MENU
klinika

Prof. Edvin Prifti

Ç’duhet të dini për ‘Bypass-in Aorto-Koronar’

31.10.2018 - 17:11

Procedura e bypasit aorto-koronar zgjat nomalisht 3-5 orë. Pas kësaj ndërhyrjeje pacientët qëndrojnë në spital nga katër deri në shtatë ditë.

Bypasi aorto-koronar është procedura standarte për trajtimin e pacientëve që vuajnë nga sëmundja ‘multiple’ e arterieve koronare. Përcaktimi përfundimtar nëse për një pacient të caktuar është i nevojshëm bypasi aorto-koronar bëhet në bazë të rezultateteve të kateterizimit kardiak.

Një seri testesh dhe ekzaminimesh janë të nevojshme në rastin e indikacionit për intervent.

Këto testime apo ekzaminime në shumicën e rasteve nuk kërkojnë shtrimin në spital të pacientit dhe normalisht përfshijnë një elektrokardiogramë, ekokardiogramë, eko kolor dopler të arterieve karotide apo enëve të gjakut që furnizojnë trurin, analizat rutine të gjakut, radiografinë e mushkërive, analizat e urinës, grupin e gjakut dhe kompatibilitetin mbi unitete të caktuara gjaku që mund të përdoren gjatë interventit.

“Në fillim të punës sime si kardiokirurg mëse 9 vjet më parë në Itali, pacientët shtroheshin dy ditë përpara interventit dhe kryenin të gjitha ekzaminimet.

Prof. Edvin Prifti

Në Amerikë, kjo strategji ka ndryshuar dhe pacienti vjen mëngjesin e interventit dhe kryen operacionin. Megjithëse fillimisht isha tepër skeptik ndaj kësaj alternative, duket që kjo funksionon dhe mendoj që edhe pacientët e preferojnë.

Për ta është më mirë që ta kalojnë me familjen ditën përpara interventit duke fjetur në kushte sa më optimale një ditë përpara procedurës kirurgjikale. Megjithatë, kjo formulë aplikohet për interventetet e programuara.

Disa pacientë janë të shtruar në spital përpara interventit për shkak të problematikës që zemra e tyre mund të paraqesë sikurse aritmitë apo instabiliteti i saj.

Një pjesë tjetër pacientësh kanë nevojë për shtrimin në spital përpara interventit për shkak të kushteve mjekësore specifike që ata mund të paraqesin duke përfshirë këtu sëmundje të tjera të cilat mund të kenë nevojë për një kujdes të veçantë dhe ekzaminime më të perfeksionuara”.

Zgjedhja e tipit të arteries apo venës për bypasin aorto-koronar

Gjatë interventit të bypasit aorto-koronar, ekipi kirurgjikal duhet të preparojë enët, venat apo arteriet në pjesë të tjera të trupit të cilat do të përdoren më vonë për realizimin e bypasit në zemër.

Vena më e përdorshme është vena safena e cila merret nga këmba. Kjo është një venë sipërfaqësore e cila i ka fillimet e veta në nivelin e kaviljes dhe shkon deri në rreze të kofshës dhe mund të identifikohet lehtësisht poshtë lëkurës në shumë njerëz. Është një nga venat e këmbës e cila me kohë mund të dilatohet duke dhënë venat varikoze.

Në të vërtetë është një venë që organizmi mund të bëjë shumë mirë edhe pa të dhe në raste të caktuara prezenca e saj mund të shkaktojë edhe probleme të caktuara.

Megjithëse vena safena në shumicën e rasteve është një enë gjaku me një kalibër shumë të mirë dhe gjatësi të mfaftueshme duke bërë të mundur që të realizohen një sërë bypasesh në mënyrë të pavarur nga distanca dhe numri i arterieve koronare, përsëri ekziston një probabilitet prej 3-4% në vit që bypaset me venë të ngushtohen dhe me kalimin e kohës të bllokohen plotësisht.

Kështu probabiliteti që kanë këto tipe bypasesh të konstruktuara me venë nuk është edhe aq mirë sa me enë të tjera gjaku që organizmi ynë disponon.

Një enë tjetër shumë e përdorur është edhe arteria e majtë mamare e brendshme e cila quhet ndryshe edhe arteria torakale e brendshme.

Përdorimi i arteries mamare të brendshme është pak më i ndryshëm se venat, pasi origjina e saj lihet e paprekur duke e marrë origjinën nga një degë e aortës.

Ekzistojnë dy arterie mamare të brendshme, të dyja të vendosura në pjesën e brendshme të kraharorit në të dy krahët e kockës së përparme të kraharorit apo sternumit.

Arteria e majtë normalisht arrin në gjatësi të vendoset në arterien koronare të përparme e cila është edhe arteria koronare kryesore e zemrës. Në 90-95% të rasteve ky bypas qëndron i hapur njëzet vjet pas interventit.

Ndonjëherë mund të paraqesë disavantazhe në kalibrin dhe madhësinë e saj. Mund të qëllojë që diametri i saj të jetë afërsisht një milimetër ose më pak, duke rezultuar më e vogël se arteria koronare ku do të përdoret dhe në një rast të tillë fluksi i gjakut që ajo do të sillte në zemër mund të mos jetë i përshtatshëm.

Në raste të tjera, kjo arterie mund të mos arrijë në gjatësi pikën e dëshiruar për të realizuar bypasin aorto-koronar. Megjithatë ky problem mund të kalohet duke e shkëputur nga origjina e saj dhe duke e qepur mbi aortë, duke rezultuar kështu në një gjatësi të përshtatshme.

Gjithashtu edhe arteria e djathtë mamare e brendshme përdoret për të realizuar bypasin aorto-koronar. Zakonisht kjo arterie mund të arrijë në gjatësi arterien koronare të djathtë, arterien e përparme dhe disa degë të arteries cirkumflekse.

Në raste të caktuara mund të shkëputet nga origjina e saj dhe të qepet mbi aortë ose mbi një bypas tjetër duke realizuar kështu të ashtuquajturit bypaset e kompozuara.

Një arterie tjetër që përdoret për intervention e bypasit aorto-koronar është edhe arteria radiale e cila lokalizohet në parakrah.

Në kohët e fundit përdorimi i saj ka filluar të jetë mëse rutinë në disa qëndra. Në pjesën e sipërme të krahut ekziston vetëm një arterie kryesore e cila quhet arteria brakiale që ndahet në nivelin e bërrylit në dy arterie të tjera që janë arteria radiale e cila lokalizohet në pjesën e brendshme të parakrahut deri në nivelin e gishtit të madh.

Dega tjetër është arteria ulnare e cila lokalizohet në anën tjetër të parakrahut në drejtin të gishtit të vogël të dorës. Këto arterie bashkohen në nivelin e dorës në një arterie e cila quhet edhe arteria e harkut palmar.

Në rast se kjo e fundit është e paprekur dhe funksionale, atëherë mund të hiqet një porcion i arteries radiale pa shkaktuar asnjë problem në furnizimin me gjak të dorës. Rezultatet e deritanishme tregojnë që arteria radiale e përdorur si bypas ka një probabilitet shumë të lartë se sa vena, duke mbetur e hapur në shumicën e rasteve sikurse edhe arteria mamare e brendshme.

Ndonjëherë mund të përdoret një arterie abdominale e cila quhet edhe arteria gastroepiploike. Për të përdorur këtë arterie duhet të hapet barku. Kur përdoret kjo arterie e stomakut, duhet të hapet një vrimë në diafragëm nëpërmjet të cilës kjo arterie mund të kalojë në nivelin e zemrës.

Arteria gastroepiploike ka rezultate më të mira se sa vena safena, por më të ulët se sa arteria mamare e brendshme dhe arteria radiale. Disavantazhi në përdorimin e kësaj vene është se kirurgu duhet të bëjë një incizion kirurgjikal më të madh, të hapë barkun si dhe të reduktojë furnizimin me gjak të stomakut.

Nga eksperienca është treguar se përdorimi i venave të krahëve ka rezultate shumë të këqija kështu që është hequr dorë prej tyre dhe mund të përdoren vetëm në rastet kur nuk ka opsione të tjera.

Enë të tjera sikurse arteria epigastrike inferiore, arteria tibiale posteriore etj, përdoren nga kirurgë të veçantë, por me rezultate akoma të panjohura. Mendimi im është se këto enë duhet të merren në konsideratë kur nuk ekzistojnë mundësi dhe opsione të tjera.

Në disa raste, vena nga kadavrat humane janë përdorur, por rezultatet kanë qenë shumë të këqija. Kjo mbase për faktin se trupi nuk i njeh si pjesë e tij dhe shfaq fenomenin e flakjes. Janë përdorur gjithashtu edhe arterie sintetike sikurse Dakron ose materiale të tjera.

Këto materiale funksionojnë shumë mirë kur përdoren për të zëvendësuar arterie më të mëdha në trupin e njeriut, por rezultatet e deritanishme në arteriet koronare nuk janë aq të mira, megjithatë studimet vazhdojnë në krijimin e grafteve sintetike të veshur nga brenda me material biologjik human dhe me qeliza të vetë pacientit të proliferuara nëpërmjet procedurave të klonimit në laborator.

Simptomat që mund të përjetoni!

Pse na dobësohet shikimi kur bie borë?

Ja 4 frutat e thata që ulin kolesterolin

Sekreti për një zemër të mirë qëndron në dietë!

Rekomandimet për përdorimin e pajisjeve digjitale

Sa orë duhet të qëndrojmë në telefon?