Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi në fjalën e mbajtur sot në Kuvend tregoi si do të lehtësohen procedurat për të huajit që duan të punojnë dhe qëndrojnë në Shqipëri.
Ndërsa shpalosi risitë e projektligjit të ri, Çuçi tha se të huajit do të pajisen me një leje unike dhe do të ketë një procedurë të vetme aplikimi.
“Me legjislacionin e ri për të huajit po krijojmë procedura më të lehtësuara për lejet e qëndrimit duke shmangur burokracinë që në jo pak raste ishte bërë pengesë, sidomos për intevstitor të veçantë dhe fuqinë punëtore. Ky projektligj adreson një nga mangësitë, duke integruar pajisjen me leje pune dhe qëndrimi në një dokument të vetëm. Do të quhet leje unike. Kështu ne garantojnë një procedurë të vetme të aplikimit për të huajit që kanë për qëllim të qëndrojnë dhe punojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Ky është një hap shumë i rëndësishëm, i cili u garanton të huajve një procedurë të vetme aplikimi, duke u kursyer kohë dhe shpenzime. Shtetas të huaj që kërkojnë qëndrim për arsye punësimi, përmes këtij ligji, do ti drejtohen vetëm një sporteli të emigracionit, dhe do dorëzojnë vetëm një dosje të vetme”, tha Çuçi.