Nesër, më 3 Nëntor 2018, në Sallën e Katedrales Ortodokse, në orën 19:00, rikthehet violinisti Tedi Papavrami në bashkëpunim me François-Frederic Guy.
Drejtor artistik është violinisti i mirënjohur Vlorent Xhafaj. Në këtë koncert do të luhen sonata për violinë dhe piano, Ludwid Van Beethoven.
Sonata nr 1 në Re Maxhor op.12 n.1
Sonata nr 6 në La Maxhor op.30 n.1
Sonata nr 4 në La Minor op 23
Sonata nr 5 në Fa Maxhor “Pranvera” op.24
Kjo nuk është hera e parë që Tedi Papavrami është në bashkëpunim me François-Frederic Guy apo Vlorent Xhafaj.
Në vitin 2012 në Tiranë, në koncert në kuartet kanë luajtur Papavrami në violinë, Garcia në violë, Vlorent Xhafaj në violonçel dhe Guy në piano. Papavrami dhe Guy kanë luajtur edhe më parë sonatën “Pranvera” që luhet në këtë program.
Këtë vit ka dalë në treg edhe CD-ja e Tedi Papavramit në bashkëpunim me François-Frederic Guy, me veprën e plotë të Beethoven për violinë dhe piano.
Më poshtë kemi shkëputur edhe disa pjesë nga intervista e Violinistit të mirënjohur Tedi Papavrami, i cili flet për udhëtimin e tij personal dhe muzikor me Judith Chaine në stacionin “France musique”.
Në pjesën e parë të intervistës violinisti Tedi Papavrami u rikthehet kujtimeve të fëmijërisë në vitet shtatëdhjetë në Shqipëri, në periudhën kur në atdheun e tij sundonte ende regjimi komunist.
Ndër të tjera, violinisti virtuoz Tedi Papavrami shprehet: “Muzika, ajo ishte gjithnjë tek unë dhe më magjepste”.
Gjatë pjesës së dytë të intervistës, ai tregon debutimet e tij të para në violinë, së bashku me babanë, violinist dhe pedagog në Liceun Artistik të Tiranës.
Ai filloi të ketë sukses që herët, madje filloi të japë koncerte në një moshë fare të re, për të arritur në turneun e tij të parë në Kosovë kur ishte vetëm një nëntë vjeçar.
Violinisti shprehet, se Prishtina ishte një udhëtim në të ardhmen!
Gjatë intervistës Tedi Papavrami flet edhe për takimin e tij me flautistin Alain Marion, i cili asistoi në një prej koncerteve të tij në Tiranë.
I impresionuar, ai mori një bursë franceze që do t’i mundësonte dy vjet më vonë të fitonte konkursin e Konservatorit të Parisit për të studiuar në klasën e të madhit Pierre Amoyal.
Tedi Papavrami: “Arrita të marr një bursë dhe mbërrita në Francë në moshën njëmbëdhjetë vjeçare”
Ai rrëfen vitet e tij të para plot vështirësi në Francë në mesin e viteve ’80-të. Prindërit e tij arritën të bashkohen me të në Paris, por të afërmit e familjes që mbetën në Shqipëri pësuan një kalvar persekutimesh e reprezaljesh nga regjimi komunist.
Më pas, flet gjithashtu edhe për “ndjenjën e dyfishtë të një shansi të madh, por dhe të një fatkeqësie të madhe”.
Tedi Papavrami: “Atje, papritur, gjeta një tjetër jetë”.
Aktivitete:
• 13 Nëntor, Tempulli St. Gervais, Gjenevë: Lexime në rezonancë, nga Tedi Papavrami (violinë) dhe Philippe Bianconi (piano), program Beethoven, Brahms, Falla dhe Fauré.
• Më 16 Janar, Arsenal de Metz: Koncert i Tedi Papvramit (violinë) dhe François-Frédéric Guy (piano), program Beethoven.