MENU
klinika

Analiza

Sllovenia merr presidencën e BE, nën hijen e akuzave

29.06.2021 - 17:22

Më 1 korrik, Sllovenia do të marrë në udhëheqje për gjashtë muaj presidencën e Bashkimit Evropian, nën hijen e shqetësimeve lidhur me lirinë e mediave dhe sundimit të ligjit gjatë qeverisjes së kryeministrit konservator, Janez Jansha.

Kjo është hera e dytë që ky vend do të udhëheqë me presidencën e bllokut 27 anëtarësh gjatë qeverisjes së Janshës.

Më 2008 Sllovenia, një vend i ish-Jugosllavisë, festoi dhe e vlerësoi si moment historik udhëheqjen e BE-së, por hera e dytë, mbase do të jetë më e vështirë.

Presidenca e Sllovenisë vjen në një kohë të ndjeshme për BE-në, shkruan agjencia AFP.

Blloku evropian do të shpërndajë mjetet e para nga fondi i paraparë i shpëtimit në vlerë të 750 miliardë eurove, përmes së cilit synohet rimëkëmbja e vendeve anëtare nga pasojat e pandemisë së koronavirusit.

Me moton “Së bashku, elastik, Evropë”, Qeveria e Janshës thotë se përparësitë e saj përfshijnë rimëkëmbjen ekonomike të bllokut dhe forcimin e qëndrueshmërisë së saj ndaj pandemive.

Slovenia seeks to calm nerves over EU presidency – POLITICO

“Vlerat evropiane”

Sllovenia ka thënë se dëshiron të forcojë “sundimin e ligjit dhe vlerat evropiane”.

Por, kjo mund të jetë e ndërlikuar për faktin se udhëheqësit e BE-së kanë kritikuar ashpër kohët e fundit një ligj hungarez që ndalon “promovimin” e homoseksualitetit te të miturit.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban është një aleat i afërt i kryeministrit slloven, Janez Jansha.

Udhëheqësit e BE-së e sulmuan kryeministrin Orban për ligjin të cilin ata e konsiderojnë si homofobik dhe në kundërshtim me vlerat e BE-së.

Orban kundërshton pretendimet duke thënë se ligji mbron fëmijët dhe u jep prindërve mundësinë të edukojnë fëmijët siç dëshirojnë.

Komentet e Janshës, sa i takon kësaj çështjeje, ishin të përmbajtura. Ai tha se ajo mund të zgjidhej pa shkaktuar “ndarje të panevojshme”.

“Ne duhet të forcojmë BE-në, brenda së cilës vlerat dhe identitetet tona kombëtare mbrohen dhe mund të vazhdojnë të lulëzojnë”, shkroi Jansha në faqen e presidencës.

Sllovenia parasheh mbajtjen e një samiti në muajin tetor në përpjekje për të përshpejtuar procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Ministri i Punëve të Jashtme i Sllovenisë, Anzhe Logar gjatë paraqitjes së përparësive të Presidencës sllovene ka thënë se “e ardhmja evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vazhdimi i procesit të zgjerimit duhet të bëhen interesi strategjik i Bashkimit Evropian”.

Megjithatë, mbetet të shihet nëse Janez Jansha do të jetë një ndërmjetës unifikues brenda BE-së pasi kritikët ka kohë që ngrehë shqetësime për lidhjet dhe aleancat e tij.

Gjatë periudhës së fundit, Jansha ka takuar tri herë udhëheqësen e partisë së ekstremit të djathtë në Itali, “Vëllezërit e Italisë”, Giorgia Meloni, pak para se të takohej me Orbanin, si dhe me kryeministrin e Polonisë, Mateusz Moraëiecki.

Në postimet e tij në rrjetet sociale, Jansha ka sulmuar zyrtarët e BE-së, duke përfshirë anëtarët e Parlamentit Evropian, të cilët kishin shprehur shqetësimin e tyre mbi situatën e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Slloveni.

“Ne nuk i detyrohemi BE-së asgjë. Ne luftuam për lirinë dhe demokracinë tonë 30 vjet më parë”, shkroi në Tëitter 62-vjeçari, mandati i fundit i të cilit filloi në mars të 2020.

Slovenian Presidency of the Council of the European Union 2021

“Ftohja e raporteve”

Qëndrimet e Janshës kanë çuar në “ftohjen e marrëdhënieve” midis Lubjanës dhe Komisionit Evropian, në një periudhë kur ky vend është nën vëzhgim të shtuar për shkak se do të udhëheqë me BE-në, thuhet në një shkrim të kolumnistit të së përditshmes Delo, Urosh Esih.

“Besoj se do të ketë tensione të vazhdueshme midis Presidencës sllovene, propozimeve të saj dhe institucioneve të BE-së” i tha AFP-së opinionisti Esih.

Së fundmi ka nisur së funksionuari një mekanizëm i ri anti-korrupsion i BE-së, por Qeveria sllovene ka dështuar të caktojë dy prokurorë. Kreu i këtij mekanizmi ka kritikuar Slloveninë për “mungesën e bashkëpunimit”.

“Këto janë gjërat që na shqetësojnë”, i tha AFP-së eurodeputetja franceze Gëendoline Delbos-Corfield, një raportuese e Parlamentit Evropian për Hungarinë duke nënvizuar “afërsinë e kryeministrit slloven dhe Viktor Orbanit”.

Komisioni Evropian gjithashtu i ka kujtuar Sllovenisë rolin që luajnë agjencitë e pavarura të lajmeve, pasi qeveria pezulloi financimin e agjencisë së vetme të lajmeve të vendit STA, të cilën Jansha e ka quajtur një “turp kombëtar”.

Organizata për mbrojtjen e gazetarëve “Reporterët pa kufij” ka shprehur shqetësim për rrezikun që presidenca gjashtëmujore do të keqpërdoret nga Qeveria sllovene për të penguar përpjekjet në fuqizimin e lirisë së medias në Evropë.

Brenda Sllovenisë, opozita akuzon koalicionin tripartiak të Janshës për shfrytëzimin e pandemisë së koronavirusit për të dëmtuar institucionet demokratike të vendit, për të shkelur lirinë e shtypit dhe për të vënë në pikëpyetje shtetin ligjor dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë.

Disa mocione të ngritura kundër Janshës kanë dështuar në parlament, ndërsa mijëra persona kanë marrë pjesë rregullisht në protesta të mbështetura nga grupe e shoqërisë civile dhe sindikatat të cilat kërkojnë dorëheqjen e politikanit veteran./Kestrin Kumnova/REL/

Nga debati me Joe Biden te dy atentatet e dështuara ndaj Donald Trump

Momentet kyçe të një fushate zgjedhore të paprecedentë

Pse plani mund të bëjë “revolucion” në Evropë

Suedia ofron 30 mijë euro për emigrantët që largohen nga vendi

Dëshmia: Vëllait tim iu premtua punë në administratë…

Si mashtrohen shtetasit e huaj që të luftojnë për Rusinë?