Publikohet dokumenti i Arkivit Qendror të Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), që i përket vitit 1965, ku ndodhet proces-verbali i mbledhjes së Pleniumit të XV-të të Komitetit Qendror të PPSH-së, që iu kushtua artit, kulturës dhe letërsisë – pas raportit të Byrosë Politike të mbajtur nga Ramiz Alia, fjalën e mbylljes e mbajti Enver Hoxha, ku mes të tjerash, pasi ngriti një sërë problemesh që ishin vënë re në zhvillimin e letërsisë, arteve dhe kulturës, duke dhënë shembuj konkretë, ai vlerësoi punën dhe veprat e disa shkrimtarëve dhe artistëve si: Dhimitër Shuteriqit, Shevqet Musarajt, Llazar Siliqit, Jakov Xoxës, Sterjo Spasses, Kolë Jakovës, Nonda Bulkës, Ismail Kadaresë, veprat artistike të Tish Daisë, Kristo Konos, Çesk Zadesë, Odise Paskalit, Janaq Paços, Nexhmedin Zajmit, Vilson Kilicës, Guri Madhit, etj. Çfarë tha diktatori komunist për vajzën e re poete që i ankohej atij se nuk i’a botonin librat e saj si dhe për kompozitorin e njohur, mikun e tij të vjetër që nga vitet e rinisë në qytetin e Korçës, i cili, në veprën e tij të fundit, që ia kishte dërguar Enverit, frymëzohej nga mitologjia greke…!
Pjesë nga fjala e Enver Hoxhës në mbylljen e Plenumit të XV-të të Komitetit Qendror të PPSH-së, më 26 tetor të vitit 1965, kushtuar artit e kulturës
Të dashur shokë dhe shoqe. Po mendohesha të flas apo të mos flas në këtë mbledhje dhe ky ngurrim u shkaktua sepse në raportin e Byrosë Politike, që u mbajt nga shoku Ramiz, si edhe në diskutimet shumë të mira e mobilizuese të shokëve, zbërthyen problemet e mëdha që na preokupojnë sot, zbërthyen në mënyrë të shumanshme dhe me një analizë të thellë marksiste-leniniste. Pra, ajo që do të them unë, nuk do të ketë ndonjë rëndësi më të veçantë nga ato që thatë ju. Megjithatë, më lejoni të ritheksoj disa mendime që shprehën qoftë në raport, qoftë në diskutimet. Në një shkrim të tij Marksi thotë: nuk do të dalim përpara botës si doktrinarë me një parim të ri të gatshëm: ja ku është e vërteta, bini në gjunjë përpara saj! — Ne zhvillojmë për botën parime të reja që i nxjerrim po nga parimet e saj. Ne nuk i themi botës: “pushoje luftën; tërë lufta jote është punë boshe”, ne i japim asaj parullën e vërtetë të luftës. Ne vetëm i tregojmë botës se përse lufton ajo në të vërtetë, ndërsa ndërgjegjja është diçka që bota duhet ta fitojë, pavarësisht nëse e do apo jo këtë gjë»i. Këto fjalë të Marksit ne duhet të na frymëzojnë edhe në zhvillimin e letërsisë, të arteve e të kulturës në përgjithësi.
Të jesh shkrimtar ose poet, nuk do të thotë të kesh vetëm prirje, të lidhësh fraza me fantazi ose të sajosh vargje me rimë ose pa rimë, nuk mjafton vetëm të kesh një shkollë speciale, ku të kesh mësuar artin dhe teknikën për këtë mjeshtëri. Jo! Unë mendoj se kjo nuk mjafton. Nuk mund të bëhesh shkrimtar i vërtetë vetëm se ke prirje, dhe këtë prirje, këtë mjet, nuk e zhvillon duke mësuar, nuk e gdhend, nuk e provon dhe nuk e rreh në kudhrën e madhe të popullit dhe nuk studion shumë e në radhë të parë shkencat shoqërore dhe ekonomike. Vetëm kështu shkrimtarët do t’u japin klasës punëtore e fshatarësisë vepra të denja për ta. Thashë se shkrimtarët dhe artistët duhet ta studiojnë shkencën, po ku t’i gjejmë këto vepra shkencore që t’i studiojmë, mund të thonë? Çdo gjë nuk është e gatshme dhe e përgatitur te ne. Mjaft gjëra ka të përgatitura mirë a me gabime, të tjerat duhen studiuar e shkruar, duhen studiuar edhe duke përgatitur vetë romanin. Shumë fakte e dokumente ekzistojnë, jo vetëm të Luftës sonë Nacionalçlirimtare dhe të ndërtimit të socializmit, por edhe të kohërave të paraçlirimit. Vetëm se këto duhet të kërkohen, të studiohen e të shfrytëzohen prej të gjithëve dhe jo në mënyrë fantaziste, por shkencërisht. Jo të thuhet lehtësisht “këto i kam jetuar, pra i di dhe nuk është nevoja t’u referohem dokumenteve”, ose “këto m’i ka thënë plaka ndanë sobës dhe vetë mund të thur imagjinata për jetën e kaluar të popullit tone”.
Ne bëmë revolucionin, tani po ndërtojmë socializmin, por e kaluara, në forma të ndryshme, na rëndon mbi supe. Që t’i luftojmë pasojat negative të së kaluarës, brezit të ri duhet t’i shpjegojmë edhe origjinën, edhe arsyet që i bënë ato të zhvillohen. Baballarët dhe brezi ynë i kanë jetuar ato situata, po të tjerët jo. Megjithatë, në këtë drejtim ne nuk e kemi fletën e bardhë. Janë shkruar disa romane me vlerë për kohën e paraçlirimit. Në romanet e epokës së socializmit mund të flitet edhe për kohën e kaluar. Ne nuk duhet t’i lëmë pas dore këto periudha dhe t’i pasurojmë letërsinë e artet tona. Letërsia dhe arti pasqyrojnë raportet shoqërore. Kjo ka qenë e vërtetë në të gjitha kohërat, që nga Homeri e shoqëria greke e asaj kohe e deri te kapitalizmi, nga iluministët e deri te Gorki, Majakovski e Revolucioni i Madh i Tetorit. Këtë rrugë ndjekin edhe letërsia dhe arti ynë i ri, kombëtar nga forma dhe socialist nga përmbajtja. Shumë vepra të bukura, realiste, kanë dalë nga duart e njerëzve tanë. Romanet dhe shkrimet e Dhimitër Shuteriqit, Shevqet Musarajt, Llazar Siliqit, Jakov Xoxës, Sterjo Spasses, Kolë Jakovës, Nonda Bulkës e Ismail Kadaresë; veprat artistike të Tish Daisë e Kristo Konos, Çesk Zadesë, Odise Paskalit e Janaq Paços, Nexhmedin Zajmit, Vilson Kilicës e Guri Madhit e dhjetëra të tjerëve të këtyre kategorive, të cilëve u kërkoj ndjesë që nuk i përmend, janë për ne vepra me vlerë të madhe, edukuese, frymëzuese. Kur ato i këndon, i dëgjon ose i shikon, sheh e ndien pulsin e jetës dhe të luftës së popullit tonë.
Talenti i tyre dhe i qindra të tjerëve po zhvillohet me sukses dhe ecën krahas me përpjekjet e tyre për të mësuar, për të studiuar, për t’u lidhur me popullin. Një frymëzim i madh po shtyn përpara një brez të ri të mrekullueshëm shkrimtarësh dhe artistësh që po afirmohen, që bëhen të dashur për popullin. Partia jonë, me punën dhe me edukatën e saj prej mëme, t’i mbrojë, t’i edukojë, t’i inkurajojë me të gjitha mjetet këta të rinj. Ne duhet t’i inkurajojmë talentet e reja, ndryshe do të bënim gabim; por talentet e reja, pa ua prerë hovin, duhet t’i edukojmë në rrugë të drejtë. Ata t’i mësojmë që të mos u rritet mendja pse bënë dy poezi. Do t’ju them një ndodhi. Në një gazetë të një shtëpie kulture këndova disa vjet të kaluara ca poezi të thjeshta të një vajze të re, mësuese. Thashë me veten time: vjershat e saj s’janë pa ide. E humba nga sytë, por ja që disa muaj më parë mora prej saj një letër, toni i së cilës m’u duk shumë i rrëmbyer e mendjemadh ndaj Shtëpisë Botuese, ndaj njerëzve të arsimit, që gjoja nuk ia botojnë “veprat” për ambicie e të tjera. Mendova, i riu është i ri, mund falim edhe rrëmbimin, dhe i këshillova shokët që ta afrojnë atë, ta sqarojnë, ta ndihmojnë. Më vonë mora një letër tjetër prej saj, plot nervozizëm e fodullëk për organet tona botuese. Me një fjalë, ajo kërkon gati si të thuash “t’i ngrenë statujë”. Këto s’janë të mira, por kjo është një vajzë e re fundi fundit dhe duhet të jemi indulgjentë; por po ju them edhe një ndodhi tjetër, këtë herë nga një i kaluar nga mosha, që ka qenë edhe në luftë, dhe i ka bërë disa vjersha pushkës.
Këto janë nja tri vargje të shkëputura pa vlerë të madhe, por ndërmarrja ka marrë mundimin dhe ia ka botuar në një libër prej 8-10 faqesh. Dikush i bëri këtij libri një kritikë serioze. Ky mik na qenka ofenduar në “pushkën” e tij poetike nga kjo kritikë dhe shkruan në Komitetin Qendror që të merren masa ndaj kritikuesit, i cili e ka bërë këtë kritikë, thotë ai, nga inati, “pse — dëgjoni! — kur e ka pasur nxënës, i ka vënë një notë të keqe në hartim”! Nga këta shembuj e të tjerë të këtij lloji duhet të kuptohet se, të shkruash për popullin e të botosh për popullin, është një nga çështjet më serioze e më delikate. Ata që shkruajnë, duhet të kenë parasysh mendimin e Marksit, kur i thotë Engelsit. “Nga duart e mia kurrë nuk ka dalë dhe nuk do të datë asgjë që të mos jetë e përsosur”. Po një Marks ka ardhur në botë. Vetëm duhet ta ndiejmë se, kur vihemi të shkruajrnë për popullin, bëjmë një shërbim të madh, po populli do që të jemi modestë. Duhet të kuptojmë gjithashtu se Partia dhe pushteti i kanë ngritur shtypshkronjat dhe shtypin, jo për të botuar çdo lakër që i teket të prodhojë ndonjërit, qoftë edhe ndonjë i vjetër me një bagazh të mirë prodhues në të kaluarën, por që tani ka shteruar e prodhon gjëra pa vlerë. Çdo gjë duhet të shikohet me syrin kritik nga kritikët, nga ndërmarrjet e botimeve e të tjera ente, pa hatëre (se për fat të keq, bëhen hatëre). Partia dhe organet e pushtetit duhet të jenë vigjilente.
Unë mendoj se nuk duhet të presim që të bëhen kryevepra, pastaj të shtypen, në asnjë mënyrë, pse atëherë shteruam; por edhe jo të përdoret shtypi nga disa, që për fat të mirë janë të paktë, për spekulime financiare apo për të përhapur ‘konfuzion ideologjik ose vepra boshe. Ka të tillë elementë mikroborgjezë, që shtyhen të zënë vendet e para dhe me bagazhin e tyre ideologjik e politik të paformuar ose mikroborgjez shtrembërojnë idetë e proletariatit. Engelsi e kritikonte rëndë Karl Liebknecht që kishte lejuar të depërtonin në parti dhe në shtypin e saj të tillë njerëz. Nga këta të sëmurë të mos mendojmë se kemi shpëtuar. Këta duhet t’i shërojmë në rrugë të drejtë dhe jo duke u fërkuar krahët. Marksi ka thënë: “Shkrimtarti, natyrisht, duhet të fitojë para për të jetuar dhe për të shkruar, por në asnjë rast të rrojë dhe të shkruajë për të fituar para”. Dhe nga këta të sëmurë të fundit të mos mendojmë se kemi shpëtuar. Edhe këta duhet t’i shërojmë e t’i mësojmë të ecin drejt. Politika e Partisë në fushën e artit dhe të letërsisë ka qenë dhe është e garte për të gjithë. Ajo do të mbështetë vazhdimisht e fuqiinisht veprat e mira, veprat e frymëzuara drejt, ato që edukojnë, që mobilizojnë, që hapin perspektiva. Gabime bëhen e do të bëhen, siç ngjet në çdo vepër, ato duhet të korrigjohen, kritika të jetë konstruktive dhe jo denigruese dhe i kritikuari të reagojë jo me sedrën mikroborgjeze, që mban në vetvete të gjitha të këqijat, po me zemër të hapët.
Partia e ka për detyrë që ata që çoroditen në veprat e tyre nga pikëpamja ideologjike, politike, artistike, në përmbajtje ose në formë, t’i korrigjojë me durim. Jam dakord me kritikat që u bënë me frymë të drejtë dhe me qëllime të mira për dy-tri drama dhe ndonjë prozë ose poezi. Unë di se autorët e tyre i kanë pranuar ndershmërisht gabimet dhe jam i sigurt se nuk do t’i përsëritin. Këtë bindje e kam, pse ata janë bij të Partisë, te të cilët Partia ka besim, sepse janë shkrimtarë të talentuar e të vendosur për t’i shërbyer popullit të tyre në rrugën e ndërtimit të shoqërisë e të kulturës socialiste dhe gabimet e tyre mund të quhen të rastit. Partia do të kujdeset për ta, do t’u japë dorën si kurdoherë. Po, kur që ndonjërit i pëlqen të prodhojë gjëra që s’i duhen kujt, të gabuara dhe pa kripë, ai s’ka pse të qahet nga Partia; ajo as do t’ia botojë, as do t’ia shesë. Kush të dojë le të vazhdojë të prodhojë për dollapin e tij dhe ne nuk do ta shqetësojmë derisa nuk është bërë shoqërisht i rrezikshëm të zhvillohen në vendin tonë, nuk ka dy morale, po vetëm një, morali proletar i klasës punëtore. Idetë e shprehura në vepra duhet t’i përshtaten këtij morali. Një vepër bosh nga idetë dhe e zhveshur nga ky moral mund të paraqitë në ndonjë rast dhe për disa njëfarë vlere nga ana e mjeshtërisë artistike, por nga ana ideoshoqërore ajo nuk mund të ketë asnjë vlerë. Prandaj duhet të kemi kurdoherë parasysh se mbajtja qëndrim në letërsi dhe në art është pjesë e luftës politike që bën Partia jonë marksiste-leniniste në unitet të plotë mendimi dhe veprimi me popullin e vet.
Në raport e në diskutime u fol shumë dhe drejt për muzikën popullore, për folklorin. Unë nuk do të zgjatem mbi këto çështje të rëndësishme dhe për parimet që duhet të na udhëheqin në punën tonë, por do të theksoj disa mendime. Folklori nuk duhet identifikuar ngushtësisht me muzikën popullore. Folklori nuk është vetëm muzika popullore, muzika është një shprehje ose një shfaqje e tij. Folklori është shumë i gjerë, sikurse është e gjerë jeta e popullit. Folklori është kënga, lahuta, fyelli, daullja, kënga labçe, myzeqarçja, devolliçja, dibrançja. shkodrançja etj. Nga ana tjetër, nuk ndahen nga folklori as bejtja, vjersha popullore, përralla popullore, as dasmat, zitë, gëzimet, hidhërimet, as kostumet e shumëngjyrshme, prerjet e qepjet e ndryshme të tyre, as artizanati popullor me gustot e tij nacionale, sikundër nuk ndahen as zakonet, e shkruara dhe të pashkruara etj., etj. Po të mos e kuptojmë kështu këtë çështje, mendoj unë, mund të bëjmë çdo gjë për të ruajtur muzikën popullore, po kësaj nuk mund t’ia arrijmë po t’i kemi prishur bazën. Që të ruhet muzika popullore, duhet ruajtur edhe baza ose pjesët kryesore të kësaj baze. Përmirësimi i muzikës popullore duhet të shkojë krahas me përmirësimin e bazës së saj. Më konkretisht. Ne e dimë si është zhvilluar e pasuruar gjithë folklori ynë i madh. Libra të tërë duhet të fillohen të shkruhen, se ai është një thesar i paçmuar. Ne kemi krijuar një Institut të Folklorit dhe mendojmë se çdo gjë ka mbaruar. Instituti punon, po edhe ato gjëra të vlefshme që ka mbledhur, janë të rrallë ata që venë i studiojnë me rrënjë, të mos flasim pastaj për shkollat e muzikës dhe të artit, programet e të cilave, qofsha i gabuar. shumë pak flasin për folklorin tonë dhe thuajse vetëm për muzikën klasike e moderne.
Ç’ngjet në të shumtat e rasteve? Vjershat banale disa poetëve që Dritëro Agolli i godiste me të drejtë me kamxhik në një artikull të “Zërit të popullit”, preferohen prej muzikantëve tanë dhe mbi to bëjnë muzikën. Po t’u thotë dikush këtyre t’u hedhin një sy vjershave popullore të xha Selimit nga Brataj, mund të qeshin me ironi, mundet edhe të të tallin e të thonë “ky s’është në të”. Por populli vetë i ka vënë në muzikë dhe i ka kënduar me shekuj vjershat e xha Selimëve, ato vjersha që në parim ti gjoja “i mburr”, kurse në realitet i përbuz. Këtu s’ka koherencë. ndryshe thua, ndryshe bën. Me këtë nuk kuptoj se s’duhet të bësh vjersha të bukura të reja dhe të vihen në muzikë. Të marrim çështjen e instrumenteve muzikore. Nga një anë flitet për bukurinë, për larminë e muzikës popullore, por nga ana tjetër, shtëpitë e kulturës u mbushën me fizarmonika, me kitara, me mandolina dhe në to, e sidomos në popull, gjen pak fyej, gërneta, defe, daulle, lahuta, gajde etj., me të cilat ka kënduar populli, që janë një bazë e madhe e muzikës popullore. Unë s’jam aspak kundër instrumenteve të reja dhe kundër muzikës së re dhe më të mirë, përkundrazi, por jam edhe për instrumentet e vjetra; edhe këto të prodhohen e të shpërndahen në popull, pse me ato populli ka kënduar gjatë shekujve gëzimet e hidhërimet, luftërat që ka bërë dhe dëshiron të këndojë e do të vazhdojë të këndojë në to. Një veprim i tillë jo i drejtë ka sjellë konsekuencat e veta. Instrumentet e reja kanë përhapur këngët moderne, për të cilat s’jam kundër, po me dashje ose pa dashje, ka rrezik që ato të shmangin pak e nga pak këngët popullore dhe ky do të ishte një gabim i madh.
Ato kanë përhapur dancet evropiane, me të cilat nuk jam kundër tyre, në qoftë se kërcehen me masë, por jo të eliminojmë vallet popullore, pse ky do të ishte gjithashtu një gabim i madh. Njerëzit që nxjerrim nga shkolla dhe i dërgojmë në vatrat e shtëpitë e kulturës, i mësojmë të organizojnë kore moderne dhe disa gjëra standard, por që këta t’i frymëzojnë punonjësit të këndojnë popullorçe, qoftë dhe kur janë të vetmuar. qoftë në punë, të këndojnë dy e dy e kokë më kokë, ashtu siç e ka zakon populli ynë, jo, kjo atyre s’u është mësuar, bile harrohet fare që këtë populli e do, e bën, se është jeta e tij që ia kërkon, janë traditat e zakonet e tij. Vallet e këngët popullore kanë lezet dhe unitet me shakatë, me humorin e mrekullueshëm, me kostumet. Por ne po i zhdukim pak nga pak duke harruar shakatë dhe humorin popullor, duke i futur në muze këto kostume dhe, çka është më e keqe, në mënyrë administrative, me urdhra e fushata. (Nuk e kam fjalën për tumanet allaturka, që s’janë kombëtare dhe duhet të futen në muze a në fund të sënduqeve, as për brekushet e lashta të shëmtuara që mbajnë gratë në disa krahina.) Partia ka thënë me të drejtë të mos bëhen shpenzime të kota për kostume popullore, njerëzit të shkojnë në punë me kostume të thjeshta. Po çfarë na prish ne dëshira e një vajze, që, kur të martohet, do të veshë një kostum të bukur popullor ose një dibran të mbajë një palë tirqe? Kjo nuk na prish punë, përkundrazi, na ndreq, se na ruan traditat. Ne s’kemi turp nga kostumet tona kombëtare, përkundrazi, mburremi me to, ato, janë të bukura. Po ai do të harxhohet, thonë. Kjo është puna e tij. Ai le ta llogaritë buxhetin e vet, në fund të fundit, pse do t’ia rregullojmë ne?
Partia ka këshilluar të mos bëhen shpenzime të kota e të mëdha për mortje, për dasma, për paja e për shfaqje të tjera të jetës. Ky është një udhëzim i drejtë, por në shumë raste kuptohet e zbatohet shtrembër. Ç’lidhje ka kjo me folklorin? — mund të më pyesin. Ka shumë, sepse, në këto ngjarje me rëndësi në jetën e njeriut, është zhvilluar i pasur folklori ynë, janë zhvilluar zakonet tona. Në këtë kapitull ka edhe zakone të këqija, për zhdukjen e të cilave Partia ka dhënë udhëzime, po jo për të ndaluar zakonet e mira të popullit. Të japësh këshilla për të mos u bërë shumë harxhe, kur një person marton djalin, kjo është e drejtë, po të udhëzosh se sa duhet të ftojë ose ta këshillosh të mos thërresë disa miq e të afërt të tij, që të gëzojnë, të këndojnë e të kërcejnë, ky është gabim. Të luftosh idenë e pajës për vajzën, siç kuptohej e praktikohej në të kaluarën, është shumë e drejtë dhe duhet të vazhdohet kjo luftë, por që ta ndalosh prindin t’i bëjë asaj dy palë rroba, një krevat e diçka tjetër, kjo s’është drejtë. Por, në këtë rastin e fundit, kur këto reklamohen me bujë dhe nxitin ndjenjat e çdo vajze që të sjellë pajë te burri, se ndryshe ai nuk e merr, sikurse ndodhi një rast i shëmtuar në Korçë, kjo duhet luftuar. Po si luftohen këto të këqija në mes të zakoneve të -shumta të mira të popullit tonë? Me masa administrative? Jo! Ato luftohen me punë edukuese e me shembuj të mirë, me veprime të matura ndaj shfaqjeve të ndryshme të jetës. Me anë të vetë folklorit tonë të shumanshëm mund të luftohen të këqijat. Populli ka shumë humor në këngët e tij, ai bën shumë shaka të holla e me lezet që, edhe të bëjnë të qeshësh, por edhe të edukojnë. Estradat mund të bënin shumë në këtë drejtim. Partia ka ngritur estrada në çdo rreth, të cilat i frekuentojnë me dhjetëra mijë veta. Ato e bëjnë punën vet duke çaluar shumë, jo vetëm për fajin e aktorëve dhe të regjisorëve të tyre, mendoj unë, të cilët janë të rinj, por edhe për fajin e shkrimtarëve tanë. Këta, si duket, e përbuzin këtë zhanër të mrekullueshëm që e do populli.
Ka disa shkrimtarë me talent e me prirje për këtë zhanër, por ata preferojnë të zhvillojnë “kultin personit të tyre”, ata preferojnë më mirë të bëjnë: një roman –“të rëndë nga pesha”, sesa të edukojnë me qindra mijë persona në ditë me pjesë të vogla edukative, zbavitëse, me moral të lartë për shumë halle e probleme që preokupojnë popullin dhe Partinë. Këta shkrimtarë përpiqen të bëjnë vëllime dhe disa herë këto vëllime s’i këndon njeri, por edhe në qoftë se i i këndojnë shumë më pak njerëz nga sa venë ,çdo natë në estradat tona. Edhe këtu nuk munguan shokët që kritikuan organet tona që blejnë filma jashtë, në vendet kapitaliste. Ata që venë të zgjedhin filma janë njerëz partie, s’ka dyshim që mund të bëjnë përpjekje edhe më të mëdha për zgjedhje edhe më të mira, për të sjellë filma sa të përshtatshëm për publikun tonë. Por, fundi i fundit, ç’mund të presësh nga një film, qoftë edhe përparimtar, i xhiruar në vendet kapitaliste? Po ç’të bëjmë? Të rrimë pa filma, të kënaqemi vetëm me një film tonin në vit, dhe të sjellim shumë të tjerë nga jashtë? Ju, shokë, që kritikoni s’bëni keq, por edhe ju duhet të bëni kthesë dhe me zotësinë tuaj të gjallëroni estradat, teatrot, baletet, koret etj., me repertorë të bukur kombëtarë, që populli të kënaqet, të dëfrejë, të gëzojë, të edukohet, kështu që, kur të vejë të shikojë një film perëndimor, të jetë në gjendje ta gjykojë moralin e këtij filmi. Memorie.al
*Fotografia kryesore: “Në lëmë”, 1977, vaj në kanavacë
Autor: Fatmir Haxhiu