MENU
klinika

Gjyqtarja e Apelit të Tiranës drejt konfirmimit

E pastër në dy kritere, Komisioni pranon argumentet për pyetjet mbi pasurinë

02.07.2021 - 15:07

Seanca dëgjimore e zhvilluar ne dt 1 korik me gjyqtaren e Apelit Zegjine Sollaku, pritet te sjelle konfirmimin në detyrë të saj. Mbrojtja e saj, nëpërmjet bashkëshortit, avokatit të njohur Theodhori Sollaku, argumentoi me dokumenta domosdoshmërinë e përfshirjes në analizën financiare nga ana e Komisionit të disa të ardhurave nga burime të ligjshme, me kanale bankare në vitet 1996-1999 dhe në vitet 2008-2010, të ardhura që janë deklaruar vite më parë edhe në deklaratat e pasurisë së bashkëshortëve Sollaku.

Kështu, shuma prej 63 milionë lekë të vjetra të paguara nga universitete private në vitet 2008-2010, nuk ishin përfshirë në analizën financiare të Komisionit me argumentimin që nuk është paraqitur dokument që të provonte kryerjen e pagesave për tatimin në burim nga Drejtoria e Tatimeve Tiranë, për shkak të kohës mbi 10 vjet të ruajtjes së dokumentave.

Ndërkohë mbrojtja argumentoi, duke ju referuar edhe praktikës së Komisionit, që pagesa e tatimit në burim është detyrim i universiteteve dhe jo i subjektit përfitues dhe se mosparaqitja e dokumentave nga organet tatimore nuk i bën të paligjshme të ardhurat e realizuara.

Po kështu, ndryshe nga qëndrimi i Komisionit në lidhje me pagesat e përfituara nga udhëtimet zyrtare jashtë shtetit në vitet 1992-1997, Sollaku kundërshtoi qëndrimin e mbajtur nga organet e rivlerësimit që nuk njohin të ardhurat nga dietat e shërbimit jashtë shtetit të zyrtarëve.

Ky qëndrim i Komisionit është arsyetuar me faktin se dietat jepen për t’u konsumuar dhe jo për t’u kursyer. Mbrojtja argumentoi se një qëndrim i tillë cënon lirinë ekonomike të individit, dhe veçanërisht në vitet e vështira ekonomike 92-97, ku rroga e tij ishte 12 mij lek të vjetra në muaj, ndërkohë që dieta ditore ishte 180 dollarë.

Sollaku u ndal gjatë edhe tek njohja pjesore nga ana e Komisionite të të ardhura si këshilltar i një banke private. Komisioni ka njohur vetëm të ardhurat që mbështeteshin nga statement bankar, ndërkohë pagesat e kryera para vitit 2000 nuk i janë njohur, megjithëse banka ka konfirmuar zyrtarisht pagesat e kryera në favor të zotit Sollaku edhe para vitit 2000, por statementet nuk ekzistonin për shkak të rregullave të ruajtjes së dokumentacionit bankar jo më shumë se 10 vjet dhe për shkak të ndryshimit të sistemit informatik në vitet 2000. Shuma e pa llogaritur për këtë episod ishte 39 miljonë lekë të vjetra.

Shpjegime u dhanë edhe për disa të ardhura të tjera që nuk i ishin nënshtruar analizës financiare dhe që mbrojtja argumentoi me dokumenta ligjshmërinë e tyre.

Komisioni në mbyllje të dëgjesës tha që do i shqyrtojë dokumentat që mbështesin pretendimet e paraqitura në seancë nga subjekti i rivlerësimit, edhe për shkak se ato janë paraqitur pas mbylljes së hetimit administrativ dhe në datë 8 korik do japë vendimin.

Mesa u duk në seancën dëgjimore, mosbërja e pyetjeve nga ana e vëzhguesit ndërkombëtar, dhe miratimi herë pas herë nga ana e anëtarve të Komisionit me gjeste, i shpjegimeve të mbrojtjes, të krijon idenë e rikonfirmimit në detyrë të gjyqtares Zegjine Sollaku, e cila nuk kishte asnjë problem si me anën profesionale ashtu dhe me figurën.