MENU
klinika

Hyn në lojë kompania e fuqishme amerikane!

Një gazsjellës në Shqipëri

21.07.2021 - 11:50

Mundësia e një gazsjellësi në Shqipëri po shihet me interes nga një kompani amerikane me bazë në Teksas. Excelerate Energy me bazë në Teksas ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Shqipërinë. Kompania në fjalë do të bashkëpunojë me kompaninë Snam dhe Albgazin për ta eksploruar këtë mundësi.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, presidenti dhe shefi ekzekutiv i kompanisë amerikane, Steven Kobos, thotë se projekti është në vazhdën e studimit të fizibilitetit për terminalin lundrues dhe termocentralin e Vlorës. Kjo do t’i jepte mundësinë Shqipërisë për të hyrë në tregun e gazit të lëngshëm (GNL), duke e kthyer në një pikë ndërlidhëse për rajonin.

“Ne kemi pasur një ekip inxhinierësh dhe një ekip tregtar në Shqipëri, inxhinierët tanë në SHBA me partnerin tonë ekzistues Exxon Mobil po punojnë për studimin e terminalit. Synimi është që studimi i fizibilitetit të përfundojë brenda tremujorit të tretë të këtij viti.

Ajo përpjekje që është e përqendruar tek termocentrali i Vorës dhe zgjerimi i tij vazhdon, por njëkohësisht ne po fillojmë të shikojmë se cilat janë aspektet e tjera përmes së cilave mund ta përmirësojmë atë projekt përmes investimeve të mëtejshme në infrastrukturë.

Ky është një proces normal kur shqyrton mundësinë e hapjes së një tregu për GNL, që të studiosh se si ta integrosh sa më mirë në gjithë tregun dhe në rajon më gjerë”, tha ai.

Synimi është që studimi i fizibilitetit të Vlorës të përfundojë brenda tremujorit të tretë të këtij viti, ndërsa për investimin, sipas Kobos, mund të ketë një vendim përfundimtar në harkun kohor të tremujorit të parë të vitit të ardhshëm, kjo bazuar në rezultatet e studimit. Nëse këto afate zbatohen, atëherë projekti mund të jetë gati për të filluar në vitin 2023.