Dhe me rastin më të parë njerëzit mësyen anijet apo morën malet dhe u sulën drejt Eldorados së ëndërruar, që në fakt e kishin parë veç në filma dhe here pas here edhe në ekranet e televizioneve fqinje.
Tashmë janë mbushur 30 vjet nga ajo klithmë shprese dhe gëzimi. Dhe Shqipëria ka mbetur ende jashtë dyerve të Europës. Refuzimi i fundit, pas një vargu të gjatë, ngjau pak ditë më parë. U tha se shkaktari dhe fajtori që vendi ynë nuk ka filluar ende procesin e negociatave me BE-në gjendej në Sofje. Dhe nuk kishte të bënte me Shqipërinë, por me kundërshtitë dhe polemikat ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë rreth historisë dhe kulturës së tyre të ngjashme.
Më përpara ishin Franca, Holanda, Danimarka që kishin vënë veton e tyre… Nesër nuk i dihet!
Në fakt nga të gjitha ish vendet e Europës Lindore, Bashkimi Europian ka lënë jashtë sot vetëm Shqipërinë. Aq sa edhe hapin e parë, organizimin e konferencës, që praktikisht shënon hapjen zyrtare të fillimit të negociatave të anëtarësimit, që mund të zgjasin më shumë se një ose dy dekada, po e tërheq zvarrë duke nxjerrë pretekste pas pretekstesh.
Sot Shqipëria është e lidhur në një “parmendë” me Maqedoninë e Veriut. Në një kohë kur vendi ynë nuk ka qënë kurrë pjesë e vendeve të dala nga ish – Jugosllavia. Duke përjashtuar Kosovën, ai nuk ka asnjë lidhje kulturore apo historike me ish Jugosllavinë e karagjeorgjeviçëve apo titiste.
Për më shumë 5 vendet e tjera kandidate të dala nga ish – Jugosllavia: – Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi, Bosnja dhe Serbia vazhdojnë të kenë probleme sa me të shkuarën e tyre, aq edhe me njëra – tjetrën. DIsa vende si psh Serbia, me politikën e saj nacionaliste, u ka shkaktuar dëme të pariparueshme fqinjëve të vet. Si psh Bosnjës, Kroacisë apo Kosovës.
Prandaj Shqipëria nuk kishte pse të futej në këtë “shportë”.
Rreth mesit të viteve ’90 të shekullit të kaluar, pikërisht atëhere kur BE-ja hapi dyert e anëtarësimit për shtetet e dala nga ish perandoria sovjetike, vendi ynë renditej në një rradhë me vendet e tjera të Europës lindore si Sllovakia, Lituania, Letonia, Bullgaria apo Rumania si kandidate për në BE.
Për më tepër që Jugosllavia e Millosheviçit ishte shndërruar atëhere në një kasaphanë në qiell të hapur. Serbët pasi kishin humbur luftën diplomatike apo ushtarake me Slloveninë dhe Kroacinë i ishin kthyer Bosnjës. Si dikur hitlerianët me çifutët, tashmë ishin Mlladiçët dhe Karaxhiçët që po kryenin pothuajse një genocid të hapur fetar ndaj myslimanëve boshnjakë.
Shqipëria në atë kohë kishte “halle” të tjera. Duhej zhdukur trashëgimia komuniste me rrënjë. Por jo vetëm në fushën ideologjike, por sidomos në atë ekonomike. Çfarë ishte publike dhe e përbashkët mund të privatizohej dhe të përvetësohej!
Megjithatë në vend mbretëronte entuziazmi. Shqiptarët kishin filluar të « rrihnin » përsëri kurbetin, si dikur në kohën e Zogut. Iniciativa private kishte marrë hov. Shpresohej për ditë më të bardha.
Entuziazmi dhe ëndrra u bënë më të prekshme dhe pothuajse konkrete, kur komisioneri I atëhershëm i Bashkimit Europian, Hans Van Den Brouk, pas një vizite që zhvilloi në Tiranë më 28 prill 1995, me tu kthyer në Bruksel, u shpreh se edhe me Shqipërinë mund të nënshkruhej një marrëveshje asocimi, njëlloj si ato që Bashkimi Europian kishte nënshkruar deri atëhere me 10 vende të tjera të Europës Qëndrore dhe Lindore.
Por… Sepse për Shqipërinë gjendet gjithmonë një « por » për ta penguar në rrugën e saj.
Kësaj rradhe duket se ishte përfshirja e Shqipërisë në Konferencën e Vendeve islamike që u gjet si pretekst për të « frenuar » afrimin e vendit me BE-në. Pikërisht ato ditë në gazetën « La Libre Belgique » kolumnisti belg Philippe Paquet shtroi pyetjen : « Si mund të pranojmë në Bashkimin Europian një vend që sapo është anëtarësuar në Konferencên e vendeve Islamike » ?!
Edhe në Parlamentin Europian, pati europarlamentarë fqinj, që duke përfituar nga ky rast, propozuan që Shqipëria të spostohej nga integrimi drejt BE-së në përfshirjen në Organizatën e Vendeve Mesdhetare ! Ku bënin pjesë edhe vendet arabe si Algjeria, Tunizia, Maroku etj !
Më pas zgjedhjet antidemokratike të vitit 1996, pasuar nga Viti i Zi 1997, me pasojë futjen e trupave të huaja për të rivendosur gjendjen, e çuan për në kalendat greke projektin e asokohshëm të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Megjithatë orientimi properëndimor i shqiptarëve nuk u zbeh asnjë çast. Lidhja me Europën gjendet në ADN-në e shqiptarëve që nga koha e Skënderbeut. Ai është edhe amaneti i lënë nga rilindasit tanë të shquar.
Por duhet pohuar se ata që kanë përfituar më së shumti praktikisht nga kjo aspiratë e mbarë kombit shqiptar kanë qënë, fatkeqësisht, politikanët e gjithë këtyre 30 vjetëve.
Për afro 3 dekada politikanët vendas e mbajtën popullin me shpresën e hyrjes në BE. “Ja duroni edhe pak se do hyjmë në BE dhe gjitha hallet tuaja do të zgjidhen” – ishte vjega e përdoruar sa nga ana e të majtëve, po aq dhe të djathtëve për të qetësuar njerëzit.
Në të vërtetë kjo parrullë shërbente si perde tymi dhe mburojë kryesore për të mbuluar të gjitha keqbërjet, vjedhjet, përvetësimet dhe grabitjet që klasa politike u bëri vendit dhe shqiptarëve gjatë gjithë këtyre viteve.
Po të perifrazonim Daj Cenin në “Epopenë…” e Shefqet Musarait do të thonim për klasën e sotme politike se ajo e përdori këtë aspiratë të popullit si një lloj morfine për ta nanurisur atë me shprehjen: “Do të hyjmë në Europë de more de, lum si ti mor popull që mezi na ke”!
U bë sikur u harrua se shqiptarët më 1991 kërkuan thjesht që Shqipëria të bëhej si gjithë Europa.
Sepse anëtarësimi i ish vendeve komuniste në familjen europiane në atë kohë nuk ishte ende as në agjendën e Brukselit.
Vetëm 12 vende ishin asokohe anëtare të BE-së. Edhe 2 vende eropianoperëndimore si Suedia dhe Finlanda u pranuan si anëtare të BE-së veçse në vitin 1995 !
Aq më shumë që të kërkosh të bëhesh si gjithë Europa dhe të bëhesh pjesë përbërëse e Bashkimit Europian janë dy gjëra krejt të ndryshme. Norvegjia dhe Zvicra psh janë “Europë”, por nuk janë në BE. Ndërsa Britania e Madhe u largua fare.
Por duket se klasa politike vendase e deformoi dhe shtrëmbëroi qëllimisht këtë kërkesë të intelektualëve dhe studentëve të asaj kohe veçse për qëllimet dhe interesat e saj.
Që të hysh në BE duhet të jesh ose si ajo, në të gjitha fushat, ose BE-ja duhet të ketë interesa të veçanta për të të pranuar. Ndryshe vazhdon loja me pasa. Siç po ngjan me Shqipërinë sot.
«E duam Shqipërinë si gjithë Europa » do të thotë ta bësh Shqipërinë siç është Perëndimi. Që do të thotë pikërisht të mos veprohet siç u veprua gjatë këtyre 30 vjetëve!
Por saktësisht kjo nuk u pëlqente politikanëve vendas. Dhe bashkë me ta edhe oligarkëve, gjyqtarëve, prokurorëve. Dhe gjithë atyre që u pasuruan gjatë kësaj epoke.
Pra që të ndërtohej një shtet që të qeverisej me duar të pastra, t’i thuhej jo korrupsionit. Të kishte një shtet të mirorganizuar, që mbështetej te ligji dhe rregulli. Etj etj.
Tani pas 30 vjetëve duket se dikush nga klasa politike vendase e ka kuptuar më në fund se hyrja në BE, është e kushtëzuar pazgjidhmërisht dhe pikësëpari nga vënia në jetë e dëshirës mbarëshqiptare për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa.
Hyrja në BE vjen automatikisht më pas.
Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, – varet veçse dhe tërësisht nga kthimi i Shqipërisë në një shtet të përparuar dhe të begatë, ku të sundojë ligji dhe rregulli. Ku njerëzit ta gjejnë të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre në të, ku të jetë ndërprerë hemorragjia e emigracionit, etj etj.
Që do të thotë të mos kesh më nevojë t’i lutesh dikujt që të të pranojë në familjen e tij!
Ndryshe ëndrra mund të kthehet përsëri në zgjëndërr
“…ne jemi të vendosur që të vazhdojmë me të gjitha forcat për të rritur ekonominë, mirëqënien dhe krenarinë e popujve tanë. BE mund të caktojë detyra për integrimin, mund të caktojë afate për këto detyra, data, por BE nuk cakton dot as vendndodhjen tonë në mes të Evropës dhe as kulturën tonë dhe identitetin tonë europian dhe as të ardhmen e vendit tonë si europian, në familjen europiane dhe me standarde politike dhe ekonomike europiane” deklaroi tri ditë më parë në Shkup shefi i ekzekutivit shqiptar.
Më në fund! Të shpresojmë se nga fjalët do të vazhdohet me vepra. Por siç thotë edhe populli: – më mirë vonë se kurrë./ Tema