Të gjithë ata që duan të kërcejnë dhe të këndojnë gjatë natës mund të organizohen në natyrë dhe pika të tjera ku nuk i shqetëson njeri. Kjo është përgjigja e kryeministrit Edi Rama për bizneset që kërkojnë ndryshim të orës policore dhe zgjatje të fashës orare për lejimin e muzikës.
Rama shprehet se në Lungomare nuk ka muzikë por ndotje akustike të tmerrshme, duke shtuar se e drejta e atyre që duan zhurmë muzikore nuk mund të fitojë mbi pjesën tjetër që duan zhurmën e detit.
“Protestë në Lungomare për muzikën? 1.Lungomare s’ka muzikë po ndotje akustike të tmerrshme ku përzihen dhjetra linja burime menjëherë 2.E drejta e atyre që duan zhurmë muzikore tërë natën nuk fiton dot mbi tē drejtën e atyre që natën duan zhurmën e detit
3.Siç është lajmëruar, nga data 20 korrik muzika do të ndalet në 23.00 në çdo zonë turistike të banuar dhe kush do të kërcejë e të këndojë tërë natën po të dojë, le të organizohet në natyrë, në pika ku nuk shqetëson njeri – si në tërë botën e civilizuar turistike”, shkruan Rama.