MENU
klinika

Nga Vuk Vuksanoviç*

Si u bë Serbia depozita e energjisë ndotëse të Kinës

18.07.2021 - 10:34

Në fund të vitit 2015, Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, në atë kohë kryeministër, ishte i ftuar në televizionin kombëtar, RTS. Kur u pyet nga moderatorja Olivera Joviceviç pse kinezët janë të interesuar të investojnë në Serbi, Vuçiç u përgjigj në mënyrën e tij tipike: “Sepse ata kanë interesat e tyre. Për shkak se ata duhet të mbyllin një pjesë të fabrikave të tyre të farkëtimit dhe çelikut. Mendoj se kjo bëhet për shkak të ajrit të pastër, për të cilin nuk kam njohuri të mjaftueshme, të jem i sinqertë. Dhe pse duhet të shqetësohem për këtë?

Gjashtë vjet më vonë, këto fjalë kanë peshë të veçantë. Serbia, një nyje e rëndësishme në nismën kineze Belt&Road, po importon projekte ekonomike të dëmshme për mjedisin nga Kina, ndërsa njëkohësisht po përqafon modelin kinez të politikës, sipas të cilit elita sakrifikon sigurinë e mjedisit dhe shëndetin publik për hir të rritjes ekonomike dhe për të qëndruar në pushtet.

Historia nisi në Kinë, në 1978, kur lideri kinez Ten Siao Pin vendosi ta hapte Kinën për tregun global kapitalist. Reformat ekonomike të tij i mundësuan Kinës 40 vjet më vonë të bëhej ekonomia e dytë më e madhe në botë dhe të nxirrte nga varfëria një pjesë të madhe të popullsisë së saj. Sidoqoftë, ky transformim ekonomik që i dha përparësi industrializimit të shpejtë në dëm të sigurisë mjedisore erdhi me një çmim të rëndë për sa i përket degradimit të mjedisit dhe shëndetit publik.

Sot, Kina po vuan nga ndotja e përhapur e ajrit, ujit dhe tokës. Pë rata që nuk e dinë, Kina është e varur nga qymyri në prodhimin e energjisë, dhe ka gjysmën e konsumit global të tij. Në vitin 2020, Kina ndërtoi tre herë më shumë termocentrale me qymyr sesa pjesa tjetër e botës e marrë së bashku. Deri në vitin 2018, emetimet e dioksidit të karbonit për frymë ishin gjashtëfishuar në krahasim me vitin 1978. Në vitin 2019, Kina emetoi më shumë gazra serë sesa e gjithë bota e zhvilluar e marrë në një. Ndotja përkeqëson problemin e mungesës së ujit të ëmbël. Si rezultat i ndotjes së tokës, mbi 20 për qind e tokës bujqësore nga rajonet prodhuese të drithërave nuk i plotësojnë standardet e cilësisë.

Partia Komuniste Kineze është mes dëshirës për të ruajtur rritjen ekonomike si burim i legjitimitetit të brendshëm dhe rrezikut të degradimit të mjedisit, me të gjitha rreziqet ekonomike, shëndetësore dhe politike që sjell ai. Kjo e fundit po bëhet pengesë për stabilitetin politik të regjimit ndërsa protestat mjedisore po bëhen të zakonshme. Yanzhong Huang, një anëtar i vjetër për shëndetin global në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, e quajti këtë fenomen “politikë toksike” në librin e tij të fundit.

Për të lehtësuar këto sfida, udhëheqja kineze po ndërmerr hapa, përfshirë të tilla në rrafshin ndërkombëtar. Në të vërtetë, një nga motivet që qëndrojnë pas projektit kinez Belt&Road është kontraktimi i ndotjes dhe degradimit të mjedisit në vendet më të varfëra dhe të largëta, me nevojë të jashtëzakonshme për financimin e infrastrukturës dhe zhvillimin socio-ekonomik, qeveritë e të cilave do t’i injorojnë rreziqet mjedisore. Kjo tashmë po ndodh në Afrikën Lindore, ku projektet kineze po azhurnojnë infrastrukturën rajonale të lidhur me qymyrin, por duke rritur varësinë e rajonit nga qymyri dhe rreziqet mjedisore që shoqërojnë konsumin e qymyrit.

Serbia është provuar partner i përshtatshëm në këtë përpjekje. Falë gjeografisë së saj kritike për të qenë një ndërlidhje midis Evropës Qendrore dhe Ballkanit, një rajon në udhëkryq midis Evropës dhe Euroazisë së madhe, Serbia mori një sasi të madhe të burimeve dhe vëmendjes kineze, pasi Pekinit i duhet Serbia dhe Ballkani për t’u lidhur me tregjet evropiane.

Midis viteve 2010 dhe 2019, Kina investoi 1.6 miliardë euro (1.9 miliardë dollarë) në Serbi, ndërsa huatë e infrastrukturës kineze për Serbinë vlerësohet t’i tejkalojnë 7 miliardë euro. Karakteristikë është se Serbia i perceptonte kinezët si një burim të shpejtë dhe të lehtë parash, pasi Pekini ishte i gatshëm të merrte drejtimin e objekteve të vjetra industriale të mbingarkuara me borxhe që humbnin para, por megjithatë siguronin punësim dhe jetesë për familjet serbe të klasës punëtore. Ndërsa fitimi kinez nga marrja e burimeve – për shembull, në vitin 2020 pjesa më e madhe e eksporteve serbe në Kinë ka qenë bakri nga kompleksi minerar në pronësi të kinezëve në Bor, Serbi – qëllimi kryesor i qeverisë kineze është të shesë tepricën e teknologjisë e saj të lidhur me qymyrin dhe ta zhvendosë jashtë vendit krahun e punës që lidhet me qymyrin.

Në vitin 2016, pas një vizite historike të presidentit kinez Xi Jinping në Serbi, kinezja “Hesteel” mori drejtimin e një fabrike çeliku në qytetin serb të Smederevo, dikur në pronësi të U.S Steel. Në 2018, kinezja “Zijin Mining” mori 63 për qind të aksioneve në minierën Bor, kompleksi i vetëm i minierave të bakrit në vend, i cili ishte zhytur ne borxh. Në këtë pikë luajti rol fakti që kompanitë kineze nuk iu përmbaheshin standardeve të rrepta mjedisore evropiane – të cilat është e vështirë të ndiqen në ekonominë e pazhvilluar serbe.

Pasi Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim refuzoi financimin e ndërtimit të impiantit me qymyr “Kolubara B” në 2014, projektin e mori përsipër Kina. Si pjesë e një marrëveshjeje të vitit 2010, Pekini qëndron gjithashtu edhe pas projektit të modernizimit të termocentralit të qymyrit Kostolac, që rrit varësinë e Serbisë nga qymyri.

Sidoqoftë, pasojat tani po ndihen nga qytetarët serbë. Banorët e Smederevo dhe fshatit afër Radinac, ku ndodhet fabrika e çelikut, kanë protestuar ndaj ndotjes së ajrit dhe tokës të shkaktuar nga fabrika e çelikut në pronësi të “Hesteel”. Pluhuri i kuq që bie me shiun nuk është një dukuri e pazakontë në Smederevo. Në shtator 2020, qyteti i Borit paraqiti një padi penale kundër “Zijin Mining” për ndotjen e shkaktuar nga minierat e bakrit.

Agjencia Serbe e Mbrojtjes së Mjedisit vuri në dukje në 2019 se në qytete si Smederevo, ndotja e ajrit është mbi standardin e BE për rreth 120 ditë të vitit. Serbia ka shkallën më të lartë të vdekjeve të lidhura me ndotjen në Evropë dhe renditet e nënta në botë. Parlamenti Evropian gjithashtu ka shprehur shqetësim në lidhje me projektet ekonomike kineze në Serbi, duke përfshirë edhe baza mjedisore, çka shton një pengesë tjetër në rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në BE.

Beogradi duket se ka përqafuar modelin e “politikës toksike” të Pekinit, duke favorizuar rritjen ekonomike dhe legjitimitetin politik ndërsa injoron kërcënimet mjedisore me të cilat përballet popullsia. Kjo bëhet lehtësisht në një ambient politik ku Vuçiç dhe Partia e tij Progresive Serbe dominojnë politikën serbe deri në atë masë sa organizata mbikëqyrëse “Freedom House” e kualifikoi Serbinë si një regjim hibrid.

Në të njëjtën kohë, media, e cila është e dominuar nga qeveria, nxit me entuziazëm një narrativë pro-kineze dhe censuron informacionin kritik për çështje të tilla si rreziqet mjedisore. Udhëheqësit serbë përqafojnë me kënaqësi projektet kineze pasi mungesa e transparencës inkurajon rrjetet e patronazhit që i ndihmojnë ata të qëndrojnë në pushtet. Për më tepër, ardhja e kapitalit kinez korrespondon me ciklet elektorale, çka u mundëson zyrtarëve serbë që të promovojnë veten para votuesve si ata që bëjnë të mundur ardhjen e investimeve kineze në vend.

Qeveria serbe po punon shumë për të fshehur informacionin mbi ndotjen, duke përfshirë largimin nga detyra të shefit të departamentit të cilësisë së ajrit në Agjencinë Serbe të Mbrojtjes së Mjedisit, pas kundërshtimit të planeve për të ndryshuar pragun e ndotjes. Përveç kësaj, kryeministrja serbe Ana Brnabic denoncon publikisht statistikat e prodhuara nga organizata të tilla ndërkombëtare si Aleanca Globale për Shëndetin dhe Ndotjen ose Air Visual që e konsiderojnë Serbinë dhe kryeqytetin e saj, Beogradin, si një ndër vendet më të ndotura në botë. Në qytetin e Zrenjanin, ku kompania kineze Linglong po ndërton një fabrikë gomash, në shtator 2020, policia parandaloi aktivistët e mjedisit të merrnin pjesë në një diskutim mbi ndikimin e impiantit në mjedis.

Në disa raste, kundërshtimi i qytetarëve ka qenë shumë e fortë dhe qeveria nuk ia ka dalë ta vërë nën kontroll. Në prill të këtij viti, mijëra njerëz u mblodhën në Beograd për protesta mjedisore. Protestat treguan se çështjet mjedisore mund t’i bashkonin përkohësisht të majtën dhe të djathtën kundër qeverisë. Disa ditë më vonë, miniera nëntokësore e xeherorit Jama, pronë e Zijin Mining dhe fabrika e riciklimit të plastikës kineze FeitianSuye në fshatin Perlez u mbyllën përkohësisht nga qeveria për arsye mjedisore.

Është tepër vonë për të deklaruar fitoren. Zijin Mining tashmë ka marrë një leje minerare për minierën e bakrit dhe arit Cukaru Peki, duke filluar nga fundi i vitit 2021. Në gusht, Hesteel do të vërë sërish në punë një nga dy furrat e shpërthimit në Smederevo pasi përgjysmoi prodhimin vitin e kaluar për shkak të COVID-19. Ndërsa zgjedhjet presidenciale serbe po afrojnë (në 2022), Vuçiçit për fushatën e tij i duhet kapital kinez, si për sa u përket investimeve, pore dhe linjave të kreditit.

Përgjegjësia përfundimtare është mbi qeverinë serbe, jo mbi Kinën. Ndërsa është e vërtetë që standardet mjedisore janë më të vështira për t’u zbatuar në vendet me të ardhura të ulëta dhe me të ardhura të mesme si Serbia, ekziston gjithashtu një kufi deri ku mund të shtyhen këto standarde. Në fund të fundit, statistikat e PBB-së dhe punësimit do të jenë të pavlefshme nëse qytetarët serbë nuk do të mund të mbushen me frymë normalisht.

*Vuk Vuksanoviç ka gradën prof.dr. si studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare në London School of Economics and Politial Science. Është gjithashtu bashkëpunëtor në LSE IDEAS, think-tank i politikës së jashtme të shkollës; dhe studiues në Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë. Ai më parë ka punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë dhe si konsulent i riskut politik në Beograd.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çfarë thotë ShBA mbi ndryshimin e kufijve?

“Kërcënim i panevojshëm për stabilitetin”


“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!