MENU
klinika

"SECRETUM"

Çfarë fshehin arkivat e Vatikanit?..

14.07.2021 - 17:10

        Për Selinë e Shenjtë misteri dhe intrigat janë më se të natyrshme. Njerëzit përherë do të pyesin se, për çfarë po komplotojnë autoritetet fetare pas dyerve të mbyllura, çfarë thesaresh gjenden brenda kupolave të Vatikanit. Pavarësisht pretendimeve, se Papa zotëron prova për jashtokësorët dhe demonët, të strukura në katakombet e tij, e vërteta e arkivave sekrete është shumë më pranë reales./Konica.al

Pikërisht kjo e bën të jetë gjithashtu shumë më interesante. Nga letrat e shkruara me dorë të personazheve historikë si Mbretëresha Meri e Skocisë dhe Abraham Linkolni te dekretet që shkishërojnë Martin Luterin, përmbajtja e arkivave mjafton për ta lënë studiuesin me gojëhapur. Megjithatë, po kjo natyrë e nivelit të lartë, që i bën përmbajtjet të duken kaq magjepsëse, njëherazi është ajo që i bën ato të ruhen kaq me fanatizëm. Në të vërtetë, nuk janë provat e alienëve që Vatikani rri larg syrit të publikut, por më shumë dokumentet që mund të provojnë se Kisha ishte bashkëpunëtore në terrorin e sponsorizuar nga pushteti i Musolinit dhe, ndoshta, edhe në masakrat antisemitiste të Hitlerit.

Archivum Secretum

E vërteta prapa arkivave sekrete buron nga përkthimi në mënyrën e gabuar nga latinishtja. Emri aktual i arkivave të Vatikanit është Apostolicum Vaticanum Archivum Secretum. “Secretum” në latinisht nuk do të thotë “sekret”, siç mund të hamendësojnë disa. Më saktësisht, mund të përkthehej në kuptimin “personale” ose “private”. Në fakt, arkivat përbëhen nga letra private dhe të dhënat historike të papëve të mëparshëm përgjatë katër shekujve. Arkivat u krijuan nga Papa Paul V. Papa e kishte të qartë domethënien e rëndësisë historike të letërkëmbimit papnor dhe e dinte që dokumente të tilla duheshin ruajtur. Sidoqoftë, shekulli i 17-të ishte absolutisht i mendimit që njerëzit e thjeshtë nuk duhet të ishin të vetëdijshëm për letërkëmbimet e mretërve dhe papëe. Kështu që arkivave iu vu dryni.

Hyrja në Arkivat Private

Studiuesit u lejuan të shikonin disa nga përmbajtjet e arkivave vetëm në 1881, me lejen e Papa Leo XIII. Sidoqoftë, nuk ishte aspak e lehtë që dikush të shihte dokumentet, për më tepër procedura nuk ka ndryshuar shumë gjatë 200 viteve të fundit. Para së gjithash, gazetarëve, studentëve dhe historianëve amatorë nuk u lejohet qasje. Sapo pala e interesuar të provojë, se ai ose ajo është një studiues mjaft serioz, i jepen letrat kredenciale që duhet të rinovohen çdo gjashtë muaj. Për të hyrë në arkiva, “studiuesit hyjnë përmes Porta Sant’Anna, kalojnë Rojet Zvicerane, ecin nëpër Oborrin e Belvederes dhe paraqesin letrat kredenciale”, (O’Loughlin, 2014).

Me t’u pranuar, studiuesit duhet të kërkojnë, se cilat dokumente specifike dëshirojnë të rishikojnë. Atyre u lejohet të kërkojnë vetëm tri në ditë. Pra, në vend që të shfletojnë përmbajtjen e arkivit, ata duhet të zgjedhin artikuj nga katalogët ku artikujt janë shkruar me dorë në italisht ose latinisht. Këta katalogë janë mjaft madhështorë, duke marrë parasysh se arkivat përmbajnë “50 milje [80km] rafte dhe dokumente që datojnë nga shekulli VIII” (Keyser, 2015).

“Nëse në vetëm disa minuta ata e kuptojnë se ajo që po kërkojnë nuk është në dosjet e kërkuara, ata janë të detyruar të mbledhin plaçkat për atë ditë – një sfidë për studiuesit që kanë afat ose ata që kanë udhëtuar në distanca të largëta” (O’Loughlin, 2014). Kompjuterët lejohen, por jo fotografimi, kështu që studiuesit e kalojnë shumicën e seancave në sallat e leximit duke mbajtur shënime.

Arkivat e Vatikanit përmbajnë perla me rëndësi historike

Nëse një person ka fatin të ketë qasje në Arkivat e Vatikanit, ai ose ajo do të jetë në gjendje të gjurmojë perla historike të tilla si:

– Rrotulla dorëshkrimi 60 metra të gjatë, që përmban minutat e gjykimit të Kalorësve Tempullarë, i cili zgjati për disa vjet, duke filluar në 1307.

Inter caetera, dekretin e lëshuar nga Papa Aleksandri VI në 1493, që ndau botën midis spanjollëve dhe portugezëve.

– Një letër të Mikelanxhelos për Papën Julius II.

– Dekreti i vitit 1521 i Papa Leos X, që shkishëron Martin Luterin.

– Lutja që i dërgoi Henry VIII Papës Clement VII në vitin 1530, duke i kërkuar anulimin e martesës së mbretit me Katerinën e Aragonit, e cila përfshin nënshkrimet dhe vulat e mbi 80 lordëve dhe klerikëve anglezë (Papa refuzoi).

– Një letër drejtuar Papës Sixtus V nga Meri, Mbretëresha e Skocisë, që i lutet Kishës të ndërhyjë pak para ekzekutimit të saj.

– Shënime në lidhje me procesin e vitit 1633 kundër Galileut.

– Një letër për Papën Inocent X nga Perandoresha e Madhe Trashëgimtare Helena Wang e Kinës.

– Një letër nga Papa Klementi XII drejtuar Dalai Lamës së Shtatë, që kërkon mbrojtje për misionarët françeskanë në Tibet.

– Letra nga Abraham Linkolni dhe Xheferson Davis (të dyja të shkruara në 1863, asnjëri prej tyre katolik) në përpjekje që Papa Pius IX të jetë në favor të Unionit ose Konfederatës.

Papa Piu XII në ligë me nazistët?

David Kertzer, historiani nga universiteti “Brown”, qe në gjendje të shqyrtonte dokumente nga mbretërimi i Papa Piut XII (1922- 939) dhe arriti në përfundimin se Papa “bëri marrëveshje me Musolinin për të mbrojtur interesin e Kishës në këmbim të heshtjes ndaj antisemitizmit të sponsorizuar nga shteti, një përfundim që bie ndesh me deklaratat e Kishës” (O’Loughlin, 2014). Grupet i bënë presion Papa Françeskut, që të vinte në dispozicion të plotë përmbajtjen në lidhje me Papën Pius XII (1939-1958), në mënyrë që bota të njihej përfundimisht me siguri nëse ishte i përfshirë apo jo me nazistët./Konica.al

Ka zëra se ai e mbështeti Hitlerin, apo ngjashëm me mbështetjen e Kishës për Musolinin, mbase-mbase edhe më thellësisht. Apo, se Papa punoi kundër nazistëve dhe ndihmoi për të fshehur hebrenjtë dhe objektivat e tjerë të agresionit nazist. “Njerëzit flasin, studiuesit flasin. A ka gjëra që nuk po vihen në dispozicion, sepse ato shihen si të pahijshme nga kënvështrimi i Kishës?” – shprehet Kertzer. “Sërish Arkivat Sekrete janë të pajisur me profesionistë, pra ka një vlerësim të njohurive serioze historike”. (O’Loughlin, 2014)

Në mars të vitit 2020, Papa Françesku vuri në dispozicion të historianëve “dokumentacionin themelor të papnatit të Pius XII”, duke u shprehur se kisha “nuk ka frikë nga historia”. Kur studiuesit u mblodhën këtë vit në një webinar, për të diskutuar mbi vlerësimin e arkivave deri më tani, u shprehën: “Ka të ngjarë, të duhen vite për të vlerësuar materialin që Vatikani ka vënë në dispozicion”, – sipas National Catholic Reporter. […]

Arkiva, pak më pak “sekrete”?

Në vitin 2012, me rastin e 400-vjetorit të arkivave, u vunë në dispozicion të publikut 100 dokumente në ekspozitën “Lux në Arcana”. Megjithatë, tradita e dhënies së lejes vetëm për rreth 1000 studiues në vit, për të pasur akses në arkiva vazhdon.

Sipas Papa Françeskut, Arkivat e Vatikanit tashmë nuk janë “sekrete”, përkundrazi ato janë “apostolike”. Në 2019, ai vendosi ta ndryshojë emërtimin shekullor të Archivum Secretum Vaticanum, Arkivat Sekrete të VatikanitArkivat Apostolike të Vatikanit, sepse “në latinisht si secretum (që do të thotë i veçuar, privat) dhe apostolicum (që i përkasin domnus apostolicus, vetëm Papës) i referohen të njëjtit realitet, madje edhe juridik”.

Papa e mori këtë vendim bazuar në nevojën për të përmbushur “ndjeshmëritë” moderne, që shpesh e lidhin fjalën sekretum me idetë e mistereve dhe artefakteve të fshehura të mbyllura në qemere.

Sidoqoftë, Arkivat e Vatikanit mbeten arkivat private të Papës – “varen vetëm prej tij dhe qeverisjes së tij ekskluzive”, – siç konstaton “Vatican News”./Konica.al

 

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen