Armando Broja rinovon me Chelsea dhe tashmë duket se nuk do të trajtohet si një talent për të ardhmen, por si një lojtar i cili është në planet e të tashmes të bluve londinezë.
Klubi londinez ka zyrtarizuar sot marrëveshjen e re deri në vitin 2026 me sulmuesin shqiptar, i cili i është bashkuar ekipit të parë të fituesve në fuqi të Ligës së Kampioneve dhe ka nisur fazën përgatitore të sezonit të ri nën urdhrat e Thomas Tuchel.
Trajneri gjerman është i bindur për cilësitë e djaloshit ndaj ka sinjalizuar klubin që të rinovojë me të, edhe nëse do të vendoset që ai të jepet një tjetër vit në huazim që të luajë rregullisht, siç ndodhi në vitin e kaluar te Vitesse.
“Jam shumë i entuziazmuar që po firmos një kontratë të re me Chelsea. Meqë jam rritur në akademinë këtu, ishte një moment special kur debutova me ekipin e parë në vitin e kaluar, para se të fitoja më shumë eksperiencë në huazim te Vitesse në sezonin e kaluar.
Dua të vazhdoj në këto baza dhe pres me padurim të bëj progres dhe të lë shenjë te Chelsea në vitet në vijim”, – ishin fjalët e para të sulmuesit të ri shqiptar Armando Broja pas firmës në kontratën e re.