I akuzuar për trafikun e një sasie prej 49 kg kokainë, Selim Çekaj 72 vjeç, iu drejtua Gjykatës së Lartë për të kërkuar lirinë nga qelitë e paraburgimit, pasi dështoi në dy shkallët e tjera të gjyqësorit në Durrës.
Në vendimin përfundimtar, Kolegji Penal i kësaj gjykate rrëzoi rekursin e paraqitur nga avokati i Çekajt, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe asaj të Apelit, çka do të thotë se 72-vjeçari do të mbetet në qeli.
Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, një kopje të së cilës e ka siguruar “Panorama”, bëhet me dije se më 31 mars të këtij viti, rreth orës 12:40, Dega e Doganës Durrës ka njoftuar Policinë Gjyqësore Durrës, për kontrollin e një kontejneri, me anë të të cilit eksportoheshin mallra nga shteti i Ekuadorit për llogari të subjektit shqiptar “ECOAL-MAX” sh.p.k, me adrese në Maminas dhe i administruar nga 72-vjeçari, babai i Arbër Çekaj, i akuzuar dhe dënuar për sasinë rekord të drogës së kapur në vendin tonë prej 613 kg.
“Gjatë kontrollit fizik, në pjesën e dyshemesë nga pjesa e jashtme dhe në traversat e poshtme të shasisë, është konstatuar prania e një lënde me ngjyrë të bardhë në formë pluhuri, me karakteristikat e lëndës narkotike të llojit kokainë. Në vijim të veprimeve hetimore, është bërë sekuestrimi i sasisë së lëndës narkotike të gjetur në masën e 48 kg dhe 754 gram, e ndarë në 40 pako dhe në këto kushte, është kryer arrestimi në flagrancë i shtetasit Selim Çekaj, me cilësinë e administratorit të shoqërisë pritëse të kontejnerit, ku dhe u gjet droga, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të ‘Trafikimit të narkotikeve’, e kryer në bashkëpunim”- thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë.
Sipas vendimit, pavarësisht pretendimeve të palës mbrojtëse të të akuzuarit Selim Çekaj, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vlerëson se, Gjykata e Apelit Durrës i ka dhënë përgjigje të argumentuar pretendimeve të personit nën hetim për shkelje të ligjit procedural penal. “Qëndrimi që mban Kolegji për rastin në shqyrtim, bazohet edhe në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, sipas të cilave shkaqet e parashtruara në rekurs që rezultojnë haptazi të pabazuara vlerësohen si të papranueshme për pranimin e rekursit”, thuhet më tej.
ARRESTIMI
Selim Çekaj përfundoi në prangat e Policisë në momentin kur lënda narkotike u zbulua në kontejnerin me banane që vinte nga Ekuadori për llogari të kompanisë së krijuar prej tij. E njëjtë metodë trafiku e lëndës narkotike ishte zbuluar më herët ku përfundoi në prangat Arbër Çekaj, djali i 72-vjeçarit. “Strukturat e Policisë së Shtetit, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative dhe hetimet e kryera se në një kontejner fshi- hej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike kokainë, në bashkëpunim me autoritetet doganore kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar ‘MERSIN’.
Si rezultat i operacionit, gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në disa kontejnerë, u bë e mundur që në njërin prej tyre, i cili ishte i ngarkuar me banane dhe ishte nisur nga Ekuadori me destinacion Shqipërinë, për llogari të një firme me qendër në Maminas, me administrator shtetasin S. Ç., të gjendej dhe sekuestrohej në cilësinë e provës materiale rreth 49 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë. Në vijim të veprimeve, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikeve në DVP Durrës u arrestua në flagrancë shtetasi S. Ç., banues në Sauk, Tiranë”, sqaronte Policia e Shtetit më datë 1 prill të këtij viti.
Kontejneri me banane ishte nisur nga porti i Guayaquil, një nga portet kryesore të Ekuadorit nga ku nis trafiku ndërkombëtar i kokainës për në Evropë. I përfshirë në “rrethin” e kontejnerëve me risk që në nisje, ngarkesa me banane iu nënshtrua kontrollit me skaner, brenda së cilës u konstatua jo vetëm ngarkesa e ligjshme, por edhe lënda narkotike. Gjatë kontrollove të shumta përreth dy orë mesditën e 31 marsit, hetuesit ar- ritën të zbulonin drogën në kontejnerin që ishte nisur për llogari të kompanisë së Selim Çekaj, i cili ka mohuar në vijimësi që të jetë ai porositësi i sasisë së konsiderueshme të lëndës narkotike.
Madje, gjatë kontrollit, ai ka kërkuar që kontejneri të hapej në magazinat e kompanisë së tij, duke pretenduar se kishte porositur vetëm banane dhe kjo bëri që autoritetet ta hapnin atë në port pas skanimit që e kishte nxjerrë me “pullë të kuqe”. I moshuari kërkoi nga autoritetet që të gjenin se kush ishin porositësit e drogës, pasi siç ka deklaruar ai, ishte vetëm tregtar frutash. Pavarësisht mos pranimit të akuzës, autoritetet e arrestuan atë, ndërsa Gjykata e Lartë me vendimin e saj ka “vulosur” vendimet e marra nga dy shkallët e tjera të gjyqësorit.
Kontejneri ishte nisur nga Ekuadori me ngarkesën më datë 21 shkurt të këtij viti, duke ndaluar më 9 mars në Marok. Pasi ka ndaluar transit në portin e qytetit të Mersinit në Turqi, nga ku edhe mori emrin operacioni, anija e mallrave ka lundruar drejt portit të Pireut në Greqi dhe më 28 mars ka mbërritur në portin e Durrësit dhe dy ditë më vonë është zbuluar sasia prej 49 kg kokainë.
HAPJA E KOMPANISË DHE DËNIMI I TË BIRIT
Selim Çekaj kishte hapur një kompani të re për importin e bananeve nga Ekuadori rreth një muaj pasi ishte arrestuar i biri, Arbër Çekaj për 613 kg kokainë, sasia më e madhe e kapur ndonjëherë në Shqipëri. Sipas ekstrakteve të Qendrës Kombëtare të Biznesit, kompania “Ecoalmax” ish-te regjistruar më datë 20 mars 2018, ndërsa më 28 shkurt të po atij viti ishte sekuestruar ngarkesa me kokainë me vlerën 180 milionë euro.
Ngarkesa ishte nisur për llogari të kompanisë “Arbri Garden”. Pak ditë më parë, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendi- min për dënimin me 14 vite burg të Arbër Çekajt, ndërkohë, që me 10.8 vite burg u dënua Donaldo Lushaj, administrator i kompanisë së bananeve që drejtonte Çekaj si dhe me 8.8 vite burg shoferi Armando Pezaku. Tre të akuzuarit u arrestuan në kuadër të operacionit “Dëbora e Fundit”.