Ministri i Shtetit për Diasporën ka përgatitur një strategji për rritjen e përfshirjes së saj në ekonominë kombëtare. Instrumenti kryesor do të jetë orientimi i dërgesave të emigrantëve, nga konsumi drejt zhvillimit.
Pjesë e strategjisë është kanalizimi i remitancave drejt mekanizmave formalë, si sistemi bankar. Strategjia përmban një analizë të thelluar të mënyrës sesi emigrantët shqiptarë kanë sjellë paratë në Shqipëri. Kanalet kryesore të dërgimit të parave prej emigrantëve shqiptarë familjeve të tyre fillimisht kanë qenë informale. Ato janë sjellë pranë familjes nga të interesuarit ose dërgimit përmes të afërmve e miqve. Në një fazë të mëvonshme filloi dërgimi i tyre i formalizuar nëpërmjet korrierëve të paguar dhe institucioneve jobankare. Në fazën e tretë ka nisur edhe dërgimi i tyre nëpërmjet sistemit bankar.
Në këto kushte, strategjia parashikon një kanalizim të dërgesave të parave drejt mekanizmave formalë për faktin se kjo jo vetëm rrit transparencën, por dhe promovon sistemin bankar vendas duke rritur fuqinë e tregut të remitancave.
Për të nxitur dërgesat e parave në Shqipëri përmes sistemit bankar, strategjia parashikon që ta bëjë këtë “rrugë” më pak të kushtueshme, pra me më pak komision për t’u paguar nga dërguesi.
Strategjia Kombëtare e Diasporës parashikon një koordinim kombëtar të institucioneve përgjegjëse shtetërore për të bashkëvepruar për të krijuar një plan veprimi për remitancat, i cili do të evidentojë praktika të mira për dërgesat e emigrantëve, do të zgjerojë shërbimet bankare në Shqipëri dhe përmirësojë bashkëpunimit mes bankave shqiptare e të huaja në lidhje me remitancat; të zgjerojë kapacitetet e institucioneve të tjera financiare dhe të Postës Shqiptare për të përmirësuar shërbimin e transferimit të remitancave si dhe të rrisë kapacitetet shtetërore dhe të organizatave të diasporës në vendet pritëse për të bashkëpunuar në zhvillimin e përbashkët të iniciativave mes këtyre vendeve.