. I ardhur nga Kucaka në Vithkuq për të marrë pjesë në inagurimin e Brigadës së i partizane, i rrethuar nga bashkëpunëtorë të ngushtë, nga Miladin Popoviç e Dushan Mugosha e në prani të misionit britanik të ndërlidhjes të kryesuar nga Bill Maklin e Dejvid Smajli, ai zhvilloi shumë takime me interes. Një prej tyre, më enigmatiku dhe më i pandriçuari deri tani ka qenë ai që ka bërë me Safet Butkën, komandantin e forcave të Ballit Kombëtar për Kolonjën, një figurë qendrorë e kësaj organizate jo vetëm në qarkun e Korçës, por edhe në rang kombëtar.
Ky takim në kohën e Luftës që mund të ketë qenë edhe si përgjigje ndaj kërkesës së komandës ushtarake të Ballit Kombëtar të Korçës të 11 gushtit, mbeti një ndër shumë ngjarje sekrete që e dinin një numër i kufizuar njerëzish, ishte një ndër tabutë e shumta. Vetë Enver Hoxha që në serialin e kujtimeve të tij për Luftën ka përmendur takimet me udhëheqës të ndryshëm të Ballit Kombëtar në vitet 1942- 1943, ka heshtur për takimin me Safet Butkën. Pa rënë në spekulime, heshtja ka qenë e motivuar për shkak se ky takim u zhvillua në momentin kur sapo ishte hedhur poshtë Marrëveshja e Mukjes. Publikimi i këtij fakti shkonte ndesh me qëndrimet që ishin mbajtur, por edhe me imazhin e krijuar të një lufte pa kompromis kundër Ballit Kombëtar.
Fakti është i padiskutueshëm që takimi ka ndodhur midis 12 – 13 gushtit 1943 në Vithkuq, një apo dy ditë para inaugurimit të Brigadës së Parë. Dëshmitarë të takimit kanë qenë disa, por vetëm dy prej tyre, Muhamet Prodani dhe Elami Hado kanë botuar dëshmitë e tyre rreth tij pas vitit 1990. Sipas tyre, iniciativën për takimin e mori Enver Hoxha. I shoqëruar nga tre partizanë Safet Butka erdhi në Vithkuq nga Lubonja ku kishte shtabin e tij dhe u takua me Enver Hoxhën rreth dy orë duke konsumuar edhe drekën.
Takimi ka qenë korrekt për të mos thënë miqësor. Ata njiheshin që në Liceun e Korçës. Enver Hoxha e kishte pasur mësues e më vonë koleg Safet Butkën, kishin ndarë së bashku jo vetëm kulturën franceze por edhe ndjenjat antifashiste. Vëllai i Safetit, Muharremi, ishte bashkuar me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe ishte komandant i qarkut të Korçës, ndërsa kushëriri i tij, Fetah Butka kishte qenë delegat në Konferencën e Pezës, por më vonë ishte bashkuar me Ballin Kombëtar.
Takimin duhet ta ketë mundësuar ose lehtësuar edhe prania në këtë kohë në Vithkuq e britanikut Bill Maklin. Oficeri i ndërlidhjes merrej me organizimin e Brigadës së Parë dhe në 8 gusht po në Vithkuq kishte takuar e biseduar me Safet Butkën, madje edhe kishin nënshkruar një marrëveshje për veprime të përbashkëta kundër forcave italiane. Maklin brenda detyrës së tij dhe në dijeni të marrëveshjes së Mukjes, i ndodhur ende në muajin e mjaltit në marrëdhënien me Enver Hoxhën e ka bindur atë për t’u takuar me Safet Butkën. Shefi politik dhe ushtarak i komunistëve shqiptarë nuk u ka treguar Maklinit e Safet Butkës se ai e kishte pushkatuar marrëveshjen e Mukjes.
Sipas dëshmive, Enver Hoxha e Safet Butka folën miqësisht dhe u mirëkuptuan, aq sa në fund të takimit, komandanti rajonal i Ballit Kombëtar i premtoi ish-kolegut dhe rivalit të tij politik se ai dhe batalioni i tij do të luftonin krah për krah me batalionin partizan “Hakmarrja”.
Fryma e Mukjes ende e padenoncuar publikisht vazhdoi për inerci të kultivojë një klimë më tolerante bashkëbisedimi mes Frontit Nacionalçlirimtar e Ballit Kombëtar. Por, gjithnjë pa kaluar kufijtë e dyshimeve e të mosbesimeve që kishin vendosur me njëri – tjetrin. Urat për kontaktet ekzistonin se përfaqësuesit kryesorë të të dy palëve e njihnin njëri – tjetrin përtej ndasive politike, kishin mes tyre edhe marrëdhënie njerëzore. Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Omer Nishani, pjesërisht edhe Nako Spiru, kishin njohje të gjëra e të vjetra me eksponentë të Ballit Kombëtar dhe ishin më të prirur e më pak dogmatikë për të kontaktuar me nacionalistët.
Në vijim të takimeve gjatë Konferencës në Mukje, Ymer Dishnica pas saj takoi përsëri Hysni Lepenicën, të sapo emëruar si komandant i përgjithshëm i forcave të Ballit Kombëtar për Shqipërinë e jugut. Lepenica ishte përfaqësues i krahut liberal të Ballit, ish-anëtar i grupit komunist “Zjarri”, njeri që kishte më tepër bindje socialdemokrate dhe i prirur për bashkëpunim aktiv me komunistët e Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Në fundin e pranverës 1942 ai kishte takuar Enver Hoxhën së bashku me Hysni Kapon në fshatrat e Vlorës. Dishnica pasi e ka kontaktuar Lepenicën me kërkesën e tij, në 14 gusht e informoi Enver Hoxhën për çfarë i kishte deklaruar komandanti i Ballit: “po të doni një bashkëpunim të sinqertë me mua edhe me shokët e mi, unë këtë e bëj fundja edhe pa pyetur fare krerët e Ballit”. Po t’i besohet dëshmisë së Dushan Mugoshës, ai dhe Mehmet Shehu pas formimit të Brigadës së Parë në Mallakastër, në shtëpinë e Bilbil Klosit kanë takuar Hysni Lepenicën dhe Uan Filipin.
Një figurë tjetër e udhëheqjes qendrore të Ballit Kombëtar, Fuat Dibra, bisedoi dy – tri herë pas Mukjes me Ymer Dishnicën. “Diplomati”- doktor e njoftonte shefin e tij në Vithkuq se Fuat Dibra ishte i prirur për të bashkëpunuar dhe luftuar me Lëvizjen Nacionalçlirimtare e se “simpatinë për neve e ka të madhe”. Një drejtues tjetër i lartë i Ballit, disa ditë pas Mukjes, Ali Këlcyra i ftoi përfaqësuesit e PKSH-së ose të Frontit Nacionalçlirimtar për bisedime rreth mbledhjes së dytë të “Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë”, por siç do të pohonte më vonë Enver Hoxha për këtë takim, “neve e zgjidhëm problemin nga oportunizmi në sektarizëm”. Po në këtë kohë, Gjin Marku, Mestan Ujaniku e Kahreman Ylli u takuan në fshatin Roshnik të Beratit me komandantin e forcave të Ballit të këtij qarku Abas Ermenji, ku diskutuan për organizimin e një sulmi të përbashkët për çlirimin e qytetit.
Në 12 gusht, udhëheqja qendrore e Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashëri, Ali Këlcyra, Hasan Dosti, Faik Quku, Thoma Orollogai, Isuf Luzaj, etj, në rrugëtimin për në Shqipërinë e veriut, takuan në Dibër, në teqen e Bllacës nënkomandantin e batalionit partizan të zonës Esat Ndreun, por në veçanti edhe Aqif Lleshin. Haxhi Lleshi në kujtimet e tij të botuara ka pretenduar se e ka takuar e ka diskutuar me udhëheqjen e Ballit Kombëtar në teqenë e Bllacës rreth datës 19 gusht. Haki Stërmilli, dibran, anëtar i delegacionit të Këshillit të Përgjithshëm në Konferencën e Mukjes dhe që e shoqëroi udhëheqjen e Ballit në veri deri në Dibër, në ditarin e tij nuk e përmend këtë takim.
Titulli i autorit: Një vështrim ndryshe në marrëdhëniet e PKSH me Ballin Kombëtar