Edi Rama e mori i vetëm drejtimin e timonit, duke nxjerrë jashtë loje LSI-në, aleatin që kishte qeverisur për katër vite me radhë.
Marrja e frenave i vetëm të pushtetit kërkonte njëherësh dhe një “spastrim” të administratës që ishte e tejmbushur nga punësimet militantëve dhe që kjo ishte prezente, jo vetëm brenda radhëve të socialistëve, por edhe të njerëzve të aleatit të saj, LSI-së.
Në kuadër të kësaj reforme numri i Ministrive në shtator 2017 arriti në 11 nga 16 të tilla që ishin para zgjedhjeve. Reforma u bë më arsyetimin e një qeverisje të vogël dhe efeciente. Por më vonë me ndryshimet në qeveri u shtuan dhe disa portofole si ministra shteti, duke pasur gjithsej katër të tillë në qeverinë “Rama 2”. Por edhe pse u shkurtua numri i ministrive, numri i punonjësve të administratës mbeti i njëjtë, për shkak se një pjesë e institucioneve iu bashkua ministrive të tjera.
Kështu u shkri ministria e Integrimit, duke ia bashkangjitur administratën Ministrisë së Jashtme, e cila mori edhe fokusin e punës së saj atë të integrimit në BE. U shkrinë ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, posti i ministrit të Pushtetit Lokal, ministria e Ekonomisë apo e Mjedisit, duke krijuar kështu super ministri me shumë kompetenca. U krijua super ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila përfshiu fushat e energjisë, transportit dhe infrastrukturës që në mandatin e parë ishin në ministri më vete.
Pas katër vitesh, sipas burimeve të gazeta “Shqip”, kryeministri Edi Rama po mendon të rrisë numrin e ministrive. Të paktën do të ketë tre ministri më shumë në “Rama 3”.
Mendohet të ndahet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ndërsa një ide më vete është edhe krijimi i Ministrisë së Ekonomisë me vete dhe e Financave. Sipas burimeve mësohet se tashmë edhe godina e re ministrore për Infrastrukturën është gati dhe se pritet që me ndryshimet e votimin e ministrave në Parlament të ndahet më dysh administrata e Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke ia ndarë në mënyrë specifike dhe fushat.
Gjithashtu pritet edhe reduktimi i ministrave të Shtetit, ku mund të shkrihet posti i ministrit të Sipërmarrjes. Më 9 shtator pritet të mblidhet parlamenti i ri i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit. Më pas, Edi Rama duhet të paraqesë te presidenti emrat e qeverisë së re, ku pritet të ketë edhe ministri të reja, duke e çuar numrin në 14 të tilla. Kjo sigurisht do të krijojë mundësi Ramës që të kënaqë socialistët e tij që pretendojnë të bëhen ministra në qeverinë e re. Ndërsa mund të plotësojë edhe idenë e hedhur se ministër në qeverinë e tij do të ketë emrat të rinj, si dhe përfaqësues nga 12 qarqet e Shqipërisë.
Ministritë e vitit 2013-2017
Ministria e Brendshme
Ministria e Financave
Ministria e Jashtme
Ministria e Mbrojtjes
Ministria e Integrimit
Ministria e Drejtësisë
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit
Ministria e Shëndetësisë
Ministria e Tregtisë dhe Zhvillimit Ekonomik
Ministria e Energjisë dhe Industrisë
Ministria e Arsimit dhe Sportit
Ministria e Kulturës
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë
Ministria e Mjedisit,
Ministre e Inovacionit dhe Administratës
Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin
Ministër i Çështjeve Vendore
Ministritë 2017-2021
Ministria e Brendshme
Ministria e Drejtësisë
Ministria e Mbrojtjes
Ministria për Punët e Jashtme dhe Europën
Ministria e Financave dhe Ekonomisë
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë
Ministria e Kulturës
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit
Ministër i Shtetit për Diasporën
Ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes
Ministri i Shtetit për Rindërtimin
Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin